Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll e luan ndaj Turqisë ndeshjen e parë të fazës së parë kualifikuese për Kampionatin Botëror të vitit 2023. Ndeshja luhet në qytetin Eskishehir, të mërkurën nga ora 16:00.
Në Eskishehir, Kosova e kishte zhvilluar ndeshjen e parë pas luftës së fundit. Ndërkohë, ndaj Turqisë e ka fituar edhe pikën e parë në gara ndërkombëtare, përkatësisht në kualifikime.
Janë këto dy prej momenteve të rëndësishme në historinë e përfaqësueses së Kosovës në hendboll, që tani e kërkon suksesin në kualifikimet për Botëror, përkatësisht kalimin në fazën e dytë.
Ishte java e dytë e shtatorit të vitit 2001, kur përfaqësuesja e Kosovës në hendboll udhëtoi për në Turqi. Federata e Hendbollit e Kosovës (FHK) kishte marrë ftesë për të luajtur dy ndeshje miqësore me skuadrën Kiliçoglu në Eskishehir.
“Bëhet fjalë për skuadrën ku Verim Zherka kishte luajtur në edicionin 1998/99 dhe 1999/2000”, kujton Izet Gjinovci, sekretar i përgjithshëm i FHK-së.
Zherka, aktualisht trajner i Prishtinës, është prej emrave të mëdhenj të hendbollit kosovar.
“Me Kiliçoglun, Kosova i luajti dy ndeshje. Njërën e humbëm, e tjetrën e barazuam. Pjesë e Kosovës ishin lojtarë si Bekim Dashi, Veton Hajrizi, Verim Zherka, Arben Muqolli, Florent Beqiri, Faton Ferati, Besnik Reqi, Veton Grubi, Riad Hasani, Alban Dobroshi, Shaqir Kërtoku, Shehadin Zenuni. Selektor ishte Tefik Mikushnica. Pas 39 orëve udhëtim nga Australia, Kosovës iu bashkua edhe Taip Ramadani”, ka treguar Gjinovci.
Rrugës për në Kosovë nga Eskishehiri, përfaqësuesja u ndal në Stamboll, ku barazoi me skuadrën e Beshiktashit.
“Për atë kohë ishte një përvojë shumë e rëndësishme. Ishin ndeshjet e para pas luftës”, thotë Gjinovci.
Kosova të martën e bëri një tjetër udhëtim për në Eskishehir.
“Atëherë udhëtuam me shumë mundime, me fanella të huazuara nga KH Vëllaznimi. Ishte koha kur nuk na njihte asnjë shtet në botë. Tani shkojmë si përfaqësuese e organizuar dhe zyrtarisht luajmë me shtetin e Turqisë. Atëherë, një ndeshje e tillë ishte ëndërr”, ka shtuar Gjinovci.
Kosova në vitin 2014 nisi me ndeshje zyrtare kualifikuese, pasi skuadrat e hendbollit një dekadë më herët u bënë pjesë e Kupave Evropiane.
Në nëntor të vitit 2016, Kosova i luajti dy ndeshje me Turqinë, në kuadër të fazës së parë kualifikuese për “Euro 2020”.
Në Ankara, Turqia fitoi 26:22, më 2 nëntor. Por dukshëm ndeshje më të mirë Kosova kishte më 6 nëntor në Prishtinë. Ndeshja nuk dha fitues, përfundoi 24:24. Për Kosovën ishte pika e parë në kualifikime për Evropian apo për Botëror. Pasuan rezultate të tjera të mëdha, kohë pas kohe, por hapi i parë u bë me Turqinë. Barazimi me Poloninë, fitorja me Izraelin, fitorja me Moldavinë dhe barazimi me Italinë, si dhe fitorja e barazimi me Rumaninë, janë rezultatet më të mira të Kosovës deri më tani.
Më efikasi në atë ndeshje me Turqinë, të luajtur më 6 nëntor 2016, ishte Luigj Quni. Pivoti që bën karrierë në Zvicër, vazhdon të jetë pjesë e rëndësishme e Kosovës.
“Mezi pres të luajmë ndeshjen ndaj Turqisë. Kur isha 19-vjeçar e kisha rastin të përfaqësoja vendin tim për herë të parë. Për herë të parë po veshja fanellën e Kosovës. Paraqitja e ekipit ishte e jashtëzakonshme dhe ne fituam pikën e parë historike me Kosovën”, ka thënë Quni të martën për KOHËN.
E për duelin e së mërkurës, Quni tregon se sa është përmirësuar Kosova gjatë kësaj periudhe.
“Të mërkurën, gjashtë vjet më vonë, do të luajmë sërish ndaj Turqisë. Gjashtë vjetët e kaluar ishin të vështirë për ekipin tonë. Jemi përmirësuar në vitet e fundit dhe kemi arritur rezultate të mira. Forca jonë më e madhe është që nuk kemi superyll në ekip. Superylli ynë është ekipi. Sukseset tona më të mëdha janë arritur falë kolektivit”, ka shtuar Quni, që luan në elitën helvetike.
Ai shquhet për angazhimin dhe luftën për çdo top. Ai kishte debutuar në Turqi në vitin 2016, ndërsa menjëherë në ndeshjen e dytë ishte më efikasi.
Quni është optimist për ndeshjen në Eskishehir.
“Me besimin që kishim në ndeshjet e fundit dhe me nderin që kemi për përfaqësimin e vendit dhe njerëzve tanë, jam plotësisht i bindur se ekipi do të japë çdo gjë nga vetja dhe do të luajë për fitore”, ka theksuar Luigj Quni.
{gallery}