Sport

Kosova e mirëpret “Kupën e botës”

Përfaqësuesja e Kosovës nuk do të marrë pjesë në Kampionatin Botëror “Katari 2022”, por trofeu që do t’i ndahet kampionit të botës ishte për kohë të shkurtër në Kosovë. Së bashku me trofeun e çmuar ishte edhe një kampion bote që gjithashtu për herë të parë e vizitoi Kosovën.

Braziliani Gilberto Silva, ishte i pranishëm në evenimentin e organizuar nga kompania e pijes së njohur “Coca-Cola” në bashkëpunim me FIFA-n dhe Federatën e Futbollit të Kosovës, në të cilin u prezantua trofeu i Kupës së Botës.

Kosova është në mesin e 51 shteteve që nuk do të luajnë në Botërorin “Katari 2022”, e që patën nderin të mirëpresin trofeun. Braziliani Silva, si ambasador i FIFA-s, foli për emocionet që i ka sa herë që e sheh trofeun më me vlerë në futboll. Si futbollist, Silva është shpallur kampion bote me Brazilin në vitin 2002.

Ish-mesfushori i Arsenalit tha se ndihet shumë i nderuar me pjesëmarrjen në ngjarjen Kosovë, derisa foli me emocione për momentin e triumfit në Botërorin 2002. Është hera e parë që trofeu i Kupës së botës “zbarkoi” në Kosovë.

“Është kënaqësi e madhe të jem në mesin tuaj dhe të sjell trofeun e Kupës së botës këtu. Ky është një moment i veçantë për të gjithë ne. Sidomos për mua është moment magjik, të jem së bashku me këtë trofe duke vizituar qytete të shumta brenda pak ditësh së bashku me ekipin. Por si mund të përshkruaj këtë... çdoherë kur e shoh trofeun është gjithmonë shumë speciale, është magjike për mua, është emocionale. Më rikthen në kohën kur kam qenë fëmijë dhe kam luajtur futboll në rrugë në fshatin tim të vogël. Sigurisht që ishte një ëndërr për mua të luaj në Kupën e botës dhe unë kisha mundësinë që të fitoja këtë trofe dhe tani po e shijoj këtë eksperiencë të re”, është shprehur Silva. “Kam pasur fatin dhe më është dhënë mundësia të jem pjesë e familjes së futbollit dhe sot të jem në mesin tuaj. Është nder i madh për mua të jam në mesin tuaj këtu në Kosovë, të mësoj nga ju, të jem këtu t’ju shërbej, të ndihmojë në mënyrën më të mirë të mundshme, të inspiroj gjeneratat e reja”.

Edhe i pari i FFK-së, Agim Ademi, është shprehur i lumtur që në mesin e shumë shteteve që do të vizitohet nga Kupa e botës është edhe Kosova. Ai tha se para shtatë muajve FIFA kishte përzgjedhur edhe Kosovën që të jetë mikpritëse e trofeu të çmuar.

“Është një ngjarje shumë e rëndësishme për opinionin tonë, për futbollin e Kosovë,s për shtetin tonë. Qe gjashtë vjet, prejse jemi pranuar nga FIFA, erdhi edhe ngjarja më e madhe e cila bëhet në FIFA dhe në gjithë botën, që e vë në lëvizje gjithë botën e futbollit, me trofeun më të çmuar deri më tani në rruzullin tokësor Kupa e Botës, që ka arritur në Kosovë”, tha Ademi. “Para shtatë muajsh jemi akorduar me FIFA-n dhe jemi përzgjedhur për të qenë mikpritës të kësaj kupe. Kjo kupë ka ardhur nga dora e një legjende të futbollit të cilën e ka fituar dhe është një ogur i madh për ne. Dhe besojmë që edhe Kosova do të arrijë ta fitojë këtë kupë dhe ta sjellim në Kosovë si fitues të saj, duke besuar në futbollin tonë dhe talentin tonë”.

Përfaqësuesi i kompanisë “Coca-Cola” për Kosovë, Ilir Cakolli, ndihet i privilegjuar që Kosova është në mesin e shumë vendeve ku do të prezantohet Kupa e botës.

“Së bashku me FIFA-n është hera e pestë që organizohet një ngjarje e tillë. Është kënaqi dhe e veçantë edhe për ne si sistem i ‘Coca-Cola’ në Kosovë që për herë të parë në histori Kupa e botës, ky simbol kaq i veçantë, të gjendet në Kosovë. Besoj që është koha dhe momenti i duhur që kjo kupë të gjendet këtu në mesin tonë”.

Trofeu i çmuar krahas vizitës në 51 shtete të ndryshme do të prezantohet edhe në 32 vendet pjesëmarrëse në “Katari 2022”, që nis më 18 nëntor dhe përfundon më 21 dhjetor të këtij viti.