Dhjetëra punëtorë po e hiqnin borën nga fusha e Qendrës Nacionale të FFK-së në Hajvali për ta bërë gati për stërvitjen e parë të përfaqësueses së Kosovës në futboll. Disa me lopata e disa të tjerë me mjete motorike që nga mëngjesi i së hënës e deri rreth orës 16:00 punuan për ta pastruar fushën.
Por në momentet e fundit, stërvitja e “Dardanëve” u anulua. Se stërvitje nuk do të mbahet u kuptua vetëm në kohën kur ajo është dashur të fillonte, rreth orës 16:00.
Fusha u pastrua nga punëtorët e Federatës së Futbollit të Kosovës, të përkrahur nga disa anëtarë të tifo-grupit “Dardanët”.
Në fakt stërvitja e Kosovës ishte paraparë të mbahej në stadiumin “Fadil Vokrri”, të hënën nga ora 19:00. Ajo u zhvendos në Qendrën Nacionale të FFK-së në Hajvali, prej orës 16:00, e më pas u anulua, siç u tha nga FFK-ja, për shkak të vonesës së ardhjes së lojtarëve. Nga “Fadil Vokrri” u hoq dorë që të ruhet fusha për ndeshje, pas reshjeve të fundit.
“Ndonëse falë mobilizimit të FFK-së dhe anëtarëve të tifogrupit Dardanët, fusha në kamp ishte pastruar nga bora, vonesat në linjat ajrore për shkak të motit të lig dhe ardhja me vonesë e futbollistëve në aeroportin ndërkombëtar ‘Adem Jashari’ në Prishtinë, kanë bërë që përzgjedhësi Bernard Challandes të vendosë që stërvitjen ta kompensojë me rigjenerim dhe fitnes në hotelin ‘Emerald’”, shkruan në njoftimin e FFK-së.
Udhëheqësi i “Dardanëve”, Lulëzim Berisha, ishte i pranishëm të hënën në fushën e Kampit Nacional në Hajvali. Ai tha se në momentin që u kërkua nga ta që të ndihmojnë, nuk hezituan. Berisha thotë se e kanë borxh ndaj vendit që të ndihmojnë sa herë që kërkohet.
“Në momentin që morëm vesh që është duke u pastruar fusha, ne dolëm për të ndihmuar. 20-30 ‘Dardanë’ ndihmuan që të hiqet bora. Kurse sa i përket anulimit u tha se ka ardhur për shkak të vonesave të disa lojtarëve. Ne do të jemi çdoherë afër që të japim kontributin tonë. E kemi borxh, jo obligim”, u shpreh Berisha.
Kështu Kosova po has në probleme qysh në fillim të përgatitjeve, në kohën kur pritet një kthesë pas serisë negative që përfaqësuesja pati në Ligën e Kombeve vitin e kaluar. Është shtyrë për të martën edhe konferenca e përzgjedhësit Bernard Challandes, e cila ishte paraparë fillimisht për të hënën.
Kosova pritet të stërvitet të martën, kurse mediave do t’u drejtohet përzgjedhësi Bernard Challandes në konferencën që do të mbahet nga ora 12:00, në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Po ashtu të martën do të prezantohen edhe fanellat që Kosova do t’i bartë në ndeshjet kualifikuese për kampionatin botëror “Katari 2022”, si dhe sponsori i ri i përfaqësueses.
Kosova do ta luajë ndeshjen miqësore kundër Lituanisë menjëherë të mërkurën në “Fadil Vokrri”.
Të dielën, më 28 mars, Kosova do të përballet me Suedinë në të njëjtën arenë në kuadër të kualifikimeve për kampionatin botëror “Katari 2022”. Kurse më 31 mars përfaqësuesja do të luajë si mysafire e Spanjës.
Për duelet e marsit përzgjedhësi Bernard Challandes ka ftuar 27 lojtarë.
Të ftuar janë portierët Samir Ujkani, Arijanet Muriq, Visar Bekaj e Betim Halimi; mbrojtësit Mërgim Vojvoda, Florent Hadërgjonaj, Amir Rrahmani, Fidan Aliti, Ibrahim Dresheviq, Betim Fazliji, Leart Paqarada, Lirim Kastrati; mesfushorët Hekuran Kryeziu, Idriz Voca, Valon Berisha, Besar Halimi, Bersant Celini, Bernard Berisha, Milot Rashica, Elbasan Rashani, Edon Zhegrova, Lirim Kastrati, Florent Hasani, Arbër Zeneli dhe sulmuesit Vedat Muriqi, Atdhe Nuhiu, Benjamin Kololli.
Kosova do të marrë pjesë për herë të dytë në kualifikimet për Kampionat Botëror. Herën e parë ishte pjesëmarrëse për kualifikueset e botërorit “Russia 2018”, ku kishte përfunduar e fundit në grup me vetëm një pikë. Kishte barazuar 1:1 me Finlandën në ndeshjen e parë zyrtare kualifikuese, më 5 shtator 2016 në Turku. Ndërkohë, kishte humbur nga dy ndeshje prej Kroacisë, Islandës, Ukrainës dhe Turqisë. Po ashtu ishte mposhtur edhe nga Finlanda si vendase 1:0.