Për herë të 23-të, Grupi KOHA shpall më të mirët e vitit në sport. Ceremonia “Sportisti i Vitit 2021” mbahet të mërkurën mbrëma në hotel “Emerald”, ndërsa transmetohet në KTV të njëjtën natë nga ora 21:20.
KOHA ka traditën më të gjatë në vend të shpalljes së më të mirëve në sport. Ceremonia e KOHËS, “Sportisti i Vitit” shquhet për seriozitetin e shfaqur për mbi dy dekada dhe vlerësohet matës kredibil sa i takon të arriturave në sport.
Ishte viti 1997 kur gazeta “Koha Ditore” vendosi të shpërblejë më të mirët e sportit. Ndonëse në okupim, sportistët kosovarë nuk i kishin ndalur aktivitetet dhe më i miri ishte shpallur atleti Zijadin Kryeziu.
Pas luftës, në vitin 2000, “Koha Ditore” së bashku me KTV-në shpallën Besnik Hasin më të dalluarin e vitit. Më pas fituan Kushtrim Munishi (futboll) e Luan Krasniqi (boks), ndërsa më pas u vendos për dy fitues, nga një për sportistë e sportiste. Me formatin e ri më të mirët e vitit 2003 u shpallën karateistët Afrim Latifi dhe Kaltrinë Krasniqi. Në vitin 2004 u dalluan, sipas KOHËS, boksieri Luan Krasniqi dhe pingpongistja Besire Domaniku.
Në vitin 2005, KOHA ua besoi çmimet Majlinda Kelmendit dhe Luan Krasniqit. Për një dekadë e gjysmë u dëshmua se KOHA kishte vlerësuar e parashikuar drejt. Majlinda bëri karrierë të jashtëzakonshme, që përfshin titull olimpik në xhudo, dy tituj të botës, shumë të Evropës dhe dhjetëra medalje në garat e tjera prestigjioze të xhudos.
Prej vitit 2005 çmimet e KOHËS i kanë dominuar xhudistet e Ipponit, përkatësisht të trajnerit Driton Kuka. Sukseset e tyre kanë shkuar duke u rritur. Në vitin 2012, KOHA ka larguar nga konkurrenca Majlindën, për shkak të shkëputjes së madhe të saj atëbotë.
Por tradita e shpalljes së më të mirëve ka vazhduar dhe vazhdon ende. Tani KOHA për herë të 23-të shpall më të mirët.
Viti 2021 vlerësohet shumë i suksesshëm për sportin kosovar. Ndër të tjera, janë fituar dy medalje të arta olimpike nga xhudistet Distria Krasniqi e Nora Gjakova. Nora ka fituar edhe medalje botërore, ndërsa në Evropian xhudistët ishin të jashtëzakonshëm. Me Akil Gjakovën, Kosova e ka kampionin e parë evropian për seniorë. Medalje evropiane ka fituar edhe karateisti Herolind Nishevci.
Ndërkohë, medalje nga garat prestigjioze janë fituar edhe në konkurrencën e të rinjve.
Kështu që për çmimet kryesore konkurrenca vlerësohet shumë e fortë. KOHA shpall sportistin më të mirë të vitit, sportisten më të mirë të vitit, sportistin më të mirë të ri të vitit dhe sportisten më të mirë të re të vitit.
Po ashtu ndahen edhe çmimet për klubin më të mirë në konkurrencë të meshkujve dhe klubin më të mirë në konkurrencë të femrave.
Derisa te meshkujt klubet kanë bërë hapa para në skenën evropiane, për klubet e femrave ky vit ishte më i zbehtë sa u takon sukseseve ndërkombëtare. Por konkurrenca ishte e fortë për shkak të nivelit thuajse të barabartë.
Nominimet janë bërë nga Redaksia e sportit në Grupin KOHA, ndërsa më të mirët shpallen nga komisioni në përbërje: Linda Shala (kryetare), Sami Sermaxhaj (profesor i shkencave sportive dhe trajner futbolli), Kushtrim Krasniqi (zëdhënës i KOK-ut), Kemajl Goca (gazetar sportiv), Qeqa Krelani (gazetare sportive), Tahir Sopi (gazetar sportiv), Florim Maliqaj (gazetar sportiv).
Për bazë më shumë merret suksesi në skenën evropiane e më pas sukseset në nivelin vendor.
KOHA, sipas traditës, ndan edhe çmime të veçanta. Këtë herë është vendosur për të ndryshuar paksa formatin. Nuk ka sportist të vitit sipas votimit në internet, ndërsa do të ndahen dy mirënjohje të veçanta: mirënjohja për Vepër Jetësore, si dhe çmimi “Majlinda Kelmendi”. Çmimi “Majlinda Kelmendi” për të dytin vit rresht ndahet për inspirim në sport. Më herët ishte ndarë për arritje kulmore, por KOHA ka vendosur ta ndryshojë arsyen e ndarjes së këtij çmimi prestigjioz.
Të nominuarit për ceremoninë “Sportisti i Vitit 2021”
Sportisti më i mirë i ri i vitit
Muhamet Ramadani (atletikë)
Luan Morina (boks)
Elton Krasniqi (futboll)
Sportistja më e mirë e re e vitit
Behije Mustafa (karate)
Diellza Sejdijaj (karate)
Erza Muminoviq (xhudo)
Klubi më i mirë i vitit (meshkujt)
Prishtina (futboll)
Drita (futboll)
Besa Famgas (hendboll)
Golden Eagle Ylli (basketboll)
Peja (volejboll)
Klubi më i mirë i vitit (femrat)
Mitrovica (futboll)
Vushtrria (hendboll)
Penza (basketboll)
Drita (volejboll)
Sportisti më i mirë i vitit
Egzon Shala (mundje)
Amir Rrahmani (futboll)
Endrit Krasniqi (futboll)
Erjon Kastrati (basketboll)
Akil Gjakova (xhudo)
Egzon Gjuka (hendboll)
Herolind Nishevci (karate)
Sportistja më e mirë e vitit
Nora Gjakova (xhudo)
Distria Krasniqi (xhudo)
Fortesa Orana (karate)
Marigona Hajdari (hendboll)
Saranda Daci (basketboll)
Dhuratë Sylejmani (volejboll)
Liridona Syla (futboll)
Fituesit e deritashëm
1997 - Zijadin Kryeziu
2000 - Besnik Hasi
2001 - Kushtrim Munishi
2002 - Luan Krasniqi
2003 - Afrim Latifi - Kaltrinë Krasniqi
2004 - Luan Krasniqi - Besire Domaniku
2005 - Luan Krasniqi - Majlinda Kelmendi
2006 - Habib Ademi - Daulina Osmani
2007 - Arben Muqolli - Majlinda Kelmendi
2008 - Visar Berisha - Majlinda Kelmendi
2009 - Majlinda Kelmendi
2010 - Majlinda Kelmendi
2011 - Majlinda Kelmendi
2012 - Nora Gjakova - Shpëtim Idrizi
2013 - Nora Gjakova - Dardan Berisha
2014 - Nora Gjakova - Dardan Berisha
2015 - Nora Gjakova - Dardan Berisha
2016 - Nora Gjakova - Herolind Nishevci
2017 - Nora Gjakova - Dardan Berisha
2018 - Nora Gjakova - Akil Gjakova
2019 - Loriana Kuka - Vedat Muriqi
2020 - Distria Krasniqi – Amir Rrahmani