Kosova U18 ka fituar ndaj Bullgarisë së kësaj grupmoshe dhe ka avancuar në gjysmëfinale të Kampionatit “IHF Trophy” për zonën evropiane për hendbollistët e rinj.
“Dardanët” e grupmoshës U18 të mërkurën në “Pallatin e Rinisë dhe Sportit” në Prishtinë, fituan përballë bullgarëve me rezultatin 35:33.
Ndeshja ishte dramatike dhe u vendos fare në fund.
Portieri Olt Kabashi priti penallti në minutën e 59-të dhe dy pritje të tjera i pati në minutën e fundit të ndeshjes.
Ishte meritor që Kosova arriti fitoren dhe avancimin në gjysmëfinale nga vendi i parë në Grupin B.
Në ndeshjen e parë, Kosova U18 fitoi ndaj Moldavisë.
Hendbollisti Olsi Mulaj pati më së shumti gola të realizuar, 12 gjithsej.
Nga gjashtë gola i shënuan Amar Muqolli dhe Granit Kadiri.
Kabashi, Mulaj e Muqolli janë hendbollistë të Besa Famgasit, kurse Kadiri aktivizohet te kampioni në fuqi, Rahoveci.
Kosova U18 në Grupin B ka katër pikë nga dy ndeshje, ndërsa Bullgaria e Moldavia janë pa pikë, pas një ndeshjeje të zhvilluar.
Moldavia dhe Bullgaria luajnë të enjten nga ora 17:00.
Gjysmëfinalistin, Kosova U18 e mëson të enjten pasi të përfundojnë ndeshjet e Grupit A.
Do të luajë kundër përfaqësueses që përfundon në vendin e dytë në atë grup.
Gjeorgjia U18 dhe Britania e Madhe U18 pas dy ndeshjeve kanë nga katër pikë, kurse Qiproja dhe Shqipëria janë pa pikë.
Ndeshja Gjeorgjia – Britania e Madhe për këtë grupmoshë, luhet të enjten nga ora 13:00, kurse Qipro – Shqipëria luhet nga ora 11:00.
Këto janë ndeshje kualifikuese për Kampionat Botëror.
Fituesi avancon në fazën ndërkontinentale të “IHF Trophy”.
Përfaqësuesja e cila e fiton këtë fazë kualifikuese, do të jetë pjesë e Kampionatit Botëror.