Sport

Kosova shpreson t’i befasojë Malin e Zi dhe Slloveninë

Perfaqesuesja e Kosoves ne hendboll, meshkujt

Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll është duke i kryer përgatitjet e fundit para fillimit të ciklit të ri kualifikues, atë për Kampionatin Evropian të vitit 2024. Duelin e parë “Dardanët” e luajnë të mërkurën në Podgoricë kundër Malit të Zi. Kurse të dielën në Prishtinë e presin Slloveninë.

Të hënën në kryeqytet hendbollistët e Kosovës i kanë kryer dy seanca përgatitore. Ekipi ka qenë i kompletuar për herë të parë. Udhëtimi për në Podgoricë është të martën.

Përzgjedhësi Bujar Qerimi konfirmon mungesat e rëndësishme, por thekson se mungesat duhet mbulohen, e jo të vajtohen. Bujar Ramosaj për shkaqe personale dhe Valon Dedaj e Shaban Zogaj për shkak të lëndimeve nuk do ta mund ta ndihmojnë Kosovën në dy ndeshjet e rëndësishme.

Por i grumbulluar nuk është as Deniz Terziqi, një prej lojtarëve më të mirë në Kosovë.

“Kemi një problem të vogël. Na mungojnë tre lojtarë, dy për shkak të lëndimeve dhe një për shkaqe personale. Që të tre janë lojtarë kryesorë të Kombëtares së Kosovës, mirëpo nuk kemi kohë të vajtojmë. Ata nuk janë dhe tani ne e bëjmë komponimin me këtë grup që kemi. Atmosfera ka qenë e mirë që nga dita e parë. Lojtarët kanë punuar jashtëzakonisht mirë”, tha Qerimi për KOHËN.

Ai e pranon se ndeshjet me Malin e Zi dhe Slloveninë nuk do të jenë aspak të lehta. Selektori Qerimi hezitoi të premtojë se mund të arrijnë fitore. Për kualifikim thotë se janë gjasat.

“Gjasat janë çdoherë të hapura. Kur e marrim parasysh herën e parë kur kam ardhur me Rumaninë, njëjtë është, njëjtë ka qenë niveli. Nuk ka qenë e papritur, por kemi arritur ta bëjmë. Tash e kemi kualitetin dhe na mbetet që të angazhohemi. Besoj që janë të hapura mundësitë. Unë premtoj që angazhimi do të jetë maksimal, andaj është pak e rrezikshme prej anës sime që të them se do të fitojmë. Unë thash që do të angazhohemi maksimalisht”, u shpreh Qerimi.

Kapiteni Kastriot Jupa deklaroi se do ta japin më të mirën në të dy ndeshjet në mënyrë që të dalin me rezultat pozitiv.

Jupa beson se lojtarët e rinj që kanë ardhur do t’i mbulojnë mungesat që janë në përfaqësuese. Jupa do të jetë kapiten në mungesë të Valon Dedajt.

“Kemi mungesa të shumta për shkak të lëndimeve, por e kemi dëshmuar gjithmonë që jemi kundërshtar i fortë për çdo ekip, sidomos në shtëpi. Presim lojë shumë të fortë kundër Malit të Zi dhe Sllovenisë. Nuk jemi autsajder në këtë grup. Kemi shpresa për kualifikim dhe shpresoj që këto dy ndeshjet e para të kemi rezultat pozitiv, sidomos kundër Malit të Zi. Shpresoj që të jemi të gjithë njëqind për qind dhe besoj që do të kemi paraqitje të mirë”, deklaroi pivoti Jupa. Ai këtë edicion po luan në Gjermani.

Portieri Haris Berisha e pranon se kundërshtarët e Kosovës janë të fortë. Ai kërkon koncentrim maksimal. Berisha është te skuadra Kreuzlingen në elitën zvicerane.

“Do të provojmë që me koncentrimin, fokusin dhe qetësinë më të madhe që në ndeshjen që e kemi jashtë me Malin e Zi të arrijmë rezultat pozitiv, pasi loja në udhëtim është pak më e vështirë. Me Slloveninë të gjithë e njohin kualitetin e tyre dhe e jona është që të koncentrohemi në sulm dhe në mbrojtje siç kemi vepruar në ndeshjet e kaluara që të arrijmë një rezultat çfarë e meritojmë”, tha Berisha.

Kosova bën pjesë në grupin e shtatë kualifikues për “Euro 2024” së bashku me Malin e Zi, Slloveninë dhe Bosnjë-Hercegovinën. Me Bosnjën luan më vonë.

Kosova synon vendin e tretë që jep shpresa për kualifikim. Ende Kosova A nuk ka luajtur në ndonjë ngjarje të madhe hendbolli.