Përfaqësuesja e Kosovës në futsall (futboll të sallës) do të mbështetet në kualitetet individuale dhe në grupin e bashkuar në tentim për të shkaktuar befasi ndaj superfuqisë botërore, Ukrainës.
Kështu është shprehur të enjten për KOHËN kapiteni i “Dardanëve”, Jeton Rukovci.
Përfaqësuesja e Ukrainës do të jetë nikoqire e Kosovës në ballafaqimin e së premtes. Ndeshja do të luhet në Salaspils të Letonisë. Ukraina ende nuk luan në territorin e saj.
Ndeshja mes Ukrainës e Kosovës zhvillohet të premten nga ora 18:00 dhe i takon xhiros së dytë të Grupit 11 të rundit kryesor (Main Round) të kualifikimeve për Botërorin 2024.
Kosova pësoi nga Holanda në Roterdam me rezultatin 2:1 në ndeshjen e parë.
“Gjendja e ekipit është e mirë. E njohim forcën e kundërshtarit. Sigurisht se do të jetë e vështirë përballja me Ukrainën, por ne do të provojmë ta zhvillojmë lojën tonë. Do ta japim maksimumin që të marrim rezultat pozitiv”, është shprehur Rukovci, i cili e shënoi golin e vetëm për Kosovën ndaj holandezëve.
Rukovci ka thënë se atmosfera e mirë në grup mund të ndikojë në marrjen e një rezultati pozitiv. Ai vlerësoi se ndaj Holandës, Kosova nuk e meritoi humbjen, duke marrë parasysh rastet që i kishte.
“Dihet që ne kemi lojtarë me cilësi shumë të mira individuale. Filozofia e trajnerit është që ne të kemi më shumë posedimin e topit e po ashtu ta kontrollojmë lojën. Loja jonë e mirë është parë edhe në ndeshjen ndaj Holandës, sidomos në pjesën e parë. Kundërshtari kishte vetëm një rast, kurse ne kishim më shumë mundësi, madje edhe për ta mbyllur të gjithë ndeshjen, por nuk i shfrytëzuan rastet që na u dhanë”, theksoi kapiteni.
Për Ukrainën është ndeshja e parë. Grupi përbëhet vetëm nga tri përfaqësuese.
Fituesi i grupit avancon në rundin elitë, ndërsa nga pozita e dytë sigurohet të paktën plejofi.
“Natyrisht se i kemi shanset për ta kaluar grupin sepse është vetëm ndeshja e dytë dhe do t’i kemi edhe dy ndeshje të tjera. Duhet ta shfrytëzojmë terrenin vendës. Por, kemi humbur një mundësi shumë të mirë kur u mposhtëm nga Holanda. Shpresojmë për një paraqitje të mirë dhe nëse marrim së paku një pikë do të ishte shumë e mirëseardhur”, thotë Rukovci.
Kosova kualifikimet i mbyll me dy ndeshje që zhvillohen në Prishtinë.
Më 8 nëntor do të jetë nikoqire e Ukrainës, ndërsa më pas luan edhe ndaj Holandës.
Kosova në rundin preliminar ishte renditur e dyta, pas Armenisë. Prapa kishte lënë Bullgarinë dhe Skocinë.