Dhuratë Sylejmani e Valmira Ramadani kanë arritur sukses, që nga Federata e Volejbollit e Kosovës është vlerësuar historik. Dy volejbollistet kanë arritur deri në finale të Kampionatit Ballkanik të volejbollit në rërë, që prej të premtes e deri të dielën është mbajtur në Balikesir të Turqisë.
Por Ballkaniku, të paktën sa u takon volejbollisteve, më shumë ka ngjarë me një garë të Turqisë. Gjashtë prej tetë ekipeve pjesëmarrëse ishin nga Turqia. Pos dyshes së Kosovës, kanë garuar edhe dy rumune.
Te volejbollistët ishin 15 ekipe, prej tyre nëntë nga Turqia. Ishte edhe ekipi i Kosovës e po ashtu dy ekipe nga Moldavia, dy nga Serbia dhe një nga Rumania.
Dyshja e Kosovës, Ramadani – Sylejmani, nisi garimin me humbje nga njëri ekip i Turqisë. Pësoi 2:0 në sete, të premten. Të shtunën, Ramadani e Sylejmani fituan 2:0 ndaj një tjetër ekipi turk. Po të shtunën, Ramadani – Sylejmani mposhti dyshen Ocakci – Toksoy, 2:0.
Të dielën ishin duelet përfundimtare. Në gjysmëfinale, ekipi i Kosovës fitoi ndaj ekipit tjetër turk, Toy – Aktas, me 2:0 në sete (21:16, 21:15). Dhe kështu dy volejbollistet kosovare zunë vend në finale.
“Historike: Kosova në finale të Kampionatit Ballkanik në Beach Volley për herë të parë”, ka njoftuar FVK-ja, pasi Sylejmani e Ramadani kaluan në finale. “Dyshja kosovare ishte në formë absolutisht brilante, derisa triumfoi me rezultat 2:0 në sete kundër Turqisë 2”, vazhdon njoftimi.
Në finale, ekipi i Kosovës u përball me turket Gokalp Bahanur e Celebi Merve. Turket fituan 2:0 në sete, 21:14, 21:17. Vendin e tretë e zuri ekipi rumun.
Te volejbollistët, Kosovën e kanë përfaqësuar Fatlum Hajrizi e Erion Bajrami. Duelin e parë, të premten, ata e humbën 2:0 në sete nga një ekip turk (21:14, 21:12). Të shtunën dy volejbollistët kosovarë është dashur të takohen me dyshen nga Serbia, Vukashin Rajkoviq – Marko Makariq. Por volejbollistët serbë kanë refuzuar të përballen me ekipin përfaqësues të Kosovës dhe kanë humbur me rezultat zyrtar (21:0, 21:0).
Hajrizi e Bajrami rrugëtimin e kanë përfunduar po të shtunën kur humbën 2:0 në sete nga dyshja moldave, Dobcis – Korsakov. Te volejbollistët vendin e parë e zuri ekipi tjetër nga Serbia. Ai në finale fitoi ndaj njërit ekip turk, 2:1 në sete.