Trajneri më i mirë në botë për xhudo, Driton Kuka pret medalje nga nxënësit e tij në Lojërat Mesdhetare që mbahen në Oran të Algjerisë, shtet që nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Por Kuka shpreson që nga Algjeria, Kosova të kthehet me medalje të fituara edhe nga sportet e tjera. Shpresë se Kosova do të fitojë medalje edhe në sportet e tjera kanë edhe kampionia olimpike, Distria Krasniqi, kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Ismet Krasniqi, dhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.
Ekipi që do ta përfaqësojë Kosovën në Lojërat Mesdhetare është prezantuar të hënën në Prishtinë. Përbëhet nga 39 sportistë që do të garojnë në 13 sporte të ndryshme. Lojërat Mesdhetare që mbahen në Algjeri nisin më 25 qershor dhe përfundojnë më 6 korrik. Trajneri Kuka ka thënë se Algjeria do ta njohë Kosovën me vlerat e saj, sportistët më të mirë të vendit.
“Po besoj se tash jemi në pozitë më të mirë se në Tarragona, pasi tashmë shumica e sportistëve janë pretendentë për medalje. Dhe, kjo është kënaqësi. Shpresoj se do të na bashkëngjitet edhe në sportet tjera për medalje në këtë ngjarje. Jam i bindur se Algjeria do ta njohë Kosovën ashtu siç duhet, me vlerat e saj më të mëdha, me sportistët më të mirë të vendit”, ka thënë Kuka.
Nën drejtimin e trajnerit Kuka, Kosova ka fituar tri medalje të arta olimpike me Majlinda Kelmendin, Nora Gjakovën dhe Distria Krasniqin. Sporti i xhudos do të përfaqësohet me më së shumti garues në këtë ngjarje, gjithsej tetë. Përveç Krasniqit, në Lojërat Mesdhetare nga xhudoja do të marrin pjesë edhe Akil Gjakova, Loriana Kuka, Laura Fazliu, Erza Muminoviq, Flaka Loxha, Arbër Kullashi e Shpati Zekaj. Mungon Nora Gjakova shkaku i lëndimit. Prijëse e ekipit kosovar është xhudistja Krasniqi, ndërsa karateistja Fortesa Orana dhe mundësi Egzon Shala do ta bartin flamurin e Kosovës në ceremoninë hapëse. Xhudistja Krasniqi, që garon në kategorinë deri 52 kilogramë, pret sërish të fitojë medalje në Lojërat Mesdhetare. Të artën në lojërat e kaluara mesdhetare “Tarragona 2018” e kishin fituar edhe Nora Gjakova e Akil Gjakova, ndërsa të argjendtën Loriana Kuka. Xhudo ishte sporti i vetëm që fitoi medalje në këtë ngjarje, në të cilën pati debutuar Kosova. Para katër vjetësh, Kosova ishte diskriminuar. Pasi nisi ngjarja shumësportëshe, flamuri i Kosovës ishte larguar nga sajti zyrtar i “Tarragona 2018”. Në ceremonitë e medaljeve për Norën e Distrinë ishte shfaqur flamuri i Kosovës, por jo edhe për Akilin e Lorianën. Ai ishte zëvendësuar me flamurin e Komitetit Olimpik të Kosovës.
Por sportistët kosovarë synojnë të tjera suksese në një shtet tjetër që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Këtë e thotë edhe Krasniqi, e cila foli në emër të ekipit të Kosovës.
“Është gjithmonë kënaqësi të marr pjesë në gara të tilla me sportistët e tjerë të Kosovës. Është hera e dytë që e marr në këtë ngjarje. Herën e parë kemi pasur paraqitje të mira dhe jemi kthyer me katër medalje. Këtë vit shpresoj të kthehemi me medalje jo vetëm nga xhudoja, por edhe sportet e tjera”, ka thënë Krasniqi.
Më kërkues se Kuka dhe Krasniqi ishte kryetari i KOK-ut, Ismet Krasniqi. Ai tha se pret medalje nga të gjitha sportet në Lojërat Mesdhetare. Megjithatë, në disa sporte pjesëmarrja do të jetë simbolike. E në disa sporte synohen medalje. Natyrisht, pritjet më të mëdha janë nga xhudistët. Në krye të tyre do të jetë Distria Krasniqi, kampionia olimpike nga “Tokio 2020”. Pos prej Distrisë, medalje priten edhe nga Akil Gjakova, Loriana Kuka e Laura Fazliu. Medaljet synojnë t’i rrëmbejnë edhe Flaka Loxha e Erza Muminoviq. Por së fundi edhe karate ka pasur suksese me Elhami Shabanin, që fitoi medaljen e bronztë në Evropianin e mbajtur në Gaziantep të Turqisë.
“Është kënaqësi e veçantë të jem para jush në një tjetër moment të veçantë, siç është pjesëmarrja në Oran. Kosova do të përfaqësohet për herë të dytë në këtë ngjarje, ku para katër vjetësh Kosova fitoi katër medalje. Ashtu si Spanja që nuk e njeh vendin tonë ashtu edhe Algjeria. Ekipi i Kosovës i prirë nga Distira Kransiqi do të bëjnë ta njohin shtetin tonë jo vetëm një herë, por shumë herë. Presim medalje nga të gjitha sportet dhe besojmë se këta sportistë do ta përfaqësojnë Kosovën në mënyrën më të mirë të mundshme. Jepeni maksimumin, bëjeni Kosovën të mburreni me ju. Lojërat Mesdhetare dallojnë shumë për Lojërat Olimpike, por Orani është një rast i mirë për ju që ta dëshmoni veten që jeni gati për Olimpiadën e Parisit”, ka thënë Krasniqi.
