Sport

Kosova me kundërshtarë te njohur, synon vendin e parë

Futbollistët e Përfaqësueses së Kosovës në futboll i kanë të freskëta përballjet me Rumaninë dhe Qipron. Rumaninë e kishte në grupin kualifikues për “Euro 2024”, kurse Qipron në edicionin e tretë të Ligës së Kombeve.

Të dyja përfaqësueset do t’i ketë sërish në grup.

Shorti për edicionin e katërt të Ligës së Kombeve të UEFA-s në futboll është tërhequr të enjten në Paris, ndërsa Kosova, Rumania dhe Qipro kanë rënë në Grupin 2 të Ligës C. Grupit të Kosovës do t’i bashkohet Lituania ose Gjibraltari. Këto dy përfaqësuese do të përballen kundër njëra-tjetrës në plejaut. Fituesi pastaj do t’i bashkohet grupit.

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, beson se Kosova do të dalë e para në grup. Ai shpreson që ndeshjen e parë ta kenë ndaj Rumanisë në Bukuresht.

“Nuk është grup i keq. Janë ekipe që i njohim nga e kaluara. Nuk mund të them që është grup i dobët, është grup korrekt. Grup që mund të kalohet duke pasur parasysh formën që po e kalojnë aktualisht lojtarët nëpër klubet e tyre. Uroj që ta kemi grupin e kompletuar për të gjitha ndeshjet. Uroj të jemi në vendin e parë. Besoj se do të jemi në vendin e parë. Realisht kërkojmë të jemi në vendin e parë. Ky është edhe objektivi ynë, pasi tani do të ndjekim rezultatet, edhe pse asgjë në futboll nuk ka të sigurt. Por uroj të kemi më shumë fat”, ka thënë Ademi.

Ai ka folur edhe për ndeshjen ndaj rumunëve. Kosova pati telashe në Bukuresht, në ndeshjen që e pati zhvilluar në shtator, në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2024”. Kosova e pati humbur ndeshjen 2:0. Ndeshja ishte ndërprerë në minutën e 18-të, kur një grup huliganësh rumunë në stadium pati shfaqur panon “Kosova është Serbi”. Ndeshja më pas nuk pati vazhduar për plot 50 minuta.

“Ka qenë për ne një situatë e papritur. E papritur, pasi nuk e kemi besuar se në një vend evropian mund të na ndodhë ajo situatë. Por tash e dimë me kë do të përballemi dhe çka mund të ndodhë. Do të përgatitemi, por ajo që ne do ta kemi fokus, është fusha. Do të fokusohemi vetëm në fushë. Uroj që ndeshja e parë të jetë në Bukuresht kundër Rumanisë. Orarin do ta mësojmë të premten”, është shprehur Ademi.

Kosova barazoi pa gola ndaj Rumanisë në Prishtinë më 16 qershor, ndërsa humbi në Bukuresht më 9 shtator me rezultatin, 2:0.

Në edicionin e kaluar të Ligës së Kombeve, Kosova fitoi dy ndeshjet e saj përballë Qipros. E mposhti në udhëtim 2:0 më 2 qershor, ndërsa fitoi 5:1 në Prishtinë më 27 shtator.

Pati fituar në miqësore ndaj Gjibraltarit 1:0 më 10 tetor të vitit 2019. Fitore pati shënuar edhe ndaj Lituanisë. E pati mposhtur thellë 4:0 në mars të vitit 2021.

Ndeshjet e Ligës së Kombeve fillojnë në shtator. Kosova në edicionin e parë të Ligës së Kombeve, 2018/19, kishte garuar në Ligën D, që është niveli më i ulët. Pasi e kishte fituar grupin, avancoi në Ligën C, ku u paraqit në edicionet 2020/2021 dhe 2022/2023. Në edicionin e fundit ishte në grup me Greqinë, Irlandën e Veriut dhe Qipron. Greqia e fitoi grupin dhe avancoi në Ligën B, ndërsa Kosova ishte e dyta dhe mbeti në Ligën C.

Selektori i Përfaqësueses së Rumanisë, Edi Iordanescu, ka folur për faqen zyrtare të Federatës së Futbollit të Rumanisë dhe ka komentuar kundërshtarët për Ligën e Kombeve.

“Është e ngutshme të analizosh prej tani kundërshtarët. Ka ende shumë muaj, pastaj afati kalimtar veror mund ta ndryshojë situatën e disa lojtarëve nga të gjitha përfaqësueset. Duhet të pritet se si djemtë do të luajnë në pranverë, por duhet shikuar në vjeshtë se si do të luajnë lojtarët. Vetëm një gjë do të jetë i sigurt, synimi i Rumanisë është vendi i parë. Po flasim për shansin e rëndësishëm dhe për mundësinë e mundshme, kualifikimin në plejofin e mundshëm për Kupë të Botës 2026. Deri atëherë, i gjithë fokusi do të jetë në ‘Euro 2024’, në mënyrë që të hyjmë në formën më të mirë në turneun final”, ka thënë Iordanescu, selektori i Rumanisë pas shortit.

Kosova do t’i ketë dy ndeshje në shtator, dy në tetor e dy në nëntor. Për Ligën e Kombeve do të përgatitet me miqësoret që i zhvillon në mars e në qershor. Tre prej katër kundërshtarëve të miqësoreve dihen tashmë: Armenia, Hungaria, Norvegjia.

Për Kosovën, shorti vjen pas një cikli të pasuksesshëm kualifikues, atij për “Euro 2024”. Synim ishte kualifikimi në Evropian, por që mbeti ëndërr e largët. Ndeshjen e fundit Kosova e ka luajtur më 21 nëntor ndaj Bjellorusisë, ndërsa ka humbur 1:0 në Prishtinë. Pas asaj ndeshjeje, stadiumi “Fadil Vokrri” u mbyll. Në Ligën B të Ligës së Kombeve është Shqipëria, që bën pjesë në vazon e tretë së bashku me Slloveninë, Irlandën dhe Malin e Zi.

Ky edicion ka lidhshmëri me kualifikimet për Kupën e Botës 2026. Katër përfaqësueset më të mira në Ligën e Kombeve e që nuk kualifikohen në Botëror përmes kualifikimeve të rregullta do të paraqiten në plejof, me 12 përfaqësueset që në kualifikime të rregullta përfundojnë në pozitën e dytë në grup. Ka pak gjasë që kjo të ketë ndikim në Ligën C, ku është Kosova.