Sport

Kosova me gjasa të vogla për kualifikim

Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll ka minimizuar gjasat për të avancuar në fazën e dytë parakualifikuese për “Eurobasket 2025”.

Humbja befasuese nga Norvegjia, që ishte në disavantazh prej 17 pikëve në fillim të çerekut të tretë, ka vështirësuar shumë punët për “Dardanët”.

Kosova të dielën u mposht në Mitrovicë me rezultatin 95:92, pas vazhdimit prej pesë minutash. Koha e rregullt e ndeshjes, që i takoi Grupit C të parakualifikimeve, përfundoi 81:81.

Kosovën ndaj Norvegjisë nuk e ndihmoi as përkrahja e fuqishme e tifozëve që kishin mbushur tribunat e palestrës “Minatori”. Të pranishëm në palestër ishin rreth 1,500 shikues, përtej kapaciteteve të lejuara.

Me këtë humbje, Kosova ka katër pikë, një më pak se Norvegjia që i prin grupit pas tri ndeshjeve të luajtura. Danimarka është e fundit në grup me tri pikë, por me një ndeshje më pak të zhvilluar.

Skuadrat e para të tri grupeve parakualifikuese, si dhe ekipi i dytë më i mirë i të gjitha tri grupeve, kualifikohen në raundin e dytë parakualifikues.

Për Kosovën kjo ishte humbja e dytë nga Norvegjia. Ka një fitore ndaj Danimarkës, me të cilën përballet në udhëtim më 30 qershor. Tani Kosova nuk e ka në dorë kualifikimin. Pos ndeshjes Danimarka – Kosova, ka mbetur të luhet edhe ndeshja Norvegjia – Danimarka, që është më 3 korrik.

Përzgjedhësi i Kosovës, Christos Marmarinos, është shprehur i dëshpëruar me humbjen nga Norvegjia. Sipas tij, Kosova lëshoi një mundësi ideale për të fituar në shtëpi dhe për të mbajtur gjallë shpresat për vendin e parë në grup.

“Ndeshje të mirë luani kur fitoni. Ajo mund të quhet ndeshje e mirë. Kjo humbje është diçka prej së cilës duhet të marrim mësim. Ne e kontrolluam ndeshjen pothuajse gjatë tërë kohës dhe sigurisht që është një humbje që dhemb shumë. Natyrisht që është dashur të reagonim më mirë pas asaj paraqitjeje të mirë që e treguam në fillim”, është shprehur Marmarinos, që pati fjalë të mira për fundorin e Norvegjisë, Harald Frey. Frey ishte më i merituari për triumfin ndaj Kosovës. Për 39 minuta të kaluara në parket i shënoi 38 pikë.

“Besoj se te Norvegjia ndeshjen më të mirë në karrierë e luajti Frey, i cili ishte i pandalshëm dhe ne nuk arritëm të gjenim formulën për ta ndalur. Kemi bërë edhe shumë pak kërcime nën kosh, gjë që na kushtoi shumë. Ishte një mundësi të cilën e kemi shpërdoruar dhe është për të ardhur shumë keq”, pranoi Marmarinos.

I dëshpëruar me disfatën ka mbetur edhe fundori Erjon Kastrati. Kastrati ndeshjen e përfundoi me 17 pikë, katër kërcime e po aq asistime. Pavarësisht humbjes, Kastrati insiston se “Dardanët” nuk e kanë ndërmend të dorëzohen edhe pse ka pranuar se gjasat janë minimale për të avancuar nga grupi.

Sipas tij, përderisa shpresat ekzistojnë për kualifikim në raundin tjetër, do të luftojnë deri në fund.

“Dëshira për fitore nuk ka munguar dhe të gjithë jemi munduar dhe jemi angazhuar duke e dhënë edhe atomin e fundit, por për fat të keq nuk arritëm të fitojmë. Është vështirë të them diçka për lojën, pasi duhet ta analizojmë dhe të shohim se ku i kemi bërë gabimet”, ka theksuar Kastrati.

“Tani pas kësaj disfate gjasat janë minimale për kalim në raundin tjetër, por derisa ka shpresë edhe një për qind, ne nuk do të dorëzohemi. Duhet të shpresojmë dhe duhet të shkojmë të luftojmë në Danimarkë për ta fituar ndeshjen dhe pastaj do t’i shohim kalkulimet”.

Krahas Kastratit, te Kosova me lojë të mirë u veçuan edhe Dardan Berisha e Drilon Hajrizi. Berisha pati 27 pikë të shënuara, dhjetë më shumë se Hajrizi. Por që nuk mjaftuan për t’iu revanshuar Norvegjisë për humbjen në Bergen.