Plot 388 xhudistë nga 46 shtete do të marrin pjesë në Kampionatin Evropian të xhudos, që prej të premtes e deri të dielën mbahet në Montpellier të Francës. Në mesin e tyre janë edhe gjashtë xhudistë të Kosovës. Pesë prej tyre janë me potencial për të fituar medalje, përkatësisht për t'i sjellë Kosovës titull tjetër evropian. Dy prej xhudisteve të Kosovës janë bartëse të para në kategoritë e tyre.
Bëhet fjalë për Distria Krasniqin në kategorinë deri 52 kilogramë dhe Laura Fazliun në kategorinë deri 63 kg.
Kështu Distria e Laura janë favoritet kryesore për medalje të arta në kategoritë e tyre. Në 52 kg, konkurrenca vlerësohet shumë e fortë. Për këtë ka shkruar edhe Unioni Evropian i Xhudos (EJU). Francezja Amandine Buchard, britanikja Chelsie Giles dhe hungarezja Reka Pupp vlerësohen rivalet më të mëdha të Distrisë, kampione olimpike në fuqi. Distria i ka përvojën dhe suksesin nga kampionatet evropiane, ndërsa është adut shumë i fortë i Kosovës.
Në top-xhudiste në dy vjetët e fundit është shndërruar Laura Fazliu. Ajo është favorizuar edhe nga EJU në shkrimin e publikuar për ditën e dytë të garave. Laura vjet ishte nënkampione dhe tani synon hapin para.
“Xhudistja e re e ka gjetur veten vitin e kaluar në konkurrencën e madhe. Fitoi medaljen e argjendtë dhe tani ka tjetër rast për të goditur të artën”, ka shkruar EJU.
Legjenda franceze, Clarise Agbegnenou, vlerësohet rivalja më e madhe e Laurës. Por edhe xhudiste të tjera e kërkojnë rastin. Në 57 kg, Nora Gjakova është bartësja e dytë, pas francezes Sarah Leonie Cysique. Konkurrenca edhe në 57 kg vlerësohet shumë e madhe. Por natyrisht, si kampione olimpike, Nora është xhudistja që duhet mposhtur. Akil Gjakova në kategorinë deri 73 kg dhe Loriana Kuka në kategorinë deri 70 kg nuk janë në mesin e bartësve. Por janë pretendentë për medalje. Kosovën e përfaqëson edhe Flaka Loxha, që po rritet vazhdimisht si garuese dhe që mund të shpërthejë në secilën garë. Edhe Flaka garon në kategorinë deri 57 kg.
“Ekipi është mirë i përgatitur. Shumica janë në formë të duhur dhe pres një paraqitje të mirë dhe dinjitoze. Është garë me rëndësi për pikë olimpike”, ka thënë trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka. Fakti që Evropiani mbahet në Francë, në vendin ku vitin e ardhshëm mbahen Lojërat Olimpike, i jep peshë më të madhe ngjarjes.
“Evropiani mbahet në Francë e kjo tregon që ekipi nikoqir i Lojërave Olmpike 2024 do të jetë me ekipin më të mirë. Është me rëndësi të kemi paraqitje të mirë, sepse çdo gjë e kemi punuar si duhet që të kemi paraqitje të mirë”, ka shtuar Kuka.
Të premten garojnë Distria Krasniqi, Nora Gjakova e Flaka Loxha, ndërsa të shtunën Akil Gjakova, Laura Fazliu e Loriana Kuka.