Prishtinë, 29 nëntor - Ishte kohë e vështirë për vendin kur “Koha Ditore” vendosi të shpallë sportistin më të mirë të vitit në Kosovë. Ndonëse në prag të luftës, sportistët nuk e kishin ndërprerë aktivitetin. Madje në vitet nëntëdhjetë sporti i pavarur ishte prej formave të rezistencës ndaj okupatorit.
Dhe ishte momenti që dikush të kujdesej për të shpërblyer me një çmim të veçantë suksesin e tyre, ndonëse në rrethana të jashtëzakonshme. “Koha Ditore” mori përsipër këtë.
Atletit Zijadin Kryeziu i takoi çmimi i parë, ai i vitit 1997. Ishte fillimi i një tradite që tashmë është më e gjata në vend për shpalljen e më të mirëve në sport. Ceremonia e KOHËS, “Sportisti i Vitit”, që tradicionalisht mbahet në fund të dhjetorit, cilësohet matësi më i mirë për paraqitjen e sportistëve gjatë një viti kalendarik. Shpallja bëhet nga një juri profesionale, e përbërë nga njerëz të sportit dhe që për kriter kanë vetëm suksesin sportiv.
Çmimet e KOHËS ndër vite i kanë fituar sportistët më të mëdhenj të Kosovës si Majlinda Kelmendi, Luan Krasniqi, Besnik Hasi, Nora Gjakova e shumë të tjerë.
KOHA nuk e ndërpret traditën e shpalljes së më të mirëve as këtë vit. Ndonëse pandemia ka sfiduar të gjithë, sporti është zhvilluar dhe sukseset e sportistëve kosovarë nuk kanë munguar. Aktivitetet e sukseset për shkak të pandemisë ishin dukshëm më të vogla se viteve të kaluara, por, megjithatë, ishte një vit i suksesshëm sa i takon sportit kosovar.
Janë fituar medalje në ngjarje të mëdha, janë shënuar fitore me peshë në sporte ekipore, kurse një gjeneratë e re ka dalë në skenë. Një pjesë e tyre pas një muaji do të mund të mburren me çmimet e KOHËS.
Për shkak të pandemisë, ceremonia e zakonshme “Sportisti i Vitit” nuk do të mbahet. Por më të mirët do të shpallen. Shpallja do të bëhet në kuadër të emisionit “Sporti Total” në KTV, në edicionin e fundit të këtij viti.
Të dielën, po në “Sportin Total”, janë paraqitur nominimet. Pra, sportistët që konkurrojnë për çmimet e më të mirëve.
Është hera e 22-të që KOHA shpall më të mirët e vitit në sport. Vjet çmimet kryesore i fituan Vedat Muriqi e Loriana Kuka. Muriqi kishte shkëlqyer me Përfaqësuesen e Kosovës në futboll, ndërsa Loriana Kuka kishte fituar medalje të bronzta në Botërorin e Xhudos e po ashtu në Lojërat Evropiane. Xhudistet vazhdojnë të shquhen me suksese dhe janë pretendente për çmimin e sportistes më të mirë të vitit. Në konkurrencë janë tri xhudiste seniore e një te të rejat.
Shpalljen e më të mirëve, bazuar në meritat sportive, e bën një juri profesionale gjatë muajit dhjetor. Nominimet janë bërë nga Redaksia e Sportit e KOHËS.
Shpallen sportisti më i mirë i ri i vitit, sportistja më e mirë e re e vitit, klubi më i mirë i vitit te meshkujt, klubi më i mirë i vitit te femrat, sportisti më i mirë i vitit dhe sportistja më e mirë e vitit. Ndahen po ashtu disa çmime të veçanta.
Në të gjitha kategoritë konkurrenca vlerësohet e fortë.
Sporti është goditur rëndë nga pandemia. Evropiani i futbollit është shtyrë për vitin e ardhshëm e po ashtu edhe Lojërat Olimpike, në të cilat sportistët kosovarë kanë synuar medalje. Ngjarja kryesore e sportit është shtyrë për vitin tjetër. Edhe disa prej ceremonive të shpalljes së më të mirëve në sport janë anuluar. Kështu “France Football” ka anuluar ndarjen e çmimit kryesor në futboll, “Topi i Artë”. Por UEFA ka shpallur më të mirin, e njëjtë do të veprojë edhe FIFA.
Në Kosovë, FFK-ja ka njoftuar se do të shpallë futbollistin e vitit, por pa ndonjë ceremoni. Edhe federatat e tjera sportive pritet të veprojnë ngjashëm.
Nominimet për “Sportisti i Vitit 2020”
Sportisti më i mirë i ri i vitit
Muhamet Ramadani (atletikë)
Remzo Mustafiq (boks)
Alaudin Suma (atletikë)
Benjamin Shabani (karate)
Betim Maliqi (karate)

Sportistja më e mirë e re e vitit
Laura Fazliu (xhudo)
Albulena Gërvalla (karate)
Vesa Ibrahimi (karate)
Kaltrina Biqkaj (futboll)
Amela Llugaliu (volejboll)

Klubi më i mirë i vitit - meshkujt
Drita (futboll)
Prishtina (futboll)
Gjilani (futboll)
Besa Famgas (hendboll)
Peja (basketboll)

Klubi më i mirë i vitit – femrat
Mitrovica (futboll)
Istogu (hendboll)
Ferizaj (hendboll)
Bashkimi (basketboll)
M-Technologie (volejboll)

Sportisti më i mirë i vitit
Amir Rrahmani (futboll)
Mirlind Daku (futboll)
Hamdi Namani (futboll)
Drilon Hajrizi (basketboll)
Kastriot Jupa (hendboll)

Sportistja më e mirë e vitit
Distria Krasniqi (xhudo)
Loriana Kuka (xhudo)
Donjeta Sadiku (boks)
Nora Gjakova (xhudo)
Erëleta Memeti (futboll)

Sportisti më i mirë i vitit sipas votimit në internet
Amir Rrahmani (futboll)
Mirlind Daku (futboll)
Hamdi Namani (futboll)
Drilon Hajrizi (basketboll)
Kastriot Jupa (hendboll)
Distria Krasniqi (xhudo)
Loriana Kuka (xhudo)
Donjeta Sadiku (boks)
Nora Gjakova (xhudo)
Erëleta Memeti (futboll)
Fituesit e deritashëm
1997 - Zijadin Kryeziu
2000 - Besnik Hasi
2001 - Kushtrim Munishi
2002 - Luan Krasniqi
2003 - Afrim Latifi - Kaltrinë Krasniqi
2004 - Luan Krasniqi - Besire Domaniku
2005 - Luan Krasniqi - Majlinda Kelmendi
2006 - Habib Ademi - Daulina Osmani
2007 - Arben Muqolli - Majlinda Kelmendi
2008 - Visar Berisha - Majlinda Kelmendi
2009 - Majlinda Kelmendi
2010 - Majlinda Kelmendi
2011 - Majlinda Kelmendi
2012 - Nora Gjakova - Shpëtim Idrizi
2013 - Nora Gjakova - Dardan Berisha
2014 - Nora Gjakova - Dardan Berisha
2015 - Nora Gjakova - Dardan Berisha
2016 - Nora Gjakova - Herolind Nishevci
2017 - Nora Gjakova - Dardan Berisha
2018 – Nora Gjakova – Akil Gjakova
2019 – Loriana Kuka – Vedat Muriqi