Sport

Kosova nxjerr pak portierë, gardianët e nivelit të Koliçit vlerësohen të domosdoshëm

Portierët, Enea Koliçi i Gjilanit dhe Stivi Frashëri i Ballkanit, po kalojnë formë të mirë në edicionin aktual të Superligës së Kosovës në futboll. Për Koliçin është edicioni i dytë në futbollin kosovar, përkatësisht tek ekipi gjilanas. Kurse Frashëri erdhi në këtë verë te skuadra nga Suhareka, ku në tri ndeshje nuk ka pranuar gol. Te Ballkani është edhe portieri nga Mali i Zi, Damir Lulanoviq, i cili ishte zgjedhja e parë në edicionin e kaluar. Por me ardhjen e Frashërit, gjërat kanë ndryshuar.

Koliçi e Frashëri janë portierë me përvojë dhe me të kaluar të suksesshme në Superligën e Shqipërisë. Të dy janë nga Shqipëria dhe vlerësohen lart për nivelin që kanë. Po ashtu kanë besimin e plotë te Gjilani dhe Ballkani.

Në fakt katër nga dhjetë klubet e Superligës mbështeten në portierë që nuk janë nga Kosova. Përveç Gjilanit dhe Ballkanit janë edhe Llapi e Prishtina që në radhët e tyre kanë portierë nga jashtë Kosovës. Kroati shtatlartë Marjan Çoriq mbron ngjyrat e Llapit, kurse Eglant Haxho nga Shqipëria jo çdoherë është titullar te Prishtina.

Numri i portierëve nga Shqipëria dhe regjioni është dukshëm më i madh në dy edicionet e fundit, se sa në të kaluarën.

Për trajnerin e portierëve të Prishtinës, Ahmet Beselica, që është edhe trajner i portierëve te përfaqësuesja e Kosovës, ardhjet cilësore ndikojnë pozitivisht.

“Ardhjet e disa portierëve nga jashtë Kosovës, mendoj që ndikojnë pozitivisht. Pra, çdo prurje cilësore ndikon pozitivisht. Nga ta mund të mësojnë shumë portierët e rinj. Sido që të jetë, është politikë e klubeve se si duan të veprojnë. Ato kanë ambiciet e tyre. Një gjë mund të them, konkurrenca e rrit cilësinë brenda skuadrës, po ashtu edhe te portierët. Te Prishtina kemi tre portierë cilësorë. Eglant Haxho, Ardit Nika dhe së fundmi e kemi marrë Betim Halimin dhe e kemi rritur konkurrencën”, u shpreh Beselica.

Ai insiston se në Kosovë punohet shumë me portierë. Por, Beselica është i vetëdijshëm se dëshira e të rinjve për t’u bërë portierë është më e vogël.

“Nuk është që nuk punohet me portierë në Kosovë. Me sa e di, të gjitha klubet kanë edhe trajnerë të portierëve dhe aty bëhet punë e mirë. Çështja e portierit është specifike, kërkon edhe kohë për t’u bërë një portier i nivelit të lartë. Po ashtu, në fillim të rinjtë hezitojnë që të bëhen portier. Është fjala në moshë të re, pasi të gjithë duan të jenë sulmues. Edhe për mbrojtës ka telashe në fillim, pra po flas për moshën fare të re”, shtoi Beselica, njëri prej portierëve më të mirë që ka pasur Kosova.

Beselica thekson se përfaqësuesja e Kosovës është stabilizuar sa u përket portierëve. Pohon se kanë dy portierë të rinj dhe cilësorë dhe një me përvojë të madhe.

“Te Kosova kemi tre portierë cilësorë. Janë dy të rinj dhe një me përvojë të madhe. Aro Muriq është portier shumë cilësor. Visar Bekaj është portieri shumë i mirë, është i ri dhe ka të ardhme. Samir Ujkani ka përvojë të madhe”, deklaroi Beselica.

Beselica që ka karrierë të pasur si portier, ka përmendur Etrit Berishën që nga 2 Korriku ka arritur të luajë deri në Serie A, pastaj Faton Malokun e Ilir Avdylin të cilët kanë luajtur më herë në Shqipëri dhe Riad Bytyqin që së fundmi ka kaluar në Gjermani te Arminia Klosterhardi.

