Sport

Kosova synon t’i përfundojë me paraqitje të mira kualifikimet për Botërorin 2023

Përfaqësuesja e Kosovës në konkurrencën e femrave në futboll do t’i ketë edhe katër teste deri në mbyllje të kampanjës kualifikuese të Kampionatit Botëror të vitit 2023.

Kosova në muajin prill do t’i ketë dy ndeshje, ndërsa dy të fundit do t’i luajë në muajin shtator.

Më 7 prill do të luajë ndaj Norvegjisë, një prej përfaqësueseve më të forta në grup. Pesë ditë më vonë, përballë do ta ketë Belgjikën, një tjetër përfaqësuese shumë të fortë. Pra, do të luajë kundër vendit të parë të Grupit F fillimisht, e më pas ndaj vendit të dytë. Kundër Belgjikës, “dardanet” ishin mposhtur thellë 7:0 vitin e kaluar.

Kosova aktualisht është në pozitën e pestë me katër pikë të grumbulluara në gjashtë ndeshje, tri pikë më pak se Shqipëria. Polonia është e treta me 11 pikë. E fundit në grup është Armenia.

Për Kosovën në konkurrencën e femrave do të jenë ndeshjet e para të vitit 2022. Dhe, në krye të skuadrës do të jetë suedezja Karin Anneli Andersen, e cila u zyrtarizua ditë më parë si përzgjedhëse e re, bashkë me stafin e saj. Ajo në këtë post e zëvendëson Afërdita Fazlijajn. Fazlijajt nuk iu vazhdua bashkëpunimi në fillim të këtij viti.

Përzgjedhësja suedeze, Andersen, e ka publikuar listën e 24 lojtareve të ftuara për këto dy ndeshje të muajit prill.

Në sajtin zyrtar të Federatës së Futbollit të Kosovës thuhet se skuadra do të udhëtojë drejt Norvegjisë pas disa ditësh.

“Ekspedita e Kombëtares së Kosovës udhëton të hënën në Sandefjord, ku do t’i zhvillojë disa stërvitje para përballjes me Norvegjinë”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e FFK-së.

Edona Kryeziu është njëra prej lojtareve më me përvojë te Kosova. Ajo ka qenë kapitene për një kohë të gjatë dhe e di mirë rëndësinë e këtyre ndeshjeve.

Sipas saj e rëndësishme është që të vazhdohet me dhënien e maksimumit nga të gjitha lojtaret.

“Është hera e parë që do të punojmë me një trajnere nga jashtë, do të mundohemi sa më shumë të përshtatemi me punën dhe rregullat që sjell çdo staf i trajnerëve, nuk e kemi takuar ende të njoftohemi, do të takohemi të hënën atëherë edhe kur fillon grumbullimi”, deklaroi Kryeziu.

Kapitenia e “Dardanëve” shpreson që grupi lojtarëve të komponohet sa më mirë për të ardhur te rezultatet pozitive. “Këto dy kombëtare i njohim mjaft mirë , sepse kemi luajtur edhe me parë, e dimë kapacitetin e tyre dhe janë favoritet e grupit, do të jenë mjaft lojë të vështira, por në do të mundohemi të komponohemi sa me mirë me grupin dhe asnjëherë nuk do të dorëzohemi, fusha do të flasë.

Kemi pasur një grup mjaft të vështirë dhe kemi hasur në disa vështirësi, jemi munduar të jap maksimumin secila vajzë, por do te luftojmë deri në fund të ngjitemi sa më lart në grup dhe të paraqitemi sa më mirë”.

Lista e futbollisteve të Kosovës:

Florentina Kolgeci, Lavdije Behramaj, Ilfete Kryeziu, Liridonë Syla, Agnesa Gashi, Fatlinda Rama, Viola Avduli, Drita Çelaj, Edona Kastrati, Besarta Hisenaj, Verona Berisha, Donjeta Halilaj, Marigonë Tahiri, Blerta Smaili, Valentina Limani, Blerta Shala, Leonora Ejupi, Erleta Memeti, Agnesa Rexhepi, Kaltrina Biçkaj, Fleta Musaj, Edona Kryeziu, Elizabeta Ejupi, Gentiana Fetaj