Komisioni për Ankesa i shkallës së dytë të Federatës së Futbollit të Kosovës ka refuzuar ankesën e Lirisë. Komisioni i FFK-së e ka vlerësuar të pabazuar ankesën e Lirisë, ndërsa ka lënë në fuqi vendimin e Komisionit të Garave të marrë më 14 shkurt. Vendimi është marrë të mërkurën, ndërsa është publikuar të enjten në faqen e FFK-së.
“Komisioni për Ankesa – shkalla e dytë, pas shqyrtimit të ankesës dhe provave mori këtë vendim bazuar në nenin 119 pika A i Rregullores Disiplinore. Komisioni për Ankesa – shkalla e dytë në marrjen e këtij vendimi i është referuar nenit 58 pika b dhe pika g të Rregullores Disiplinore. Neni 58 ‘Lojtari është paraqitur në mënyrë të parregullt nëse ka luajtur’: Pika (b) për klubin për të cilin nuk është regjistruar. Ankesa e KF “Liria“ , është bazuar në nenin 64 të Rregullores Disiplinore me ç ‘rast Komisioni për Ankesa konstatoi se ky nen nuk përputhet me rastin konkret pasi që ka të bëjë kundërvajtjet gjatë procesit të regjistrimit të lojtarëve, ndërsa neni 58 ka të bëjë pikërisht me paraqitjen e parregullt të lojtarëve në një ndeshje zyrtare”, shkruan në arsyetimin e Komisionit për ankesa – shkalla e dytë.
Klubi i futbollit Liria, ka bërë ankesë në Komisionin e Apelit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK). Liria e Prizrenit ka kërkuar që të miratohet ankesa e saj dhe t’i hiqen deri në nëntë pikë klubit nga Drenasi, Feronikeli '74.
Ankesa është bërë më 15 shkurt, një ditë pasi Komisioni i Garave i FFK-së miratoi ankesën e Trepçës ’89 dhe konfirmoi se Feronikeli ’74 kishte aktivizuar gjashtë lojtarë që nuk ishin regjistruar sipas rregullores për regjistrimin, statusin dhe transferimin e lojtarëve.
Feronikeli ‘74 kishte fituar 1:0 ndeshjen e një të tetës së finales së Kupës së Kosovës ndaj Trepçës ’89, të luajtur më 4 shkurt në Drenas. Ai rezultat fillimisht nuk ishte regjistruar nga Komisioni i Garave, ndërsa javën e kaluar ky Komision e ka regjistruar ndeshjen me rezultat zyrtar, 3:0, në të mirë të ekipit mitrovicas.
Komisioni i Garave pati konfirmuar se për klubin nga Drenasi në atë ndeshje kanë luajtur pa të drejtë Armend Blakqori, Donat Hasani, Fitim Susuri, Adem Maliqi, Endrit Baholli dhe Shpresim Zogu.
Sipas Komisionit, deri më 4 shkurt nuk kishte njoftim për regjistrimin e këtyre lojtarëve përmes platformës FIFA Connect.