Sulmuesit e Shqipërisë, Sokol Cikalleshi e Endri Çekiqi ia kanë siguruar fitoren Konyasporit ndaj Bashakshehirit. Në duelin e luajtur të dielën, në kuadër të xhiros së dytë të Superligës së Turqisë, Konyaspori ka fituar me rezultatin 2:1, ndonëse në pjesën e parë ishte në disavantazh.
Fillimisht, Çekiqi barazoi rezultatin në minutën e 51-të, përpara se Cikalleshi (87’) ta shënoj golin e fitores pas asistimit të Zymer Bytyqit.
Për Cikalleshin, ky është goli i dytë këtë sezon në po aq ndeshje të luajtura në elitën e futbollit turk. Cikalleshi luajti gjatë tërë ndeshjes për Konyasporin, ndërsa Bytyqi e Çekiqi ishin titullarë, por u zëvendësuan në minutën e dytë të kohës shtesë. Për Konyasporin, kjo është fitorja e dytë këtë edicion.