Sport

Kosova e suksesshme në Botëror, me gjithë sfidat e mëdha

Ekipi i Kosovës në xhudo është sfiduar seriozisht në Kampionatin Botëror që po mbahet në Tashkent të Uzbekistanit. Por me gjithë sfidat e papritura, ekipi i xhudisteve kthehet triumfues nga Uzbekistani. Ngjarjen e madhe, të suksesshme për Kosovën e bën medalja e bronztë e Distria Krasniqit. Distria ka zënë vend në podium në kategorinë deri 52 kilogramë.

Pos Distrisë, kanë garuar edhe Flaka Loxha, Laura Fazliu dhe Loriana Kuka. Pjesë e ekipit pra nuk ishin dy prej adutëve, Nora Gjakova dhe Akil Gjakova. Të dy janë në fazë rikuperimi pas operimeve që i kanë pasur dhe nuk ishin të gatshëm për Botëror. Kjo ishte “goditja” e parë dhe e madhe ndaj ekipit që drejtohet nga Driton Kuka. Trajneri Kuka nuk ishte me ekipin në Uzbekistan, ndërsa nga këndi xhudistet i ka drejtuar tashmë asistentja e tij, Majlinda Kelmendi.

Distria garoi në ditën e dytë dhe nisi mirë. Rreshtoi tri fitore para se të pësonte në gjysmëfinale nga britanikja Chelsie Giles. Në fakt ndaj saj realizoi hedhje të hershme për uazari. Gjyqtari në arenë ia dha pikën Distrisë, por komisioni i gjyqtarëve, që duelet i analizon përmes videoincizimit, e anuloi pikën. Kjo kishte ndikimin e vet, ndërsa Distria në fund pësoi humbje. Për vend të tretë, Distria fitoi ndaj izraelites Gefen Primo.

Distria ka fituar medaljen e dytë të bronztë në Kampionate Botërore. Ndërkohë Kosova ka arritur në shifrën e shtatë medaljeve nga Botërorët e xhudos.

Flaka Loxha garoi në kategorinë deri 57 kilogramë dhe u ndal në luftën e parë.

Laura Fazliu shihej me potencial për medalje, por u ndal në luftën e parë në kategorinë deri 63 kilogramë. Eliminimi i saj nuk ishte i zakonshëm. Ndonëse superiore dhe drejt fitores bindëse, Laura u suspendua për një veprim jo të kujdesshëm në duelin me kamerunasen Audrey Jeannette Etoua Biock. Në fakt gjatë një aksioni, Laura preku me kokë në tatami. Kjo vlerësohet lëvizje e rrezikshme dhe gjyqtarët e suspenduan xhudisten kosovare, duke i dhënë fund menjëherë rrugëtimit të saj.

Për arsye të njëjtë të martën u suspendua edhe Loriana Kuka, që garoi në kategorinë deri 78 kilogramë. Loriana kaloi në luftën e parë izraeliten Inbar Lanir. Ajo ishte bartësja e dytë. Po e kontrollonte edhe luftën ndaj ukrainases Yelizaveta Lytvynenko. Derisa tentoi ta rrëzonte ukrainasen, Loriana pati kontakt me kokë në tatami, përkatësisht në dysheme. Dhe gjyqtarët e suspenduan. Lytvynenko në fund fitoi medalje të bronztë.

Është bërë thuajse e zakonshme që ekipi i Kosovës në xhudo të fitojë medalje në secilën ngjarje të madhe që merr pjesë. Këtë vit, kështu ishte edhe në Evropian e në Lojëra Mesdhetare. Tani edhe në Botëror.

Trajneri Driton Kuka ndien se Distria është dashur të jetë në finale. Ka rezervat e tij edhe për vendimet ndaj Laurës dhe Lorianës.

“Ishte një sfidë, por kjo natyrisht nuk do të na ndalë. Ne shkojmë tutje drejt sukseseve të reja”, ka thënë Driton Kuka për KOHËN. “Ishte garë e disa vendimeve vërtet të çuditshme. Por është fillimi i ciklit olimpik dhe nuk ka arsye për brengë. Laura gjithsesi duhet të ndërrojë anën taktike, pasi kështu do të ketë telashe në nivelin senior. Loriana ende është në 60-70 për qind të mundësive. Po vjen ngadalë në formë. Flaka ka ende punë për të ardhur në nivel që të kërkojë medalje në Botëror”, ka shtuar trajneri Kuka, që ka treguar se Nora Gjakova do të kthehet shpejt në gara. Nora nuk ka garuar që nga Lojërat Olimpike të Tokios ku kishte fituar medaljen e artë.

Toni e xhudistët vazhdojnë punën për të tjera suksese kulmore për Kosovën. Sfida ka pasur edhe në të kaluarën, por ato nuk i kanë ndalur. Dhe kështu do të jetë edhe për pengesat e papritura që u paraqitën në Tashkent.