Sport

Kombëtarja angleze, lojtarët e tifozët - të mahnitur e falënderues me mikpritjen kosovare

Anglezët janë mirëpritur në Kosovë si askund tjetër.

Përderisa në Mal të Zi e Bullgari u pritën me thirrje raciste për lojtarët me ngjyrë, në Kosovë, mijëra tifozë në stadiumin “Fadil Vokrri” kanë mbajtur flamuj anglezë dhe kanë kënduar himnin “God Save the Queen”.

Përveç tifozëve anglezë që janë befasuar me pritjen në Prishtinë, ku u qerasën me birra nga kosovarët, për mikpritjen kanë reaguar që prej Federatës së Futbollit të Anglisë, futbollistëve, gazetave ndërkombëtare e deri tek ambasadori britanik në Kosovë, raporton KTV.

“Çfarë mirëpritje. Faleminderit Kosovë”, ka shkruar në Twitter faqja zyrtare e përfaqësueses angleze.

Falënderimeve u janë bashkuar edhe lojtarët si Harry Maguire, Ben Chillwell dhe Mason Mount.

Mbrojtësi i Manchester Unitedit ka shkruar se ka qenë kënaqësi udhëtimi në Kosovë, të cilin e ka cilësuar si vend me njerëz të mirë. E krejt në fund, mbrojtësi i ka uruar Kosovës fat për të ardhmen.

Mason Mount, njëri prej golashënuesve në fitoren 4 me 0, ka shkruar se atmosfera ka qenë brilante, teksa të dielën e ka cilësuar si natë shumë të veçantë.

Mikpritja kosovare ka qenë lajm që prej gazetës “The Sun” e deri në Shtetet e Bashkuara në ekranet e rrjetit CNN.

Në të gjitha këto mediume është përmendur mbajtja e flamurit anglez gjatë himnit të Anglisë në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Kryeredaktori i redaksisë së sportit në gazetën “The Mirror”, në raportimin pas ndeshjes, ka thënë të jetë i mahnitur me atë që ka parë në stadium.

Fjala “Kosovo” në Angli, ka dalë të jetë më e kërkuar në Google vetëm pas ndeshjeve me Anglinë. Kosova, sipas një raporti të Kos’Data, ka qenë më e kërkuar nga anglezet gjatë ndeshjeve futbollistike, sesa në ditën kur u shpall pavarësia.

E një ditë pas ndeshjes, ambasadori britanik në Kosovë, Nicolas Abbot, ka thënë se është edhe më krenar për punën në Kosovë, për shkak të mikpritjes që iu bë kombëtares së tij.