Sport

Kosova synon shumë medalje në ngjarjen ku u diskriminua para katër vjetësh

Lojërat e kaluara mesdhetare ishin tregim suksesi për Kosovën. Por edhe “tregim” diskriminimi. Falë xhudistëve, Kosova kishte fituar katër medalje në “Tarragona 2018”. Në këtë qytet të Spanjës, në verën e vitit 2018 medalje të arta kishin fituar Distria Krasniqi, Nora Gjakova e Akil Gjakova. Ndërsa Loriana Kuka kishte fituar medalje të argjendtë. Në Tarragona të Spanjës, Kosova ishte prezantuar me 40 sportistë në 12 sporte të ndryshme. Por në sportet e tjera nuk kishte fituar medalje.

Ngjarja që përfshin sportistë të vendeve me dalje në Detin Mesdhe, por edhe sportistë të vendeve gjeografikisht të afërta me Mesdheun, kishte edhe anën tjetër të medaljes sa i takon Kosovës.

Pasi nisi ngjarja shumësportëshe, flamuri i Kosovës ishte larguar nga sajti zyrtar i “Tarragona 2018”. Në ceremonitë e medaljeve për Norën e Distrinë ishte shfaqur flamuri i Kosovës, por jo edhe për Akilin e Lorianën. Ai ishte zëvendësuar me flamurin e Komitetit Olimpik të Kosovës. Kishte pasur edhe diskriminime të tjera sa i takon prezantimit të Kosovës. Shteti spanjoll, që vazhdon të mos e njohë Kosovën, kishte insistuar në prezantim jo të barabartë të Kosovës, ndërsa në një mënyrë ishin pajtuar edhe Komiteti Olimpik Ndërkombëtar dhe Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare.

Më vonë këtë muaj Kosova kthehet në Lojërat Mesdhetare. Do të përfaqësohet sërish me 40 sportistë në edicionin e 19-të të Lojërave Mesdhetare, që mbahen në Oran të Algjerisë. Algjeria është tjetër vend që nuk e njeh shtetin e Kosovës, por nuk pritet të ketë telashe për prezantimin e Kosovës si katër vjet më parë në Spanjë.

Tani Kosova do të përfaqësohet në 13 sporte të ndryshme. Në disa sporte pjesëmarrja do të jetë simbolike. E në disa sporte synohen medalje. Pra medalje priten vetëm nga xhudoja, por edhe nga disa sporte të tjera. Natyrisht pritjet më të mëdha janë nga xhudistët. Në krye të tyre do të jetë Distria Krasniqi, kampionia olimpike nga “Tokio 2020”. Kampionia tjetër olimpike në fuqi, Nora Gjakova, mungon për shkak të një lëndimi. Pos prej Distrisë, medalje priten edhe nga Akil Gjakova, Loriana Kuka e Laura Fazliu. Medaljet synojnë t’i rrëmbejnë edhe Flaka Loxha e Erza Muminoviq. Arbër Kullashi e Shpati Zekaj kompletojnë ekipin e madh të xhudos.

Shpresat janë që të fitohen medalje edhe në boks e karate. Sukseset e këtij viti rritin optimizmin. Boksierja Donjeta Sadiku javë më parë fitoi medaljen e bronztë në Botëror. Prej boksit, pos saj do të jenë edhe Bashkim Bajoku, Shpejtim Bajoku, Patriot Behrami e Lorent Murati.

Ndërkohë medalisti i bronztë evropian, Elhami Shabani, do të jetë në krye të karateistëve në Lojërat Mesdhetare. Fortesa Orana, Melos Gashi, Albulenë Gërvalla e Adelina Rama janë karateistët e tjerë.

Në Federatën e Mundjes presin shumë nga Egzon Shala, kurse Alban Sopa është mundësi tjetër. Ndërkohë shpresat e atletikës janë te hedhësi i gjyles, Muhamet Ramadani. Astrit Kryeziu, Gresa Bakraqi e Alaudin Suma kompletojnë ekipin e atletikës. Në not, shigjetari, shenjëtari sportive, taekwondo, tenis, pingpong, gjimnastikë e badminton gjasat për medalje janë më të vogla. Në fakt varet shumë nga konkurrenca që do të jetë në sportin përkatës.

Lojërat në Oran mbahen prej 25 qershorit deri më 6 korrik.

“Krahas xhudos, presim medalje edhe nga boksi, karateja, mundja dhe atletika. Kemi potencial të mirë për ta bërë këtë. Qëllimi ynë është të japim maksimumin dhe ekipi të kthehet me sa më shumë medalje”, ka thënë presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi.

KOK-u të martën ka publikuar listën e sportistëve pjesëmarrës. Nuk ka pasur ndonjë normë për kualifikim në këtë ngjarje shumësportëshe. Dhe rrjedhimisht numri i sportistëve është më i madh.

Në Oran garohet në 24 sporte të ndryshme. Marrin pjesë 3.434 sportistë nga 26 shtete të ndryshme.

Në Tarragona, katër vjet më parë, sportistët më të suksesshëm ishin ata të Italisë me 156 medalje gjithsej, prej tyre 56 të arta. Spanja kishte 122 medalje, prej tyre 38 të arta. Ndërkohë Turqia me 31 të arta dhe 95 gjithsej ishte përfaqësuesja e tretë më e suksesshme. Me katër medalje, prej tyre tri të arta, Kosova ishte e 14-a në listë. Shqipëria e kishte fituar një të artë e një të argjendtë. Ndërkohë pa medalje kishin mbetur vetëm Andorra dhe Libia.

Italia, Spanja, Turqia, Franca, Egjipti sërish pritet të jenë lart në listën e medaljeve.