Sport

Kosova fiton pikën e parë në Botëror, barazon me Bahrejnin

Përfaqësuesja U-21 e Kosovës në hendboll (meshkujt) e ka mbyllur me barazim fazën e grupeve në kampionatin botëror që po mbahet në Spanjë. Kosova, të hënën, ka barazuar me Bahrejnin 29:29 në kuadër të Grupit C. Si për Kosovën ashtu edhe për Bahrejnin ky ishte barazimi i parë në kuadër të këtij botërori pas humbjeve që i regjistruan në ndeshjet e para.

Të dyja ekipet kanë regjistruar nga katër humbje dhe këtë fazë e kanë përfunduar në dy pozitat e fundit, me nga një pikë. Bahrejni është i parafundit për shkak të goldallimit më të mirë se Kosova që doli e fundit në grup, shkruan sot Koha Ditore.

Pas fazës së grupeve, Kosova do t'i zhvillojë edhe dy ndeshje për plasmanin përfundimtar, të cilat do t'i luaj gjatë kësaj jave me kundërshtarët që kanë përfunduar në dy pozitat e fundit në grupet e tjera.

Në pjesëlojën e parë, Bahrejni ishte për pak më i mirë dhe arriti të shkojë deri në katër gola epërsi, por në fund Kosova e ngushtoi në vetëm një gol epërsinë (15:14) për të shkuar në pushim. Me rezultatin e njëjtë që e humbi pjesën e parë, Kosova e fitoi pjesëlojën e dytë për rezultatin përfundimtar. Para barazimit me Bahrejnin, Kosova ka pësuar humbje nga Kroacia (23:17), Hungaria (36:21), Portugalia (32:21) dhe Brazili (36:23).

(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)