Sport

Kosova shkëlqen por barazon me Holandën

Kosova hendboll

Përfaqësuesja e Kosovës ka shkëlqyer të dielën mbrëma në palestrën “1 Tetori” në Prishtinë.

Por në fund nuk arriti që ta fitojë përballjen e vështirë me Holandën.

Ndeshja e dytë e fazës së dytë kualifikuese për “Euro 2026”, është mbyllur baras, 33:33.

Sfida ishte dramatike dhe u vendos fare në fund.

Në minutën e 59-të, Kosova e barazoi rezultatin në 33:33, me dy gola rresht të Drenit e Drilon Tahirukajt.

Hendbollistët e Holandës nuk arritën që ta konkretizonin në gol aksionin që e patën.

Gol nuk shënuan as hendbollistët e Kosovës dhe në fund të dyja përfaqësueset morën nga një pikë në ndeshjen e Grupit 6.

Kapiteni Valon Dedaj pati lojë të mirë me tetë gola nga 12 tentime. Shtatë gola i kishte Drenit Tahirukaj nga nëntë gjuajtje, kurse Egzon Gjuka shënoi gjashtë gola nga 10 tentime. Me nga tre gola ndeshjen e mbyllën Luigj Quni, Drilon Tahirukaj dhe Lulzim Shabani.

Paraqitje të mirë te Kosova pati edhe portieri Liridon Zena që pati pesë pritje.

Pjesa e parë e ndeshjes u mbyll me rezultatin 19:17 në të mirë të Kosovës, që kishte përkrahje nga tribunat.

Për Kosovën është paraqitja e dytë në këtë fazë të garës, por nuk është kualifikuar asnjëherë në ndonjë ngjarje madhore.

Megjithatë, ende ka gjasa që të kualifikohet në Evropianin që në vitin 2026 organizohet në Danimarkë, Suedi e Norvegji.

Dy vendet e para prej tetë grupeve, dhe katër më të mirat nga vendi i tretë, avancojnë në fazën finale të Kampionatit Evropian.

Holanda i prinë Grupit 6 me tri pikë nga dy ndeshje të luajtura. Ukraina dhe Ishujt Faroe kanë nga dy pikë, kurse Kosova është e fundit me një pikë.

“Dardanët” ndeshjen e parë e humbën thellë nga Ishujt Faroe në Torshavn, 32:21.