Sport

Kosova beson në fitore ndaj Belgjikës

Pas humbjes nga Turqia, hendbollistët e Kosovës kërkojnë fitoren ndaj Belgjikës në kuadër të eliminatoreve për Botërorin 2023. Kosova të mërkurën u mposht 25:23 në Eskishehir nga Turqia, ndërsa të dielën prej orës 17:00 përballet me Belgjikën në Prishtinë.

Kjo ndeshje i takon fazës së parë kualifikuese të Botërorit dhe zhvillohet në kuadër të Grupit 1. Te Kosova, atmosfera ishte e mirë të shtunën në stërvitjen e fundit para duelit me Belgjikën. Të shtunën pas Kosovës është stërvitur edhe Belgjika, që sikurse “Dardanët” pësoi humbje në ndeshjen e parë të mërkurën.

Belgjika u mposht në shtëpi 29:27 nga Greqia. Te Kosova po synojnë t’ia shkaktojnë Belgjikës humbjen e dytë rresht në këto kualifikime dhe janë optimistë se do t’i marrin pikët e para. Përzgjedhësi Bujar Qerimi ka vlerësuar lart angazhimin e lojtarëve të tij në stërvitje përpara ndeshjes me Belgjikën.

“Menjëherë pas lojës ndaj Turqisë kemi nisur përgatitjet për ndeshjen e radhës, atë ndaj Belgjikës. E kemi analizuar ndeshjen me Turqinë ku kemi bërë gabime dhe jemi përqendruar për takimin e radhës. Përgatitjet janë duke shkuar jashtëzakonisht mirë besoj dhe jam i bindur që ky grup i lojtarëve ka kualitetin për ta fituar këtë takim”, deklaroi Qerimi.

Trajneri i “Dardanëve” beson se me fitore eventuale të dielën Kosova do të jetë në garë për njërën nga pozitat e para në renditje.

“Është motivim jashtëzakonisht i madh të luajmë para publikut tonë. Besoj se do të jemi të ndihmuar nga publiku ynë jashtëzakonisht shumë pasi është shumë e nevojshme. Ne para publikut tonë jemi edhe më të motivuar dhe kjo mund të na shërbejë të paraqitemi sa më mirë. Ne dëshirojmë të arrijmë fitore për të mbetur në garë dhe të vazhdojmë të luftojmë deri në fund për pozitë sa më të lartë në grupin tonë”, deklaroi Qerimi.

Optimistë para duelit me Belgjikën janë shprehur edhe hendbollistët e tjerë, ndërsa kapiteni Valon Dedaj pret rezultat pozitiv.

“Jemi jashtëzakonisht të motivuar për këtë ndeshje dhe besoj se kemi bërë përgatitjet e duhura për këtë përballje. Synimi ynë në këtë ndeshje është padyshim fitorja. Në shtëpi luajmë shumë mirë dhe jemi të lumtur që do të kemi përkrahjen e publikut pasi luajmë jashtëzakonisht mirë ndeshjet si vendas. Do të japim maksimumin që të vijmë deri te fitorja në këtë takim. E dimë se nuk do të jetë ndeshje e lehtë, por besojmë se kemi kualitetin e duhur për të arritur deri te fitorja”, deklaroi Dedaj.

I të njëjtit mendim është edhe Drenit Tahirukaj. “Përgatitjet kanë shkuar shumë mirë dhe kemi punuar intensivisht për takimin e radhës. Në ndeshjen e parë kemi luajtur mirë, por kemi bërë disa gabime të cilat duhet t'i përmirësojmë. Kemi pasur kohë që të analizojmë kundërshtarin tonë. Kemi parë shumë materiale rreth tyre dhe besoj se jemi një hap para tyre. I dimë pikat e tyre të forta dhe të dobëta dhe besoj se në këtë ndeshje do të arrijmë fitore”, u shpreh Tahirukaj.