Sport

KOHA të enjten shpall më të mirët e vitit në sport, zbulohen të nominuarit

Grupi KOHA për herë të 24-t shpall sportistët më të mirë të vitit. Ceremonia “Sportisti i Vitit 2022” mbahet të enjten, më 22 dhjetor, nga ora 18:00 në hotelin “Emerald” në Prishtinë.

Shtëpia jonë mediale mburret me traditën e gjatë, më të gjatën në vend, të shpalljes së më të mirëve të vitit në sport.

Edhe gjatë vitit 2022, sukseset e sportit kosovar nuk kanë munguar, ndonëse jo si në vitin 2021, kur dy medaljet e arta olimpike ishin kulmi. Në krahasim me vitin e kaluar, suksesi më i madh ishte në sportet ekipore, përkatësisht në futboll. U dallua Ballkani me arritjen në fazën grupore të Ligës së Konferencës. Ka pasur suksese edhe në sporte të tjera, para së gjithash në xhudon e zakonshme dhe në boks.

Si zakonisht, redaksia e sportit e KOHËS i bën nominimet për fituesit nëpër kategori, ndërsa juria e përbërë nga njerëz të sportit dhe me bagazh në lëmin e sportit, e bën përzgjedhjen e më të mirëve.

Juria për këtë vit përbëhet nga: Linda Shala, kryetare tradicionale e jurisë dhe nënkryetare e Federatës së Basketbollit të Kosovës; Afërdita Fazlija, zëvendësdrejtoreshë e Departamentit të Sportit në MKRS; Kushtrim Krasniqi, udhëheqës i Departamentit të Mediave në Komitetin Olimpik të Kosovës; Kemajl Goca, gazetar i sportit në Bota Sot; Erdin Hashani; trajner i futbollit dhe analist sportiv në KTV; Tahir Sopi, gazetar i sportit në Grupin KOHA dhe Faton Polisi, gazetar i sportit në Grupin KOHA.

Juria përzgjedh më të mirët në gjashtë kategori: sportistja më e mirë e re e vitit, sportisti më i mirë i ri i vitit, klubi më i mirë i vitit (femrat), klubi më i mirë i vitit (meshkujt), sportistja më e mirë e vitit, sportisti më i mirë i vitit.

Në listën e të nominuarve nuk janë përfshirë dy karateistë që kanë fituar medalje në Evropianët e këtij viti. Kështu është vendosur për shkak se dy karateistët janë të dënuar nga Federata e Karatesë së Kosovës për përfshirje në një incident të rëndë. Dënimet janë ende në fuqi, ndërsa redaksia e sportit ka vendosur që dy karateistët të mos i nominojë, duke pasur parasysh që misioni i KOHËS është edhe promovimi i vlerave të mirëfillta sportive.

Sa i takon futbollit, për të respektuar suksesin e Ballkanit, është vendosur që për sportist të vitit të nominohen lojtarë të kësaj skuadre. Kjo assesi nuk nënkupton që KOHA nuk vlerëson suksesin që futbollistët e Kosovës kanë arritur në klubet evropiane. Amir Rrahmani e Vedat Muriqi, ndër të tjerë, kanë pasur një vit shumë të suksesshëm, por për këtë vit është vendosur që të nominohen futbollistët që karrierën e zhvillojnë në ligën kosovare.

Vitin e kaluar më të mirët ishin Nora Gjakova e Distria Krasniqi te sportistet dhe Akil Gjakova te sportistët.

KOHA ndan edhe disa çmime të veçanta, për të cilat nuk vendos juria. Bëhet fjalë për çmime si “Majlinda Kelmendi”, Mirënjohje për vepër jetësore, punëtor sportiv i vitit e ndonjë tjetër.

Edhe këtë vit konkurrenca në disa kategori është shumë e fortë, kurse më të mirët shpallen të enjten mbrëma.

Sportistja më e mirë e re e vitit

Erza Muminoviq (xhudo)

Kiana Kryeziu (skijim)

Rinesa Osmani (karate)

Sportisti më i mirë i ri i vitit

Muhamet Ramadani (atletikë)

Lindon Emërllahu (futboll)

Dardan Cena (xhudo)

Klubi më i mirë i vitit (femrat)

EP COM Hajvalia (futboll)

Penza (basketboll)

Istogu (hendboll)

Drita (volejboll)

Klubi më i mirë i vitit (meshkujt)

Ballkani (futboll)

Drita (futboll)

Golden Eagle Ylli (basketboll)

Besa Famgas (hendboll)

Peja (volejboll)

Sportistja më e mirë e vitit

Donjeta Sadiku (boks)

Laura Fazliu (xhudo)

Distria Krasniqi (xhudo)

Leonora Demaj (hendboll)

Erëleta Memeti (futboll)

Adelajda Prenga (volejboll)

Astera Tuhina (basketboll)

Sportisti më i mirë i vitit

Akil Gjakova (xhudo)

Shpejtim Bajoku (boks)

Egzon Gjuka (hendboll)

Erjon Kastrati (basketboll)

Albin Tahiri (skijim)

Armend Thaqi (futboll)

Albion Rrahmani (futboll)

Fituesit e deritashëm

1997 - Zijadin Kryeziu

2000 - Besnik Hasi

2001 - Kushtrim Munishi

2002 - Luan Krasniqi

2003 - Afrim Latifi - Kaltrinë Krasniqi

2004 - Luan Krasniqi - Besire Domaniku

2005 - Luan Krasniqi - Majlinda Kelmendi

2006 - Habib Ademi - Daulina Osmani

2007 - Arben Muqolli - Majlinda Kelmendi

2008 - Visar Berisha - Majlinda Kelmendi

2009 - Majlinda Kelmendi

2010 - Majlinda Kelmendi

2011 - Majlinda Kelmendi

2012 - Nora Gjakova - Shpëtim Idrizi

2013 - Nora Gjakova - Dardan Berisha

2014 - Nora Gjakova - Dardan Berisha

2015 - Nora Gjakova - Dardan Berisha

2016 - Nora Gjakova - Herolind Nishevci

2017 - Nora Gjakova - Dardan Berisha

2018 - Nora Gjakova - Akil Gjakova

2019 - Loriana Kuka - Vedat Muriqi

2020 - Distria Krasniqi – Amir Rrahmani

2021 – Nora Gjakova, Distria Krasniqi – Akil Gjakova

2022 ?