Sport

Kosova synon vendin e parë në grupin e vështirë të Ligës së Kombeve

Grupi 2 i Ligës C të Ligës së Kombeve të UEFA-s është “vendi” ku Kosova kërkon suksesin e ardhshëm. Shorti për edicionin e tretë të Ligës së Kombeve të UEFA-s është tërhequr të enjten mbrëma.

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll, njëjtë si në edicionin e dytë, paraqitet në Ligën C, që i bie të jetë niveli i tretë i kësaj gare evropiane. Kosova në short ishte në vazon e tretë dhe kjo nënkupton që të paktën në letër i ka dy përfaqësuese më të mëdha.

Grupi i Kosovës vlerësohet i vështirë. Por “Dardanët” e kërkojnë suksesin. Irlanda e Veriut është përfaqësuesja favorite e grupit. Ishte në vazon e parë në short. Pas saj vjen Greqia, pas Greqisë Kosova dhe në fund Qiproja apo Estonia.

Kosova, si përfaqësueset e tjera evropiane, katër ndeshje i luan në qershor të vitit të ardhshëm e dy në shtator. Me gjashtë ndeshje përfundon kampanja në edicionin 2022-2023 të Ligës së Kombeve. Nëse përfundon e para, Kosova në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kombeve do të garonte në Ligën B, pra në nivelin e dytë. Nëse mbetet e fundit, rrezikon të bjerë në Ligën D, pra në nivelin e fundit, të katërt.

Shpresat për sukses

Kosova nuk ka pasur rezultate të mira gjatë vitit 2021. Ka mbetur e fundit në grupin kualifikues për Botërorin 2022, pas Spanjës, Suedisë, Greqisë e Gjeorgjisë. Në Ligën C të Ligës së Kombeve nuk ka përfaqësuese të nivelit të Spanjës e Suedisë. Por ka përfaqësuese të nivelit të Greqisë, me të cilën përballet Kosova, apo përfaqësuese si Irlanda e Veriut, që vlerësohet më e fortë se Greqia.

Te Kosova vlerësojnë se një grup me Irlandën e Veriut dhe Greqinë është i përballueshëm.

“Mund të them se është një grup shumë interesant. Nuk është i lehtë, por edhe ne jemi në këtë nivel dhe duhet të bëjmë gjithçka për të arritur objektivin, e ai është vendi i parë në grup. Greqia e Irlanda e Veriut nuk janë ekipe të lehta, por me Greqinë jemi takuar katër herë dhe nuk është se ka treguar diçka më shumë se ne. Kështu që kjo na bën të besojmë se mund të dalim të parët në grup pasi e njohim mirë”, ka thënë për KOHËN drejtori i Përfaqësueses së Kosovës, Muharrem Sahiti.

“Grupi është i pranueshëm, ndonëse kishim pasur dëshirë ta kemi një grup sikur të Maqedonisë së Veriut. Kemi evituar Turqinë dhe Sllovakinë që janë të forta. Ky është shorti, i pranueshëm për ne dhe tani duhet të përgatitemi për këta kundërshtarë që i kemi. Tash gjithçka varet prej nesh dhe besoj se vitin tjetër do të jemi shumë më të mirë sesa në këtë vit”, ka shtuar Sahiti.

Maqedonia e Veriut është në grupin C4 së bashku me Bullgarinë, Gjeorgjinë e Gjibraltarin.

Prania e Irlandës së Veriut dhe e Greqisë e bën grupin e Kosovës më të vështirin në Ligën C.

Me Greqinë, “Dardanët” janë takuar katër herë në dy vjetët e fundit. Madje në këtë periudhë ishte kundërshtarja më e shpeshtë. Fillimisht më 6 shtator të vitit të kaluar në Prishtinë, Greqia fitoi 2:1 në kuadër të Ligës C të Ligës së Kombeve. Ishte edicioni i dytë i kësaj gare. Më 14 tetor të vitit të kaluar Greqia e Kosova luajtën pa gola në Athinë.

Fitues nuk kanë dhënë as dy ndeshjet e këtij viti, që u takuan eliminatoreve për Botërorin 2022. Më 5 shtator në Prishtinë, Kosova e Greqia luajtën 1:1. Me rezultat të njëjtë përfundoi edhe ndeshja në Athinë, e luajtur më 14 nëntor. Pra, Greqia është rivalja e fundit me të cilën është përballur Kosova.

Synimi i Greqisë

Edhe te Greqia e synojnë vendin e parë në grup.

