Sport

Kosova synon kualifikimet e rregullta për “Euro 2026”

Hendbollistët e Përfaqësueses së Kosovës i kanë nisur përgatitjet për dy ndeshjet e raundit promovues të kualifikimeve për “Euro 2026”. Kosova për kundërshtar në këtë raund e ka Britaninë e Madhe, ndërsa synimi është kalimi në raundin e rregullt për Evropianin e vitit 2026. Përfaqësuesja më e mirë pas dy ndeshjeve avancon tutje.

Selektori i Kosovës, Bujar Qerimi, është i bindur se Kosovës do t’i takojë pjesëmarrja në raundin e rregullt kualifikues për “Euro 2026”.

“Synimi nuk duhet të bëhet as pyetje. Pyetje e juaja po, por e jona nuk duhet as të dyshohet në fitore. E dimë fuqinë e Britanisë së Madhe që është kombëtare në ndërtim e sipër. Në atë rrugë kemi kaluar ne. Mirëpo, nuk duhet të fillojmë javën duke besuar se do të jetë lehtë. Asnjë ndeshje nuk është e lehtë”, ka thënë Qerimi.

Kosova të enjten ka zhvilluar dy stërvitje. Të parën paradite, kurse të dytën pasdite. Të dyja stërvitjet i ka zhvilluar në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë.

Por para se Kosova t’i zhvillojë dy ndeshjet kualifikuese me Britaninë, “Dardanët” luajnë dy përballje miqësore me Emiratet e Bashkuara Arabe në Shkup. Miqësoren e parë, Kosova e luan të premten, kurse të dytën të shtunën. Qerimi insiston se dy miqësoret do të jenë test para dy ndeshjeve të rëndësishme ndaj Britanisë së Madhe.

“Nuk do të thosha për Arabinë sepse ata janë pjesëmarrës të rregullt në kampionate botërore. Por, Britania e Madhe, po, është nën nivelin tonë, mirëpo, përsëri dua ta ritheksoj se nuk duhet ta marrim si kundërshtar të lehtë. Çdo kombëtare ka filluar të luajë, të angazho[1]het, dhe duhet me çdo kusht që angazhimi jonë të jetë në nivel. Kështu që, rezultati duhet të jetë pozitiv për të shkuar në garat e mëtutjeshme”, është shprehur Qerimi.

Ndeshja e parë me Britaninë e Madhe është të mërkurën, më 10 janar, nga ora 20:30 në Pallatin e Rinisë në Prishtinë. Ndërsa ndeshja e dytë është më 13 janar në Derby nga ora 14:00.

Kosova nuk ishte e kompletuar në ditën e parë të grumbullimit. E kompletuar do të jetë në ditët në vijim. Në Përfaqësuesen e hendbollit janë kthyer Bujar Ramosaj, Festim Mustafa e Atdhe Basholli, ndërsa për herë të parë për ndeshje zyrtare konkurrojnë Dominik Palushi e Jon Vokshi.

Për shkak të lëndimeve në ndeshjet me Britaninë e Madhe mungojnë lojtarë të rëndësishëm si Egzon Gjuka, Lulzim Shabani e Shaban Zogaj. Ndërkohë Drilon Tahirukaj e Drenit Tahirukaj nuk i janë përgjigjur ftesës së selektorit Bujar Qerimi.

Por lojtarët që i janë përgjigjur pozitivisht ftesës së Qerimit thonë se do ta japin maksimumin për ta kaluar Britaninë e Madhe.

“Kalimi në fazën tjetër është syn[1]imi i vetëm i joni. Këtë herë nuk mundemi të dështojmë. Do të japim maksimumin që të shkojmë në fazën finale të kualifikimeve”, është shprehur Berisha.

Portieri insiston se synimi është veç fitorja në dyja ndeshjet ndaj Britanisë.

“Përgatitjet kanë filluar shumë mirë. Ka disponim shumë të mirë te lojtarët. Shpresoj që deri në fund të kampanjës të jetë kështu. Sa u përket ndeshjeve me Arabinë, shpresoj të jenë dy teste shumë të mira, të cilat do të na ndihmojnë për ndeshjet e ardhshme që do t'i kemi. Për Britaninë, kam për të shtuar se është një kombëtare në ngritje. Sa u përket rezultateve të fundit, nuk kanë mundur ta arrijnë një rezultat pozitiv. Por ne do të mundohemi të tregojmë kualitet, karakter, profesionalizëm në ekip, që pa marrë parasysh kundërshtarit që është, të tregojmë lojë shumë të mirë, të arrijmë fitore në shtëpi edhe pas tri ditësh në Britani”, ka theksuar Berisha.

Edhe Kushtrim Ninaj ka bindjen se Britania e Madhe është kundërshtare e kalueshme për Kosovën.

“Ndihemi shumë mirë, jemi duke ushtruar shumë mirë. Sigurisht se mundemi t'i fitojmë këto dy lojëra dhe të shkojmë në kualifikimet e rregullta. Për disa ditë vijnë edhe 2- 3 lojtarë e pastaj jemi të kompletuar dhe besoj se mundemi të fitojmë”, ka thënë Ninaj.

Për Ninajn është hera e dytë që grumbullohet me Kosovën. Ninaj ishte ndër më të dalluarit në ndeshjen e muajit nëntor ndaj Sllovakisë. Ninaj dhe kapiteni Valon Dedaj shënuan nga gjashtë gola secili.