Ish-portieri i njohur kosovar, Valmir Bytyqi, i cili ka qenë edhe pjesë e përfaqësueses kurse tani është trajner te Kosova U17, mendon se portierët e ardhur nga vendet e rajonit në Kosovë, nuk janë të një niveli tjetër. Sipas tij, vetëm Enea Koliçi i Gjilanit po e bën dallimit deri më tani.

“Ashtu siç ka ardhje të lojtarëve nga jashtë, i njëjti trend po ndiqet edhe për portierë. Mendoj që kjo është një pozitë shumë e ndjeshme dhe ekipet të cilat pretendojnë Evropën shikojnë që portën ta kenë sa më të sigurt. Por, deri më tani, përveç Gjilanit ekipet e tjera lënë për të dëshiruar me sjelljen e portierëve për sa i përket cilësisë. Mendoj që cilësia e njëjtë gjendet edhe ne Kosovë, por prurjet nga jashtë po duken më ‘atraktive’. Për shembull, Prishtina kishte Visar Bekajn dhe pas shkuarjes së tij natyrisht që është dashur të marrë dikë. Realisht Eglant Haxho ishte larg cilësive të Bekajt. Mendoj që Enea Koliçi i Gjilanit për momentin është portieri më i mirë në Kosovë”, tha Bytyqi.

Sipas tij, problem i madh në Kosovë është se shumica e shkollave të futbollit nuk kanë trajnerë të portierëve. Ai është optimist se brenda dy-tre vjetëve, situata me portierë në Kosovë do të ndryshojë për të mirë.

“Për sa i përket punës me portierë, mendoj që ka progres në këtë drejtim. Një kontribut të veçantë po e jep FFK-ja, konkretisht sektori i edukimit, duke filluar me dhënien e licencave D (fillestare) dhe C, e që ka ndryshuar në masë të madhe qasjen ndaj punës me portierë. Frytet e kësaj pune mendoj që do t’i marrim pas dy apo tri vjetëve. Gjithsesi, mendoj që kemi portierë që kanë cilësi dhe mund të kenë të ardhme. Po i përmend tre prej tyre, Flamur Gashin e Malishevës, Egzon Bislimin e Ramiz Sadikut dhe Agron Kolajn e Besës. Problemi më i madh është që shumica e shkollave të futbollit nuk e kanë një trajner të portierëve dhe kjo i hendikepon fëmijët shumë”, shtoi trajneri pejan.

Bytyqi është edhe edukator për licencim të trajnerëve të portierëve në kuadër të Federatës së Futbollit të Kosovës.

vitin 2020, portieri më i mirë në Kosovë ishte shpallur Faton Maloku i Dritës. Çmimet i kishte ndarë Federata e Futbollit e Kosovës. Maloku po vazhdon jetë numri një i skuadrës gjilanase.

Një tjetër portier me nam në Kosovë, Kushtrim Mushica, thotë se në Shqipëri punohet më shumë me portierë.

“Ka portierë të mirë në Kosovë. Mirëpo ekipet pretendente duke u munduar të bëjnë diferencën kanë sjellë jo vetëm portierë, por edhe futbollistë nga jashtë. Mos të harrojmë se te Prishtina pavarësisht që kanë sjellë portier nga Shqipëria, portën ia besojnë vendorëve. Nuk më kujtohet të kem parë Prishtinën duke bërë lëvizje aq shumë te pozita e portierit. Duhet pranuar që akoma në Shqipëri punohet më shumë me portierë. Shqipëria ka nxjerrë më shumë portierë ndër vite dhe unë vetë e kam përjetuar punën dhe rëndësinë që u japin portierëve skuadrat atje. Visar Bekaj është produkt i Kosovës dhe është një prej portierëve më të mirë në Shqipëri. Mirëpo, nuk është e mjaftueshme që çdo dhjetë vjet të dalë një portier i nivelit të tij”, ka theksuar Mushica.