“Synimi i Greqisë në këtë grup është pozita e parë. Është një grup i veçantë për nga kapaciteti. Kjo justifikohet me praninë e Irlandës së Veriut dhe Kosovës, e cila është kundërshtare e njohur në vitet e fundit për ne. Por edhe të Qipros, nëse do të mbetet në C, apo Estonisë. Sigurisht që ne shikojmë skuadrën tonë dhe atë se çka duhet të bëjmë për ta fituar vendin e parë. Të gjithë rivalët kanë të veçantat, por grupi që përcaktoi shorti është i tillë që objektivi ynë i qartë është vendi i parë”, ka thënë Costas Konstantinidis, drejtor teknik i Përfaqësueses greke.

Një tjetër drejtues i Përfaqësueses greke, Takis Fyssas, ka thënë se në grup nuk është asnjë përfaqësuese e dobët dhe se grupi është i hapur.

Ashtu si Kosova, edhe Greqia aktualisht është pa përzgjedhës. Greqia ishte thuajse deri në fund në garë për të siguruar plejofin për kualifikim në Botërorin 2022. Por mbeti e treta në grupin ku Kosova ishte e fundit.

Ndërkohë kundërshtari i tretë i Kosovës në C2 nuk është përcaktuar ende. Për këtë duhet të pritet deri më 29 mars të vitit të ardhshëm. Qipro e Estonia janë në garë për të mbetur në Ligën C, përkatësisht në grupin e dytë.

Qipro e Estonia do të luajnë dy ndeshje të plejautit për të përcaktuar se cila prej tyre do të vazhdojë në Ligën C e cila do të bie në Ligën D, që është niveli i fundit.

Qipro në edicionin e kaluar ishte e fundit në grup në Ligën C. E fundit në grup ishte edhe Estonia.

Kështu ato përballen mes vete për të shmangur rënien. Ndeshja e parë luhet në Tallin të Estonisë më 24 mars, ndërsa e kthimit në Larnaca më 29 mars. Në Ligën C janë katër grupe dhe në Ligën D vetëm dy. Për këtë luhet plejauti për të përcaktuar se kush bie. Pra, katër të fundit luajnë mes vete në dy çifte dhe dy humbësit zhvendosen në D.

Forca e Irlandës së Veriut

Me Irlandën e Veriut, Kosova do të përballet për herë të parë. Irlanda V. llogaritet favorite e grupit.

Irlanda e Veriut ndeshjen e fundit e kishte luajtur me Italinë, kampionen evropiane nga ky vit. Italinë e kishte ndalur në barazim pa gola, më 15 nëntor në Belfast. Ai barazim e la Italinë pa biletë për në Botëror. Italia tani kualifikimin në Botëror e kërkon nëpërmjet plejofit, ku fillimisht luan me Maqedoninë e Veriut.

Në kualifikimet për Botërorin 2022, Irlanda e Veriut ishte e treta në grupin e fortë, ku bënin pjesë edhe Zvicra, Italia, Bullgaria e Lituania. Grupin e fitoi Zvicra.

“Do të jenë ndeshje sfiduese dhe ka skuadra me veçori të ndryshme. Kemi kujtime të mira nga ndeshja e fundit me Greqinë. Në anën tjetër, luajmë kundër Kosovës, që do të jetë hera e parë për ne. Për djemtë do të jenë teste të mira dhe e di se të gjithë së bashku do ta shijojmë detyrën që na pret”, ka thënë selektori i Irlandës së Veriut, Ian Baraclough.

Kosova ka përvojë të mirë nga Liga e Kombeve. Në edicionin e parë kishte fituar grupin në Ligën D dhe kështu pos gradimit në C, kishte zënë vend edhe në plejofin për kualifikim në Euro 2020. Por në gjysmëfinale të plejofit kishte pësuar nga Maqedonia e Veriut. Vlera e edicionit të parë të Ligës së Kombeve ishte dukshëm më e madhe. Jepte rrugë të dytë për kualifikim në Evropian. Një mundësi të tillë nuk e ofron edicioni i ardhshëm i Ligës së Kombeve. UEFA nuk ka njoftuar që Liga e Kombeve të ketë lidhshmëri me kualifikimet për Euro 2024. Do të garohet për gradim në Ligën B e po ashtu për fondin financiar që e ofron UEFA.

Edicioni i dytë i Ligës së Kombeve ofroi dy vende për plejofin për kualifikim në Botërorin 2022. Kosova mbeti e treta në grupin 3C, prapa Sllovenisë dhe Greqisë. Më poshtë e la vetëm Moldavinë.