Sport

Kosova e gatshme për fitore edhe ndaj Greqisë

Fitoren në udhëtim ndaj Gjeorgjisë, përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes, pret që ta konfirmojë me lojë të mirë në shtëpi kundër Greqisë. Challandes në konferencën për shtyp, të mbajtur të shtunën, ka insistuar se pret lojë të mirë dhe të fortë prej ekipit të tij edhe kundër Greqisë. “Dardanët”, të dielën prej orës 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, përballen me Greqinë në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror “Katari 2022”. Kjo ndeshje i takon Grupit B, kurse Kosova do të jetë maksimalisht e motivuar pas fitores që e arriti të enjten në udhëtim ndaj Gjeorgjisë (1:0). Ky triumf ka rritur motivin tek ekipi kosovar, i cili e zhvilloi stërvitjen e fundit të shtunën para ndeshjes me Greqinë. Challandes në stërvitjet e fundit nuk e ka pasur në dispozicion vetëm portierin Visar Bekaj, që ka rezultuar pozitiv me koronavirus dhe do të mungojë ndaj Greqisë. Ndërkohë, Elbasan Rashani është stërvitur i diferencuar dhe mund të mos paraqitet të dielën.

“Ndeshja me Greqinë është e rëndësishme për ta konfirmuar ndeshjen e mirë në Gjeorgji. Luajmë ndaj një ekipi me lojë e lojtarë të mirë. Duhet të tregojmë edhe një herë lojë të mirë e të fortë. Ndeshja e parë ishte e mirë. Ndeshja e dytë nuk duhet të jetë problem, nuk kemi shumë lojtarë me lëndime. Rigjenerimi shkoi shumë mirë. Ishte përgatitje e mirë për ndeshjen e dytë. Ndeshja e tretë do të jetë e vështirë. Duhet të kemi kujdes edhe nga kartonët. Lojtarët janë gati për duelin e së dielës”, tha ai. “Jam shumë i lumtur me ndeshjen në Gjeorgji. Jo vetëm për rezultatin. Fillimisht kemi bërë paraqitje të mirë, teknikisht, mentalisht. Ekipi ishte kolektiv. Pikët më të rëndësishme për të ardhmen. Na pret ndeshje e vështirë tani menjëherë kundër Greqisë. Ekipi ka luajtur me mentalitet të mirë, të bashkuar. Ishte mentalitet ndryshe edhe në taktikë e teknikë. Ishte më shumë se ndryshim mentaliteti në kokë. Ka qenë e rëndësishme se si kemi luajtur me topin, si jemi mbrojtur mirë. Rashani, Kastrati e Bytyqi patën lojë të mirë kundër Gjeorgjisë”.

Challandes ka thënë se është i lumtur që tifozët do të kthehen në tribuna pas një mungese të gjatë. Në fakt, vetëm 10 për qind të kapacitetit të stadiumit do të mund të mbushet për shkak të situatës me pandeminë. Milot Rashica, i cili i mungoi Kosovës në ndeshjen me Gjeorgjinë, ka thënë se beson në rezultat pozitiv ndaj Greqisë. Rashica nuk udhëtoi fare në Gjeorgji për shkak se ky vend është në “listën e kuqe” të Britanisë.

“Jemi në situatë krejt tjetër nga ndeshjet e kaluara. Besoj dhe shpresoj që ndeshja me Gjeorgjinë ka treguar që luajmë mirë. Shanset janë të dalim me rezultatin pozitiv nga kjo ndeshje. Besoj që të gjithë e dinë që ne luajmë mirë në lojën ofensive. Në këso ndeshje detajet vendosin. Besoj dhe shpresoj ta bëjmë lojën tonë. Edhe në ndeshjen e kaluar patëm raste të mira dhe rastet që na jepen duhet t’i shfrytëzojmë”, tha Rashica.

Edhe te Greqia janë shprehur optimistë para përballjes me Kosovën. Grekët të shtunën kanë kryer stërvitjen para ndeshjes, kurse në konferencën për shtyp janë paraqitur përzgjedhësi John Van’t Schip dhe mbrojtësi Konstantinos Mavropanos. Për trajnerin grek takimi ndaj Kosovës është tejet i rëndësishëm. Ai ka kërkuar nga lojtarët e tij që të jenë të fokusuar maksimalisht në këtë përballje.

“Ne e dimë se çdo ndeshje është e rëndësishme. Ne kemi luajtur dy ndeshje ndaj Kosovës, por tani është një kohë tjetër. Ne kemi lojtarë të tjerë, ata kanë mbase lojtarë të tjerë. Për ne është e rëndësishme të jemi sa më të gatshëm për këtë takim. E dimë që Kosova ka një skuadër të fortë, por ne duhet të jemi të përgatitur për të bërë një paraqitje sa më të mirë në këtë përballje. E dimë se shihemi si favoritë në këtë ndeshje, por lojtarët e mi këtë duhet ta tregojnë në fushë”, deklaroi Van’t Schip.

Optimist para këtij takimi është shprehur mbrojtësi Mavropanos. Ky i fundit beson se do të marrin pikët e plota ndaj “Dardanëve”.

“Nuk kemi ndonjë lojtar të veçantë të Kosovës me të cilin do të identifikonim ekipin e tyre. Ne e dimë që Kosova është ekip shumë i fortë dhe e dimë se me kë do të ballafaqohemi. E dimë që keni fituar ndaj Gjeorgjisë, por ne jemi përgatitur për këtë ndeshje dhe do të mundohemi të dalim me tri pikë. Do të bëjmë çdo gjë, që të arrijmë fitoren në këtë takim”, u shpreh Mavropanos. “Nuk është grup i lehtë. Do të jetë një ndeshje e vështirë, të gjitha ndeshjet janë si finale. Kemi ngjitje dhe rënie të gjitha në grup. E dimë që mund të ketë befasi, e pamë Suedinë dhe Spanjën. Ne do të mundohemi të jemi sa më lart në kualifikim”.

Greqia të mërkurën luajti miqësore në Basel ndaj Zvicrës, të cilën e humbi me rezultatin e ngushtë 2:1. Aktualisht, Greqia zë vendin e katërt në grup me dy pikë, një më pak se Kosova që është e treta dhe ka një ndeshje më shumë të zhvilluar. Grupit i prin Suedia me nëntë pikë, ndërsa Spanja është e dyta me shtatë pikë të mbledhura. Pas ndeshjes me Greqinë, Kosova e pret në Prishtinë edhe Spanjën të mërkurën e ardhshme.