Hendbollistet e Përfaqësueses U18 të Kosovës e kanë nisur me fitore garën IHF Trophy Intercontinental, duke mposhtur Uzbekistanin. Gara është kualifikuese për Kampionatin Botëror, ndërsa me fitore, të enjten, Kosova ka bërë një hap të madh drejt kualifikimit në Kampionatin Botëror për të reja, që prej 14 deri më 25 gusht mbahet në Kinë.
Kosova, të enjten, në Tashkent të Uzbekistanit fitoi me rezultat 27:21. Pjesën e parë “Dardanet” e reja e fituan me rezultat 13:8, ndërsa në pjesën e dytë Kosova U18
shkoi mbi dhjetë gola.
“Në minutat e fundit vendaset rritën presionin dhe bënë që rezultati të afrohet në 27:21, por pa u rrezikuar fitorja jonë”, shkruan Federata e Hendbollit e Kosovës, të enjten.
Kryetrajneri i Kosovës U18, Mitat Ferati, ka thënë se fitorja e arritur të enjten ka vlerë të madhe.
“Kjo fitore ka vlerë të madhe, jo vetëm për vajzat, por për të gjithë familjen e hendbollit të Kosovës. Presim rezultate pozitive edhe nga ndeshjet e ardhshme, pasi kemi ardhur këtu për të fituar të gjitha ndeshjet. Kemi punuar shumë për këtë garë, vajzat kanë kualitet të lartë, por presim që të mos i përsërisim gabimet që i kemi bërë në ndeshjen ndaj Uzbekistanit. Presim të përmirësohemi në fazën e sulmit, pasi mbrojtja ka qenë në nivelin e duhur, sidomos në pjesën e parë, ku për 30 minuta pësuam vetëm tetë gola. Por, ajo që pres në ndeshjet e ardhshme është përmirësimi i efikasitetit në sulm”, ka thënë Ferati për KOHËN, të enjten.
Sara Gjergjaj u shpall lojtarja më e mirë e ndeshjes. Ajo i realizoi katër gola. Diona Dresh i kishte gjashtë gola, ndërsa Arona Krasniqi pesë. Arjeta Imeraj e Andra Uglani, po ashtu i kishin nga katër gola. Kontribut në fitoren e rëndësishme dhanë të gjitha lojtaret.
Prej gjashtë përfaqësueseve pjesëmarrëse, dy kualifikohen në Botëror. Kualifikohen dy finalistët. Në mesin e tyre shpreson të jetë edhe Kosova U18.
Kosova U18 e përfaqëson Evropën në garën IHF Trophy Intercontinental. Rrjedhimisht vlerësohet favorite.
Pjesë e Grupit B së bashku me Kosovën U18 dhe Uzbekistanin është edhe Guatemala.
Ndaj Guatemalës, Kosova luan të premten. Uzbekistani të mërkurën e mposhti Guatemalën me rezultatin 36:19.
Të shtunën janë gjysmëfinalet, ndërsa të dielën finalja. Kombëtarja jonë synon vendin e parë dhe kualifikimin historik në Botëror.