Sport

KOK-u njofton për ndryshimet e bursave olimpike “Paris 2024”

Bordi Ekzekutiv i Komitetit Olimpik të Kosovës ka vendosur që të bëj ndryshime në listën e bursave olimpike “Paris 2024”, varësisht nga performanca e sportistëve, ka njoftuar KOK-u të premten në Facebook.

Këto ndryshime kanë ardhur pas mbledhjes së fundit. KOK-u të premten njoftoi se për shkak të rezultateve pozitive të xhudistëve, Laura Fazliu dhe Akil Gjakova, do të mbështeten me nga 1000 dollarë dhe jo me nga 750 dollarë sa mbështeteshin më parë.

Fazliu dhe Gjakova së shpejti pritet të konfirmohen me normë për pjesëmarrje në Lojërat Olimpike që në këtë verë organizohen në Paris.

Ndryshime të vlerës së bursës ka pasur edhe në sportin e boksit. Donjeta Sadiku do të mbështetet me 50 dollarë më shumë, dhe ajo do të përfitojë 900 dollarë në total.

Boksierja më e mirë në vend vlerësohet shpresë e madhe për të fituar normën olimpike. Në sportin e atletikës, Gresa Bakraqi nga 380 dollarë, tani do të mbështetet me 450 dollarë.

Pas paraqitjeve të mira në gara ndërkombëtare, KOK-u ka njoftuar që edhe shenjëtari, Drilon Ibrahimi, është i përfshirë në bursë dhe do të mbështetet me 250 dollarë në muaj.

Ndërkohë, KOK-u ka njoftuar edhe për tërheqjen e mundësit, Egzon Shala.

Për shkak të lëndimeve dhe në pamundësi për të vazhduar rrugëtimin për normë olimpike Paris 2024, nga bursa është tërhequr me vetiniciativë mundësi Egzon Shala”, shkruan Komiteti Olimpik i Kosovës.

KOK-u në total ndan 22 bursa olimpike për sportistët elitarë.