Sport

Krasniqi e Bajoku më të mirët e vitit

Xhudistja Distria Krasniqi dhe boksieri Shpejtim Bajoku janë sportistët më të mirë të vitit 2022 në Kosovë. Më të mirët e vitit janë shpallur nga Komiteti Olimpik i Kosovës, të shtunën në një ceremoni në Prishtinë.

KOK-u ka vazhduar traditën e shpalljes së më të mirëve të vitit, ndërsa Distria vazhdoi me mbledhjen e trofeve. Ajo ishte më e mira edhe në vitin 2021 dhe 2020.

Distria vjet ka fituar medalje të bronzta në Botëror e Evropian, medalje të arta në Lojërat Mesdhetare dhe në Masters, ndërsa lista e medaljeve të saj është dukshëm më e gjatë. Medalje të bronztë botërore e evropiane kishte edhe boksierja Donjeta Sadiku, por suksesi në garat tjera ka bërë dallimin këtë herë.

“Viti 2022 ishte shumë i suksesshëm për mua. Dua ta falenderoj Tonin, pasi pa punën e tij gjitha këto suksese nuk do të ishin të mundura“, ka thënë Distria Krasniqi.

Te sportistët, konkurrenca ishte më e zbehtë. Boksieri Bajoku u shpall më i miri i vitit falë suksesit në Lojërat Mesdhetare “Oran 2022”. Në Lojërat Mesdhetare, boksieri kosovar kishte fituar medaljen e bronztë, njëjtë si xhudisti Akil Gjakova. Ajo medalje i ka mjaftuar Bajokut që të shpallet më i miri i vitit 2022 në Kosovë.

“E falenderoj trajnerin Besim Brahimi për punën e jashtëzakonshme dhe falenderime për të gjithë ju“, ka thënë Bajoku.

Në ceremoninë “Laureatët e Vitit” u ndanë edhe çmime të tjera.

Trajner i vitit u shpall sërish Driton Kuka. Nxënësit e Kukës fituan medalje në të gjitha ngjarjet ku morën pjesë dhe sërish ishin bindshëm më të mirët në vend. Kuka shpallet trajner i vitit rregullisht që nga viti 2016, kur KOK-u nisi me ceremoni.

“Është kënaqësi që për herë të shtatë shpallem më i miri. Po ashtu që xhudistët po fitojnë medalje. Po vazhdohet me kontinuitet. Do të doja që Majlinda apo dikush tjetër nga xhudoja të shpallet më i miri vitin e ardhshëm. Qëllimi im tani është të përgatis trajner për të mbajtur kontinuitetin“, ka thënë Kuka.

Përfaqësuesja e vitit te meshkujt u shpall ajo e futbollit, ndonëse nuk pati ndonjë sukses në Ligën e Kombeve. Por konkurrenca e zbehtë bëri që KOK-u t’ia ndajë përfaqësueses së futbollit çmimin. Te femrat, përfaqësuesja më e mirë ishte e hendbollit, që kaloi raundin e parë kualifikues për Botëror.

Xhudistit Dardan Cena i takoi çmimi shpresa olimpike te djemtë, ndërsa skitares Kiana Kryeziu te vajzat. Cena fitoi medalje të bronztë në Evropianin e juniorëve, ndërsa Kiana u paraqit në Lojërat Olimpike.

Me çmime speciale janë nderuar boksierja Donjeta Sadiku dhe futbollisti Vedat Muriqi. Muriqi po luan me sukses te Mallorca në La Liga.

Me mirënjohje janë nderuar doajenët e gazetarisë sportive Agim Kasapolli, Xhavit Kajtazi e Azem Brovina.

Mirënjohje janë ndarë edhe për ekipin e mundjes që ishte në turne në Turqi në kohën e tërmetit të rëndë dhe për ekipin e kërkim-shpëtimit që ndihmoi në Turqi pas tërmetit.