Te Përfaqësuesja e Kosovës në futboll janë të vetëdijshëm se u duhet fitorja ndaj Rumanisë për të mbetur në garë për kualifikim në “Euro 2024”. Pas dy xhirove, Kosova i ka vetëm dy pikë në Grupin I. Zvicra e Rumania janë shkëputur me nga gjashtë pikë. Dy të parët në grup kualifikohen në Kampionatin Evropian të vitit të ardhshëm.
Ndeshja ndoshta vendimtare e Kosovës në këtë cikël kualifikues, ajo ndaj Rumanisë, zhvillohet të premten prej orës 20:45 në “Fadil Vokrri”.
Kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, ka vlerësuar se Rumania me meritë është në vendin e dytë. Vendi i dytë është synimi i Kosovës dhe për këtë arsye Rumani vlerësohet rivalja direkte. Dhe po ashtu ndeshja e së premtes vlerësohet me shumë rëndësi.
“E kemi ndeshjen më të rëndësishme në këto kualifikime, pasi kemi përballë konkurrentin kryesor për vendin e dytë. Rumania ka gjashtë pikë me plot meritë dhe shpresoj që ne të luajmë lojën tonë, të fitojmë dhe t’i afrohemi me pikë Rumanisë. Është ndeshje që do ta vendosë shumë fatin e këtij grupi dhe pres përkrahje nga tifozët për ta mposhtur Rumaninë, në mënyrë që të mbajmë gjallë shpresat për kualifikim. Synimi është ta fitojmë këtë ndeshje dhe do të japim gjithçka nga vetja për fitore”, ka thënë Rrahmani të enjten në konferencë për shtyp.
Mbrojtësi i qendrës ka theksuar se Kosova nuk i frikësohet Rumanisë dhe se është maksimalisht e motivuar për ndeshje. Rrahmani beson se Kosova do ta aplikojë lojën e saj dhe nuk do t’i përsëritë gabimet e dueleve të para. Në muajin mars, Kosova barazoi 1:1 në udhëtim me Izraelin dhe më pas në shtëpi me Andorrën. Barazimi me Andorrën u vlerësua dështim i rëndë.
“Nuk i frikësohemi Rumanisë sepse kemi luajtur kundër lojtarëve më të fortë. Frika jonë e vetme është nëse jemi ekipi i duhur në momentin e duhur. Pra, duhet të jemi ata që jemi, si dhe të luajmë lojën tonë”, ka thënë Rrahmani. Ai vlerëson se Kosovës i mungoi fati në dy ndeshjet e kaluara.
“Prej dy ndeshjeve të para e kemi parë që kemi bërë disa gabime dhe për këtë lojtarët e kanë fajësuar veten. Besoj se kemi reflektuar dhe pres që mos t’i përsëritim gabimet. Kemi mundur ti kemi gjashtë pikë, pasi ndaj Izraelit në fund kemi pasur mundësinë ta fitojmë ndeshjen. Edhe ndaj Andorrës kemi mundur të fitojmë pasi kundërshtari pati vetëm një gjuajtje në portë. Arsyeja e këtyre barazimeve ishte se nuk i shfrytëzuam të gjitha rastet dhe është dashur të reagojmë më mirë”.
Kapiteni Rrahmani ka vlerësuar se në rast të humbjes në këtë ndeshje, atëherë Kosova do të jetë 99 për qind jashtë Evropianit.
“Kjo ndeshje vendos gjithçka dhe nëse humbin atëherë do të jemi 99 për qind jashtë Evropianit”.
Kosova do t’i ketë dy mungesa kundër Rumanisë, që selektori Alain Giresse i ka quajtur të rëndësishme. Elbasan Rashani është larguar nga grumbullimi për shkak të lëndimit, ndërsa Edon Zhegrova mungon ndaj Rumanisë për arsyen e njëjtë.
“Për këtë ndeshje i kemi dy mungesa të rëndësishme. E para është Elbasan Rashani, që është larguar nga grumbullimi dhe Edon Zhegrova që nuk ka stërvitur dhe po presim të rikuperohet. Rashani është zyrtarisht jashtë këtyre ndeshjeve, ndërsa Zhegrova po shpresojmë të rikthehet për ndeshjen tjetër”, tha Giresse. Kosova javën tjetër luan ndaj Bjellorusisë.
Përzgjedhësi Giresse pret që lojtarët të jenë maksimalisht të motivuar. Ai ka thënë se lojtarët e kanë parasysh rëndësinë e duelit.
“Lojtarët janë të vetëdijshëm për rëndësinë e kësaj ndeshjeje dhe në situata të tilla nuk duhet ta vendosim presionin mbi ata. Besoj se ata do të futen në fushë me motivimin më të madh për ta fituar ndeshjen”, tha Giresse.
Giresse e ka vlerësuar lart Rumaninë. Por e ka analizuar mirë rivalen dhe ka përgatitur ekipin për të marrë fitoren e parë në këto kualifikime.
“Mund të them se Rumania është ekip shumë i mirë, ka lojtarë që mund ta bëjnë dallimin. Kështu që krejt çka mund të them është se e kam bërë të pamundurën për ta përgatitur ekipin në mënyrën më të mirë të mundshme për këtë ndeshje, të cilën duam ta fitojmë”.
“Dardanët” të enjten pasdite e kanë mbajtur stërvitjen e fundit para ndeshjes me rumunët.