Sport

Kosova nis kualifikimet për Botëror me ndeshjen emocionale ndaj Shqipërisë

Futbollistet e Kosovës e kishin luajtur me Shqipërinë ndeshjen e parë zyrtare kualifikuese. Ishte 6 prilli i vitit 2017 kur Shqipëria e Kosova u përballën në Elbasan në ndeshjen e parë të raundit preliminar të kualifikimeve për Botërorin 2019. Falë një autogoli të Kosovës në minutën e 96-të, Shqipëria kishte fituar 3:2.

Futbollistet e dy përfaqësueseve shqiptare paraqiten në Elbasan edhe të enjten e ardhshme më 16 shtator. Shqipëria e Kosova takohen sërish në eliminatore për Botëror, atë të vitit 2023. Sërish është ndeshja e parë.

Tani Kosova e Shqipëria janë pjesë e grupit F të eliminatoreve evropiane, ku bëjnë pjesë edhe Norvegjia, Belgjika, Polonia e Armenia. Më 16 shtator luhen edhe ndeshjet Norvegjia – Armenia dhe Polonia Belgjika.

Përzgjedhësja e Kosovës, Afërdita Fazlija, nuk ka dashur që të jenë në një grup me Shqipërinë. Por, shorti shkoi kundër dëshirës së saj dhe Fazlija tashmë do ta përgatitë ekipin për të marrë më të mirën në ndeshjen ndaj Shqipërisë, që ajo e vlerëson emocionale.

Zyrtarisht, grumbullimi i përfaqësueseve të futbollisteve fillon më 14 shtator dhe ndeshjen e parë Kosova e ka menjëherë më 16 shtator. Selektorja Fazlija e di se koha është e shkurtër para sfidës së rëndësishme. Plani i saj është që të dielën në mëngjes të testohen për koronavirus lojtaret që luajnë në klubet e vendit. Vetëm pasi të pranohet rezultati, Afërdita Fazlija do ta publikojë listën prej 23 lojtareve. Në listën e gjerë janë 28 lojtare, prej tyre 10 të klubeve evropiane. Lojtaret që luajnë jashtë Kosovës janë të vaksinuara dhe po ashtu do të testohen para udhëtimit për në Kosovë. Ato nuk pritet të kenë telashe për grumbullim.

“Grumbullimi është të hënën. Do të ftohen 23 lojtare, ndërsa të tjera janë rezervë. Nuk pres që të hënën të jemi të kompletuara, ndërsa i gjithë ekipi do të jetë në stërvitjet e së martës. Menjëherë të mërkurën udhëtojmë për në Elbasan dhe të enjten është ndeshja. Pra koha është shumë e shkurtër”, ka thënë Fazlija të premten për KOHËN.

Ajo ka treguar se nuk ka emra të rinj në përfaqësuese, por një portiereje të Llapit. Ndërkohë, janë në pritje të kompletimit të dokumentacionit, përkatësisht të dekretit të presidentes për lojtaret Elizabeta Ejupi, Venera Rexhi e Drita Çela. Por, gjasat që dokumentacioni i tyre të kompletohet para ndeshjes me Shqipërinë thuajse nuk ekzistojnë.

“Nuk kemi pasur dëshirë të jemi në grup me Shqipërinë dhe nuk besoj se dikush në Kosovë ka dëshirë të jemi në grup kualifikues me Shqipërinë. Por kjo nuk varet nga ne. Jemi ekipe me cilësi të përafërta, ndonëse Shqipëria është një vazo më lartë. Secila ndeshje me Shqipërinë i ka emocionet e veta. Kështu do të jetë edhe këtë herë. Por kur hyn në garë, dëshira e secilit është të fitojë. Kemi çdo gjë të përbashkët me Shqipërinë dhe i dëshirojmë shumë suksese. Por natyrisht fitoren e mendojmë për vete. Pres ndeshje korrekte”, ka shtuar Fazlija.

Te Shqipëria janë 7-8 lojtare nga Kosova, ndërsa Shqipëria ka edhe përvojë më të gjatë ndërkombëtare.

Sipas selektores Fazlija, Liga e Kampionëve ka bërë që të rritet niveli i futbollit të vajzave si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri. Mitrovica dhe Vllaznia e Shkodrës po kanë paraqitje të mira në Champions.

Ndeshjen e dytë në eliminatoret për Botërorin e vitit 2023, Kosova e luan më 21 shtator. Në Prishtinë takohet me Norvegjinë, favoriten e madhe të grupit.

Vendi i parë në grup siguron kualifikimin në Botëror, ndërsa vendi i dytë plejofin. Kosova ishte në vazon e pestë në short dhe rrjedhimisht vendi i tretë do të ishte sukses i jashtëzakonshëm. Por, shumë do të varet prej ndeshjeve të para. Prej ndeshjes emocionale me Shqipërinë.