Sport

Kosova U21 synon befasinë ndaj Anglisë

Optimizmi mbretëron te Përfaqësuesja U21 e Kosovës në futboll. Motivimi shihej të dielën te futbollistët, në prag të duelit me Anglinë favorite.

Shpresat e Kosovës do të luajnë me Anglinë të martën prej orës 20:00. Kjo ndeshje i takon kualifikimeve për Evropianin 2023 dhe luhet në Angli.

Të dielën në Hajvali “Dardanët” e rinj kanë mbajtur seancën e fundit stërvitore para udhëtimit për në Angli.

Atmosfera e mirë e krijuar brenda kampit synohet të përdoret për takimin e së martës mbrëma.

Përzgjedhësi, Michael Nees, beson se ekipi ka arritur të përgatitet maksimalisht para përballjes me “Tre luanët”.

“Deri më tani gjithçka ka shkuar në mënyrën më të mirë. Nuk kemi pasur lëndime, gjë e cila është shumë pozitive. Kemi nisur tash e disa ditë stërvitjet dhe fillimi ishte më shumë një rigjenerim, përpara se të përgatitemi për ndeshjen ndaj Anglisë. Disa lojtarë janë bashkuar me vonesë, megjithatë kanë punuar shumë mirë këto ditë. Kemi pasur edhe një ndeshje miqësore për të parë formën e lojtarëve”, ka theksuar gjermani Nees.

Trajneri i Kosovës i di cilësitë që i ka Anglia U21, por beson se lojtarët e tij kanë dëshirën dhe potencialin për të arritur rezultatin pozitiv në këtë përballje.

“Besoj që për ndeshjen e së martës ekipi do të jetë i gatshëm. Jemi përpjekur maksimalisht që të përgatisim ekipin në mënyrën më të mirë për këtë përballje. Sigurisht Anglia është një ekip shumë i fortë, por djelmoshat e mi janë të gatshëm për të bërë më të mirën në këtë takim dhe të ballafaqohemi me ta. Anglia ka një skuadër me lojtarë tejet të talentuar, nuk janë vetëm disa lojtarë por i gjithë grupi. Janë futbollistë të cilët po dëshmohen çdo ditë në Premier League duke shënuar gola apo duke asistuar. Jemi munduar t'i analizojmë mirë dhe të marrim informacione. Ata tani kanë një trajner të ri dhe është ndeshja e tyre e parë. Nuk kemi mundur shumë të analizojmë lojën e tyre pasi është ndeshja e parë, por mund të them se i dimë pikat e tyre të forta”, ka shtuar Nees.

Të entuziazmuar që janë bashkuar me Kosovën U21 janë futbollisti i Dritës, Ardit Tahiri, dhe mesfushori i skuadrës së të rinjve të Genoas, Erion Sadiku.

Të dy lojtarët janë shprehur të lumtur me mikpritjen dhe atmosferën e krijuar në kampin e Përfaqësueses U21.

“E dimë që Anglia ka një skuadër shumë të mirë, me potencial të jashtëzakonshëm. Lojtarët e Anglisë luajnë në ligat më të mira të Evropës. Ne besojmë në kualitetet të cilat i kemi dhe mund të marrim rezultat pozitiv pavarësisht kundërshtarit me të cilin do të ballafaqohemi. Deri më tani gjithçka ka shkuar në mënyrën më të mirë dhe besoj se jemi të gatshëm për këtë takim”, ka deklaruar Tahiri për KOHËN.

“Tash e disa ditë kemi nisur përgatitjet për ndeshjen ndaj Anglisë. Jemi disa lojtarë të rinj, atmosfera është shumë e mirë. Ne që jemi më të rinj në grupin jemi pritur në mënyrën më të mirë nga bashkëlojtarët që janë këtu. Jemi ndier shumë mirë në grumbullim pasi të gjithë lojtarët së bashku me stafin na kanë pritur ngrohtë. Për çdo gjë jemi ndihmuar dhe për ne ishte edhe më i lehtë ambientimi këtu. Atmosfera para takimit është shumë e mirë, shpresojmë në rezultat pozitiv”, potencoi Sadiku.

Optimistë para këtij takimi janë shprehur edhe dy futbollistët, Valon Zumberi dhe Florent Hoti. Të dy besojnë se Kosova ka potencialin për ta befasuar Anglinë në ndeshjen e së martës.

“Kemi formuar një grup prej lojtarëve shumë të mirë dhe besoj se do të shkojë gjithçka siç është më së miri. Ndeshja ndaj Anglisë e dimë se nuk do të jetë e lehtë pasi kanë një ekip shumë të fortë, por edhe ne kemi një ekip me lojtarë kualitativë. Besoj se do të arrijmë të marrim një rezultat pozitiv nëse japim maksimumin në këtë takim” , ka theksuar Zumberi.

“Shumë mirë janë duke shkuar përgatitjet. Kemi thuajse një javë që jemi duke stërvitur maksimalisht për të qenë sa më të gatshëm për takimin ndaj Anglisë. Atmosfera është jashtëzakonisht e mirë. Jemi duke u kuptuar mjaftë mirë me njëri-tjetrin, gjë e cila është tejet pozitive. Besoj që jemi një skuadër shumë e mirë dhe shpresoj që do të arrijmë të marrim rezultat pozitiv në ballafaqimin me Anglinë”, u shpreh Hoti.

Kosova është në grupin G, me tri pikë pas një ndeshjeje të zhvilluar. Për Anglinë U21 ky do të jetë takimi i parë në fazën kualifikuese për Kampionatin Evropian 2023. Kosova U21 ka fituar ndaj Andorrës në qershor. Rezultati ishte 2:0, por fitorja u arrit me shumë mund.