Sport

Kosova mbetet pa medalje në Evropianin e Shteteve të Vogla

Basketbollistet e Kosovës kishin synime të mëdha në Kampionatin Evropian të Vendeve të Vogla. Në fakt, ato u nisën drejt Qipros për t’u kthyer me medaljen e artë. Insistonin se në paraqitjen e dytë ndërkombëtare kishin më shumë përvojë dhe mund të kishin sukses më të madh sesa vitin e shkuar. Vitin e shkuar Kosova debutoi në këtë garë dhe përfundoi e treta, duke e fituar medaljen e bronztë.

Megjithatë, krejt çka Kosova arriti këtë herë në turneun e mbajtur në Nikozi, ishte të merrte një fitore në katër ndeshje të luajtura. Në përgjithësi, rezultatet e Kosovës ishin dëshpëruese në këtë turne që nisi të martën dhe do të mbyllet të dielën.

Triumfoi ndaj Andorrës (77:56), ndërsa regjistroi tri humbje, prej të cilave dy ishin të thella. Në të vërtetë Kosova pjesëmarrjen në këtë turne u mbylli me disfatë të thellë. Të shtunën Kosova pësoi nga Përfaqësuesja e Norvegjisë me shifrat 81:54. Kjo edhe ishte disfata më e thellë për “Dardanet” në këtë edicion të këtij kampionati, që do ta mbyllin në pozitën e parafundit – të katërt prej pesë përfaqësueseve pjesëmarrëse. Humbje të thellë Kosova pësoi edhe të enjten nga Qipro (88:67), kurse në ndeshjen hapëse u mposht nga Malta (68:61).

“Janë disa faktorë, të cilët ndikuan në pjesëmarrjen tonë në këtë turne, e që të mos e tregojmë atë paraqitjen më të mirë të mundshme. Fillimisht, mospërgatitja fizike e lojtareve pasi që pas përfundimit të kampionatit ndoshta kanë qenë pasive deri kur kemi filluar përgatitjet e përbashkëta. Niveli i lojtareve, ku disa prej tyre janë të reja dhe iu mungon përvoja në nivele të tilla, si dhe mungesa e ndeshjeve miqësore para pjesëmarrjes në këtë turne. Pra, këta janë disa prej faktorëve që ndikuan në paraqitjen tonë”, ka thënë përzgjedhësi i Kosovës, Fidan Shatri. “Shpresoj që të punohet më shumë, fillimisht nëpër klube, në mënyrë që të ngrihet niveli individual i secilës lojtare për të ardhmen e afërt”.

Në të vërtetë Kosova ndaj Norvegjisë e pati njërën prej paraqitjeve më të dobëta në këtë kampionat. Vetëm çerekun e parë (15:13) dhe të fundit (18:15) i fitoi, por që nuk mjaftuan për të shmangur humbjen e thellë, pasi në dy çerekët tjerë ishte në disavantazh të madh. Madje, në çerekun e tretë u limitua në vetëm dy pikë të shënuara karshi 25 pikëve të pranuara.

Në total i pati edhe 21 topa të humbur. Saranda Daci me “double-double” prej 15 pikëve e 11 kërcimeve ishte më e dalluara te Kosova, ndërsa pikë dyshifrore regjistroi edhe Era Shatri. Shatri karshi 12 pikëve pati edhe nëntë kërcime. Te Norvegjia tri basketbolliste patën pikë dyshifrore, kurse Stine Austgulen ishte më efikasja më 19 pikë të realizuara.

Për ekipin e femrave kjo është hera e dytë që po paraqitet në gara zyrtare të FIBA-s. Për dallim prej vitit të shkuar, këtë vit në këtë kampionat nuk u paraqitën Luksemburgu e Irlanda, që në vitin e kaluar përfunduan në dy vendet e para. Po ashtu, te Kosova këtë vit nuk u paraqit as amerikania e natyralizuar Alexis Tolefree, e cila u zgjodh MVP vitin e kaluar. Drejtues të Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) kanë paralajmëruar se do të bëjnë një vlerësim të gjendjes të të gjitha gjeneratat, përfshirë edhe ekipet A në dy konkurrencat.

“Tani po presim të përfundojnë të gjitha aktivitetet e përfaqësueseve dhe më pas do të bëjmë një vlerësim të gjendjes në secilën prej tyre në të dy konkurrencat, duke filluar nga stafi i trajnerëve deri te lojtarët”, ka thënë sekretarja e përgjithshme, Elvira Dushku, që ka insistuar se FBK-ja është tejet e interesuar për ta ngritur nivelin e përfaqësueseve. “Jemi shumë të interesuar ta rrisim nivelin jo vetëm të ekipit A, por të gjitha përfaqësueseve. E them këtë për shkak se investimet nuk po mungojnë dhe janë shumë të mëdha. Kështu që nëse është nevoja do të bëjmë edhe ndryshime drastike vetëm e vetëm që të përmirësohemi dhe të bëjmë shumë më mirë në garat e radhës që do të paraqitemi”.

Ditë më parë edhe Përfaqësuesja A e meshkujve mbylli edhe një cikël zhgënjyes të garave në kuadër të FIBA-s. “Dardanët”, që kishin synim të avanconin prej fazës së parë parakualifikuese për “Eurobasket 2025”, kanë përfunduar të fundit në Grupin C që përbëhej prej tri përfaqësueseve. Në katër ndeshje të zhvilluara, bilanci i Kosovës është një fitore e tri humbje. Kosova këtë cikël e përfundoi të enjten mbrëma me humbje të thellë nga Danimarka. Dueli i luajtur në Naestved përfundoi me shifrat 105:71 për një ndër disfatat më të thella të Kosovës prejse merr pjesë në garat zyrtare të FIBA-s.