Volejbollistët dhe volejbolllistet e Kosovës i kanë mësuar të mërkurën kundërshtarët për kualifikimet e Evropianit të vitit 2026.
Te meshkujt Kosova në kualifikimet e “EuroVolley 2026” është në grup me Sllovakinë e Letoninë, kurse te femrat, për kundështare do t’i ketë Rumaninë dhe Kroacinë.
“Letoninë e kemi pasur edhe më herët në grup. Janë përfaqësuese që marrin pjesë vazhdimisht në kualifikime për Evropian. Kanë përvojë më shumë, pasi ne pas një periudhe marrim pjesë dhe nuk dëshirojmë të ndalim më ciklin”, ka thënë sekretari i Federatës së Volejbollit të Kosovës, Valon Nikçi.
Kosova te meshkujt kualifikimet i nis në shtëpi kundër Letonisë. Ndeshjen e parë e luan më 17 apo 18 gusht.
Edhe volejbollistet e Kosovës kampanjën e kualifikimeve e nisin në shtëpi ndaj Kroacisë. “Dardanet” po ashtu luajnë më 17 apo 18 gusht.
“Do të provojmë që të dyja ndeshjet t’i organizojmë brenda një dite. Do të ishte mirë, por të shohim pasi femrat po kthehen të luajnë në kualifikime pas pauzës dyvjeçare kurse meshkujt trivjeçare. Ideja ka qenë që më shumë të marrim pjesë me grupmoshat e reja, që të fitohet përvoja dhe t’i gërshetojmë lojtarët e rinj dhe ata me përvojë”, është shprehur Nikçi.
Në fakt, sukseset në volejboll kanë munguar, si në nivel të përfaqësueseve ashtu edhe të klubeve. Por Nikçi thotë se në kualifikimet për Evropian, Kosova do të mundohet të jetë konkurrente e fortë.
“Si te meshkujt ashtu edhe te femrat kundërshtarët janë favoritë. Por kjo nuk do të thotë se ne do të dorëzohemi. Përkundrazi, ne do të mundohemi të përgatitemi dhe të bëjmë paraqitje të mira. Kroacia dhe Rumania janë ekipe të forta. Megjithatë do të mundohemi të dëshmojmë potencialin tonë”, ka thënë Nikçi.
B