Përfaqësuesja e Kosovës në futsall (futboll të sallës) njërën prej dy disfatave më të thella prejse merr pjesë në gara zyrtare e ka nga Ukraina. Nga lojtarët e Ukrainës, Kosova humbi në Shkup me shifrat 7:1, në vitin 2019. Njëjtë pati humbur edhe nga Sllovenia në ciklin e saj të parë kualifikues, për Botërorin e vitit 2020. Kosova ka tjetër ballafaqim me Ukrainën. Madje me ukrainasit do t’i ketë dy përballje në kuadër të Grupit 11 të raundit kryesor (Main Round) për kualifikim në Botërorin e vitit 2024.
Kundërshtaren e dytë në këto kualifikime, Holandën, Kosova nuk e ka pasur asnjëherë përballë në ndeshje zyrtare. Por, ndaj Holandës ka luajtur dy ndeshje miqësore vitin e kaluar. Njërën ndeshje e humbi, ndërsa tjetrën e mbylli baras.
Te Kosova insistojnë se grupi megjithatë është i kalueshëm.
“Mund të them që jam i kënaqur me shortin. Ukraina është superfuqi në futsall ashtu si Holanda. Sipas të gjitha gjasave, do të luftojmë me Holandën për vendin e dytë në grup, që na mundëson të kalojmë tutje. Por, edhe sistemi i garës na mundëson që të luajmë katër ndeshje, dy prej të cilave do t’i kemi para tifozëve tanë. Do të tentojmë maksimumin që të marrim pikët e plota”, ka thënë të enjten për KOHËN kapiteni i “Dardanëve”, Jeton Rukovci.
Rukovci thekson se ndaj Ukrainës mund të bëhet befasia, marrë parasysh situatën në të cilën gjendet aktualisht shteti ukrainas, pas pushtimit nga Rusia.
“Besoj se mund të bëjmë befasi për shkak të situatës që është atje dhe lojtarët nuk kanë mundur ta zhvillonin aktivitetin si zakonisht. Ne cilësinë e kemi, por na duhet angazhim i madh nga të gjithë”, ka përfunduar Rukovci, i cili bëri thirrje që komuniteti i futsallit duhet të ketë më shumë përkrahje për t’u ngritur niveli. Kjo do të bëhej e mundur edhe me grumbullime më të shpeshta.
Kosova ishte në vazon e tretë. Në short ishin gjithsej 36 skuadra, të cilat u ndanë në 12 grupe me nga tri ekipe.
Fituesit e 12 grupeve dhe katër skuadrat më të mira të vendeve të dyta do të avancojnë në “Elite Round”. Tetë ekipet e tjera të vendeve të dyta do të luajnë në plejofin e “Main Round”.
Ndeshjet do të zhvillohen nga shtatori e deri në mars të vitit 2023.
Kosova e siguroi paraqitjen në “Main Round”, pasi e kaloi me sukses raundin preliminar.
Doli në vendin e dytë me gjashtë pikë nga tri ndeshje. Armenia ishte lidere me nëntë pikë. Bullgaria e treta grumbulloi tri pikë, kurse Skocia ishte e fundit pa pikë.
“Grupi është mesatar dhe nuk dihet cila kualifikohet. Besoj që do ta kemi pak problem, por nuk i dihet. Përshtypja ime është që do të kualifikohemi 90 për qind, edhe pse janë dy përfaqësuese të forta. Për momentin secili lojtar është në formë shumë të mirë. Jemi përgatitur për ‘Main Round’. Kualiteti është shumë i madh, që nga ardhja edhe e trajnerit të ri”, ka thënë Drilon Maxharraj, që në parakualifikime realizoi katër gola, një kundër Bullgarisë dhe “hat-trick” ndaj Skocisë.
Portugalia është fituese në fuqi e Botërorit dhe shpreson ta mbrojë titullin. Rusia është e suspenduar dhe nuk do të jetë pjesëmarrëse.