Përfaqësuesja U17 e Kosovës në futboll është nisur të martën drejt Austrisë. “Dardanët” e rinj do të marrin pjesë në kualifikimet për Kampionatin Evropian që do të mbahet vitin e ardhshëm në Izrael. Ndeshjet kualifikuese do të zhvillohen prej së mërkurës e deri më 12 tetor.
Kosova bën pjesë në grupin e nëntë të raundit kualifikues së bashku me Austrinë, Slloveninë dhe Ishujt Faroe.
Përzgjedhësi i Kosovës U17, Arsim Abazi, ka thënë se janë përgatitur maksimalisht për të arritur rezultate pozitive.
“Atmosfera në ekip është shumë e mirë. Edhe pse kemi pasur vetëm dy stërvitje me këtë përbërje të lojtarëve, jemi munduar të nxjerrim më të mirën dhe ta përgatisim ekipin për ndeshjen e parë kundër Austrisë. Gjithsesi qëllimi ynë është që të mos i humbim ndeshjet, ngase dy të palët e grupit kualifikohen tutje”, është shprehur Abazi.
Ai ka treguar se disa lojtarë që ka planifikuar t’i ketë në ekip, nuk kanë mundur të grumbullohen shkaku i dokumentacionit.
“Kemi një fond të mirë të lojtarëve, edhe pse disa lojtarë që kemi planifikuar t’i kemi për këto kualifikime, ka qenë e pamundur t’i grumbullojmë për shkak të mungesës së dokumentacionit. Sidoqoftë, udhëtojmë me optimizëm dhe shpresoj që edhe fatin ta kemi në anën tonë”, ka theksuar Abazi.
I pari i shtabit teknik të “Dardanëve” e pranon se Austria dhe Sllovenia kanë traditë në futboll. Abazi i sheh kundërshtare të vështira.
“Dihet që Austria dhe Sllovenia janë ekipe me traditë në futbollin evropian, por ne i kemi analizuar disa ndeshje të tyre dhe do të bëjmë çmos që të kemi paraqitje sa më dinjitetoze”.
Arsim Abazi e zëvendësoi në postin e trajnerit te Kosova U17, Besnik Kollarin, të cilit Federata e Futbollit e Kosovës nuk ia vazhdoi kontratën.
Ndeshjen e parë Kosova e luan kundër nikoqires, Austrisë, të mërkurën prej orës 18:30 në Traiskirchen. Ky do të jetë dueli debutues për përzgjedhësin Arsim Abazi në ndeshjet zyrtare kualifikuese. Më 9 tetor prej orës 11:00, “Dardanët” e rinj përballen me Slloveninë në Lindabrunnn, kurse ndeshjen e fundit në kuadër të grupit të nëntë, e luajnë ndaj Ishujve Farore, më 12 tetor prej orës 15:30.
Dy përfaqësueset e para në grup avancojnë në raundin elitë, njëjtë si katër përfaqësueset më të mira të vendit të tretë. Janë gjithsej 13 raunde në raundin kualifikues.
Përfaqësuesja U17 suksesin më të madh e kishte arritur në vitin 2018. Ishte kualifikuar në raundin elitë.
Në tri ndeshjet e fundit miqësore, përfaqësuesja nuk ka arritur fitore. Ka barazuar me Bullgarinë në dy ndeshje dhe ka pësuar humbje nga Shqipëria 2:0.
Kosova U17 mori pjesë për herë të parë në kualifikime në tetor të vitit 2017. U rendit në vendin e fundit në grupin e nëntë kualifikues, duke pësuar tri disfata. Humbi nga Holanda (3:1), Uellsi (2:0) dhe Hungaria (3:1).
Në vitin 2018, Kosova U17 e kaloi me sukses grupin e pestë në raundin kualifikues. Kishte humbur nga Skocia në ndeshjen e parë, 2:1, por ia doli t’i mposht Zvicrën, 1:0, dhe Qipron (1:0), për të kaluar tutje. Në raundin elitë 17-vjeçarët i humbën të tri ndeshjet. Pësuan nga Spanja (1:0), Greqia (2:0) dhe Ukraina (1:0).
“Dardanët” u paraqitën edhe në kualifikimet e Evropianit të vitit 2020. U renditen në vendin e fundit në grupin e 12-të kualifikues me vetëm një pikë. Barazuan me Holandën (1:1) dhe pësuan humbje nga Sllovenia (2:0) dhe Uellsi (4:1). Shkaku i pandemisë, kualifikimet për Kampionatin Evropian të vitit 2021, nuk ishin mbajtur.