Sport

Kostoja e madhe financiare e shkarkimit të trajnerëve të Kosovës

Federata e Futbollit e Kosovës e shkarkoi Bernard Challandesin nga posti i përzgjedhësit të Kosovës më 13 tetor të vitit të kaluar. Trajneri zviceran u shkarkua tetë muaj para se t’i mbaronte kontrata. Në konferencën për media që ishte mbajtur atë ditë, kryetari i FFK-së, Agim Ademi, kishte thënë se kanë vendosur që ta ndërpresin bashkëpunimin me marrëveshje të dyanshme për shkak se nuk janë arritur objektivat.

“Duke i pasur parasysh objektivat tona, me marrëveshje të përbashkët kemi vendosur për t’i dhënë fund bashkëpunimit në rolin e përzgjedhësit. E falënderojmë Challandesin për punën e tij, pasi ajo çfarë kemi bërë në Ligën e Kombeve ka qenë historike. Por më pas gjatë rrugës nuk i kemi përmbushur objektivat”, kishte thënë Ademi.

Ndërkohë zvicerani Challandes kishte deklaruar se është i pikëlluar që po largohet në këtë formë. Ai në asnjë moment nuk kishte përmendur se po largohet me marrëveshje të dyanshme.

“Kam pasur kënaqësinë të punoj me këtë ekip dhe për këtë arsye jam i mërzitur që po largohem. Jam i pikëlluar që po largohem në këtë formë”, kishte thënë Challandesi.

FFK-ja e Challandesi nuk janë deklaruar konkretisht se si do të kompensohen pagesat e tetë muajve, për sa kohë kishte ai kontratë.

Paga mujore që Challandesi kishte te Kosova, sipas burimeve të KOHËS, ka qenë afër 30 mijë euro neto.

Sipas kontratës, Federata e Futbollit e Kosovës do të duhej ta paguante Challendesin edhe për tetë muaj, pra deri në qershor të këtij viti.

Në total i bie që FFK-ja do të duhej t’ia paguante zviceranit edhe rreth 240 mijë euro.

Challandesi e drejtoi Kosovën nga 2 marsi i vitit 2018 deri më 13 tetor 2021. Në 37 ndeshje zyrtare nën drejtimin e tij, Kosova arriti 16 fitore, tri barazime dhe pësoi 13 humbje.

KOHA ka provuar të marrë një prononcim nga Bernard Challandesi, por ai nuk e ka hapur telefonin.

Kontratën e dytë me FFK-në Challandesi e kishte nënshkruar në gusht të vitit 2020, në prag të ndeshjes vendimtare kundër Maqedonisë së Veriut.

KOHA ka dërguar pyetje edhe në Federatën e Futbollit të Kosovës. FFK-ja është pyetur se sa është shuma që shtëpia e futbollit kosovar duhet të paguajë për shkarkimin e Bernard Challandesit. Por FFK-ja nuk është përgjigjur.

Komiteti Ekzekutiv i FFK-së ka shkarkuar të mërkurën edhe përzgjedhësin e Kosovës U21, gjermanin Michael Nees së bashku me stafin e tij.

KOHA merr vesh se paga e Neesit ka qenë 5 mijë euro neto, në muaj. Për pesë muajt e mbetur në kontratë, Federata e Futbollit e Kosovës duhet të bartë 25 mijë euro në xhirollogarinë e trajnerit gjerman si dhe më shumë se 10 mijë për stafin e trajnerëve, Alan Clark, Bekim Isufi e Naser Prapashtica.

Nees ka mbetur i befasuar me vendimin e Komitetit Ekzekutiv.

“Jam i befasuar me këtë njoftim të uebfaqes së FFK-së. Ende kam kontratë valide me FFK-në dhe të gjithë në FFK kanë qenë të lumtur kur e mposhtëm Shqipërinë në ndeshjen tonë të fundit me grupmoshën U21. Nuk kam dëgjuar asgjë zyrtare nga udhëheqësit e FFK-së në lidhje me këtë njoftim në uebsajt. Askush nuk më ka kontaktuar për këtë çështje nga udhëheqësit e FFK-së dhe nuk veproj mbi bazën e gjërave që fliten. Prandaj nuk mund të jap ndonjë koment tjetër. Ende kam kontratë valide si përzgjedhës i Përfaqësueses së Kosovës U21 dhe si drejtor teknik i FFK-së. Për momentin nuk mund të jap më shumë komente”, tha Nees të mërkurën për KOHËN.

Deklarata e tij e përjashton mundësinë që të ketë momentalisht ndonjë marrëveshje për falje të borxhit.

Nees në postin e të parit të Kosovës U21 erdhi në fund të janarit të vitit të kaluar, pas katër vjetëve në pozitën e drejtorit teknik në Federatën e Futbollit të Kosovës. E zëvendësoi në postin e përzgjedhësit Rafet Prekazin.

Të mërkurën Komiteti Ekzekutiv i FFK-së nuk ia ka vazhduar kontratën përzgjedhëses së Kosovës në konkurrencën e femrave, Afërdita Fazlija. Kontratat nuk u janë vazhduar as anëtarëve të stafit të Fazlijajt.