Medalje prej sportistëve të Kosovës në Algjeri pret edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Kurti ndau një fanellë të kaltër për xhudisten Krasniqi dhe një ngjyrë të bardhë për mundësin Shala.
“Jam i nderuar që jam bashkë me ju para nisjes për në Lojërat Mesdhetare dhe njëkohësisht t’ju uroj rrugë të mbarë dhe suksese. Përkushtimi juaj në punë dhe rezultat është mbresëlënës për të gjithë ne. Rezultatet e arritura në xhudo, karate, boks, atletikë nuk janë të rastësishme, por si rezultat i punës së palodhshme. Përmes performancës suaj ndaj rivalëve në fushë, në fund të fundit, është garë ndërmjet Kosovës dhe shtetit tjetër që ata e përfaqësojnë”, ka thënë Kurti, që insistoi se prezantimi i fanellës së Kosovës është sa krenari, aq edhe përgjegjësi. “Aq sa është krenari, është edhe përgjegjësi. Këtë përgjegjësi të madhe ju e dini më së miri ta kanalizoni në forcë sportive që të arrini kulminacionin e karrierës suaj. Po marrim pjesë në 13 sporte të ndryshme dhe uroj që përveç xhudos që jam i sigurt që nuk do të na mungojnë, të arrijmë medalje edhe në sportet e tjera”.
Në Oran marrin pjesë 3.390 sportistë nga 26 shtete të Evropës, Afrikës dhe Azisë.
Kosovën e përfaqësojnë edhe 16 trajnerë e tre gjyqtarë. Kosova për herë të parë në Lojërat Mesdhetare u paraqit në Tarragona të Spanjës, në vitin 2018, ku garuan 40 sportistë të 12 sporteve të ndryshme. Në Tarragona, katër vjet më parë, sportistët më të suksesshëm ishin ata të Italisë me 156 medalje gjithsej, prej tyre 56 të arta. Spanja kishte 122 medalje, prej tyre 38 të arta. Ndërkohë Turqia me 31 të arta dhe 95 gjithsej ishte përfaqësuesja e tretë më e suksesshme. Me katër medalje, prej tyre tri të arta, Kosova ishte e 14-a në listë. Shqipëria e kishte fituar një të artë e një të argjendtë. Ndërkohë pa medalje kishin mbetur vetëm Andorra dhe Libia. Italia, Spanja, Turqia, Franca, Egjipti sërish pritet të jenë lart në listën e medaljeve.
Përbërja e Kosovës për lojërat mesdhetare “Oran 2022”
Xhudo: Distria Krasniqi (-52 kg), Akil Gjakova (-73 kg), Loriana Kuka (-78 kg), Laura Fazliu (-63 kg), Flaka Loxha (-57 kg), Erza Muminoviq (-48 kg), Arbër Kullashi (-81 kg), Shpati Zekaj (-100 kg) - Trajnerë: Driton Kuka dhe Majlinda Kelmendi.
Boks: Bashkim Bajoku (-52 kg), Shpëtim Bajoku (-63 kg), Patriot Behrami (-69 kg), Lorent Murati (-57 kg) - Trajnerë: Besim Brahimi dhe Faton Xhakli.
Mundje: Egzon Shala (-125 kg), Alban Sopa (-74 kg) - Trajner: Sylejman Shala
Karate: Elhami Shabani (-75 kg), Fortesa Orana (+68 kg), Melos Gashi (-84 kg), Albulenë Gërvalla (-55 kg), Adelina Rama (-61 kg) - Trajnerë: Ylber Syla dhe Nazmi Gashi.
Atletikë: Muhamet Ramadani (hedhje e gjylës), Astrit Kryeziu (800 m.), Gresa Bakraqi (3000 m.), Alaudin Suma (hedhje e diskut) - Trajnerë: Shaban Ramadani dhe Bajram Duja.
Not: Alush Telaku (flutur: 100m., 200m., 50m), Vanesa Beka (delf. 100m., miks 200m., s.l. 400m., miks 400m., delf. 50m., s l. 800m.) - Trajner: Kujtim Kito.
Shigjetari: Hazir Asllani (70m. ind), Edi Dvorani (70m. ind), Valmir Gllareva (70m. ind) - Trajner: Fehmi Bylykbashi.
Shenjëtari Sportive: Nexhat Sahiti (10 m. pistoletë ajrore), Drilon Ibrahimi (10 m. pushkë ajrore) - Trajner: Fehmi Berisha.
Taekwondo: Arbër Azemi (-68 kg), Arbër Bajra (-80 kg) - Trajner: Nuhi Gashi.
Tenis: Vesa Gjinaj, Vullnet Tashi - Trajner: Jeton Hadërgjonaj.
Pingpong: Fatih Karabaxhaku, Kreshnik Mahmuti - Trajner: Dardan Imami.
Gjimnastikë: Elvis Çitaku, Valëza Rama - Trajner: Abeliana Bregu.
Badminton: Rinor Gllareva - Trajner: Lulëzim Haziri
Gjyqtarë: Latif Demolli (boks), Fatmir Salihaj (xhudo), Besart Vitia (karate)