Është ndarë nga jeta kameramani shumëvjeçar, Rexhep Shehu. Shehu ka punuar si kameraman për shumë dekada, ndërsa për kohë të gjatë ka përcjellë ngjarje sportive për RTK-në.
Ngushëllime familjes Shehu të shtunën i kanë shprehur asociacione të shumta sportive, duke përfshirë Komitetin Olimpik të Kosovës dhe Federatën e Futbollit të Kosovës.
“Me profesionalizmin e tij, Rexhep Shehu dha kontribut të çmuar në ndjekjen e aktiviteteve të shumta sportive, duke qenë krah i djathtë i informimit vizuel. KOK-u do ta kujtojë përherë si njeriun që me vullnet të pashoq ishte i pranishëm në aktivitetet tona, duke xhiruar me profesionalizëm të lartë për RTK-në”, thuhet në telegramin e KOK-ut për familjen Shehu, RTK-në dhe Shoqatën e Gazetarëve Sportivë.
“Rexhep Shehu ishte veprimtar i shquar i sportit. Ai në vitet shtatëdhjeta ishte futbollist i spikatur te Flamurtari, derisa më pas kontributin e tij si futbollist dhe si trajner e dha në diasporë, te Dardania në Zvicër. I ndjeri dha kontribut të jashtëzakonshëm në sport edhe si xhirues televiziv, fillimisht në TVP e më pas në RTK. U dallua për profesionalizëm, afërsi dhe dashamirësi me sportistët”, thuhet në telegramin e FFK-së.
Shehu është ndarë nga jeta në moshën 67-vjeçare, pas një sëmundje të rëndë. Ai ishte edhe autor i programeve sportive si Ditari i Peshkatarit.