Në Almada të Portugalisë është “stacioni” i parë i xhudistëve për vitin 2023. Prej së premtes e deri të dielën në këtë qytet portugez mbahet gara e nivelit Grand Prix. Gara vlerësohet me rëndësi për të mbledhur pikë për ranglistën botërore, përkatësisht në përpjekje për të siguruar normën olimpik.
Vjet në Portugali ishin 300 xhudistë, ndërsa numri gati është dyfishuar për garën e fundjavës. Sipas IJF-së në Almada do të garojnë 555 xhudistë nga 81 shtete. Numri i madh i xhudistëve është dëshmi se konkurrenca do të jetë e fortë e rruga deri në podium do të jetë e gjatë. Pak gara të vitit të kaluar kanë pasur kaq shumë xhudistë.
Në mesin e 555 pjesëmarrësve nuk do të jenë dy kampionet olimpike nga Kosova, Nora Gjakova e Distria Krasniqi. Trajneri Driton Kuka ka vendosur që ato të mos garojnë në Portugali.
Por Kosova natyrisht do të ketë adutët për medalje. Në Portugali do të udhëtoj një ekip prej pesë xhudistësh. Më së shumti pritet nga medalistja e bronztë botërore dhe evropiane, Loriana Kuka. Ajo do të garojë në kategorinë deri 78 kilogramë. Medaljen do ta kërkojë edhe Laura Fazliu, nënkampionia në fuqi e Evropës. Ajo garon në kategorinë deri 63 kilogramë. Flaka Loxha do të garojë në kategorinë deri 57 kilogramë.
Prej xhudistëve, në Portugali garojnë Dardan Cena në kategorinë deri 73 kilogramë dhe Shpati Zekaj në kategorinë deri 100 kg. Për shkak të operimit të krahut nga garat ende po mungon Akil Gjakova.
Dardan Cena do të paraqitet për herë të parë në garat e nivelit Grand Prix. Është ky ndryshimi i fundit në strategjinë e trajnerit Kuka. Ai ka vendosur që garuesit më të rinj t’i testojë në gara të forta. Synon që përmes garave të forta të kalit xhudistët e rinj.
“Laura e Loriana shkojnë për pikë të reja dhe ndoshta për medalje. Për Flakën, Dardanin e Shpatin është me rëndësi të shohim se si do të paraqiten. Për të tre është koha që të kenë sfida serioze”, ka thënë Driton Kuka të martën për KOHËN. Ai ka konfirmuar se konkurrenca është e fortë në secilën garë, duke nisur nga ajo në Portugali. Xhudistët kërkojnë që këtë vit të bëjnë hapin e madh drejt sigurimit të normës olimpike. Dhe pikët nga secila garë vlerësohen me rëndësi.
Laura është bartëse e pestë në Portugali dhe pretendente për medalje. Forma e shfaqur në Evropian, e sidomos në Mastersin e dhjetorit, jep shpresë për paraqitje të denjë të saj në këtë Grand Prix.
Bartëse e pestë është edhe Loriana Kuka, që është në kërkim të formës pas një viti jo të lehtë.
Menjëherë më 4 e 5 shkurt mbahet Grand Slami i Parisit, gara më e famshme e xhudos. Dhe në Paris pritet të garojnë edhe dy kampionet olimpike, Nora e Distria.