Grupi KOHA të enjten shpall sportistët më të mirë të këtij viti. Kjo është hera e 24-t që KOHA shpall më të mirët, ndërsa ceremonia “Sportisti i Vitit 2022” mbahet të enjten prej orës 18:00, në hotelin “Emerald” në Prishtinë. Shpallja e më të mirëve të vitit është traditë e gjatë dhe Grupi KOHA mburret me traditën më të gjatë në vendin tonë. Sigurisht se edhe gjatë vitit 2022 sportit kosovar nuk i kanë munguar sukseset, të cilat nuk janë sikurse në vitin 2021, kur u fituan dy medalje të arta olimpike nga Distria Krasniqi e Nora Gjakova.
Megjithatë, dallimi i këtij viti me vitin e shkuar është se suksesi më i madh erdhi në sportet ekipore, në këtë rast në futboll. E meritat më të mëdha për këtë i ka skuadra e Ballkanit nga Suhareka. Ballkani u bë ekipi i parë nga Kosova që u kualifikua në një fazë të grupeve në garat e UEFA-s. Luajti në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës. Po ashtu, sukseset këtë vit nuk kanë munguar as në sportet e tjera, siç janë xhudoja dhe boksi. Redaksia e Sportit të KOHËS nominimet për fituesit i ka bërë nëpër kategori, ndërsa juria që ka votuar ishte e përbërë nga njerëz të sportit dhe me bagazh në këtë lëmë. Juria e këtij viti përbëhet nga Linda Shala, e cila është kryetare tradicionale e jurisë dhe nënkryetare e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK).
Pastaj është Afërdita Fazlija (zëvendësdrejtoreshë e Departamentit të Sportit në MKRS), Kushtrim Krasniqi (udhëheqës i Departamentit të Mediave në Komitetin Olimpik të Kosovës), Kemajl Goca (gazetar sporti në “Bota Sot”), Erdin Hashani (trajner dhe analist sportiv në KTV), si dhe gazetarët e sportit në Grupin KOHA, Faton Polisi e Tahir Sopi. Juria ka pasur punë me përzgjedhjen e më të mirëve në gjashtë kategori: sportistja më e mirë e re e vitit, sportisti më i mirë i ri i vitit, klubi më i mirë i vitit (femrat), klubi më i mirë i vitit (meshkujt), sportistja më e mirë e vitit, sportisti më i mirë i vitit. Megjithatë, në listën e të nominuarve nuk janë përfshirë edhe dy karateistë, të cilët kanë fituar medalje në Evropianët e këtij viti. Kjo është vendosur për shkak se të dy karateistët janë të dënuar nga Federata e Karatesë së Kosovës (FKK) për përfshirje në një incident të rëndë.
Dënimet për ta janë ende në fuqi, ndërsa Redaksia e Sportit ka marrë vendim që të dy karateistët të mos nominohen, duke pasur parasysh që KOHA e ka mision promovimin e vlerave të mirëfillta sportive. Shkaku i suksesit të madh të Ballkanit po ashtu është vendosur që për sportistë të vitit të nominohen futbollistët e kësaj skuadre, gjë që në asnjë mënyrë nuk nënkupton mosvlerësimin e KOHËS për suksesin e lojtarëve të Përfaqësueses së Kosovës, që e kanë pasur nëpër klubet evropiane. Kapiteni Amir Rrahmani dhe sulmuesi Vedat Muriqi ishin ndër lojtarët e “Dardanëve” që kanë pasur një vit tejet të suksesshëm, por këtë vit është marrë vendim të nominohen futbollistët që bëjnë karrierë në Kosovë. Më të mirët e vitit të shkuar në ceremoninë e vitit të Grupit KOHA u shpallën Nora Gjakova e Distria Krasniqi te sportistët, ndërsa epiteti i sportistit i takoi xhudistit Akil Gjakova. Edhe këtë vit konkurrenca nëpër secilën kategori është e fortë, ndërsa KOHA si zakonisht edhe këtë herë do të ndajë disa çmime të tjera për të cilat nuk vendos juria. Këto janë çmimet “Majlinda Kelmendi”, mirënjohje për vepër jetësore, për punëtorin sportiv të vitit dhe ndonjë tjetër.
Me këtë ceremoni të mbajtur të enjten mbrëma, Grupi KOHA mbyll një vit të suksesshëm për sportin dhe sportistët e Kosovës. Traditën e shpalljes së më të mirëve të vitit KOHA e ka nisur në vitin 1997, ku atëbotë më i miri ishte shpallur atleti Zijadin Kryeziu. Për shkak të luftës në Kosovë, ceremonia nuk është mbajtur deri në vitin 2000, për të vazhduar dhe për të mos u ndalur më.
Në vitin 2000 më i miri ishte Besnik Hasi, për të vazhduar me Kushtrim Munishin (2001), Luan Krasniqin (2002), Afrim Latifin e Kaltrinë Krasniqin (2003), Luan Krasniqin e Besire Domanikun (2004), Luan Krasniqin e Majlinda Kelmendin (2005), Habib Ademin e Daulina Osmanin (2006), Arben Muqollin e Majlinda Kelmendin (2007), Visar Berishën e Majlinda Kelmendin (2008), Majlinda Kelmendin (2009, 2010, 2011), Nora Gjakovën e Shpëtim Idrizin (2012), Nora Gjakovën e Dardan Berishën (2013), Nora Gjakovën e Dardan Berishën (2014), Nora Gjakovën e Dardan Berishën (2014), Nora Gjakovën e Dardan Berishën (2015), Nora Gjakovën e Herolind NIshevcin (2016), Nora Gjakovën e Dardan Berishën (2017), Nora Gjakovën e Akil Gjakovën (2018), Loriana Kukën e Vedat Muriqin (2019), Distria Krasniqin e Amir Rrahmanin (2020), Nora Gjakovën – Distria Krasniqin e Akil Gjakovën (2021).
Të nominuarit
Sportistja më e mirë e re e vitit
Erza Muminoviq (xhudo)
Kiana Kryeziu (skijim)
Rinesa Osmani (karate)
Sportisti më i mirë i ri i vitit
Muhamet Ramadani (atletikë)
Lindon Emërllahu (futboll)
Dardan Cena (xhudo)
Klubi më i mirë i vitit (femrat)
EP COM Hajvalia (futboll)
Penza (basketboll)
Istogu (hendboll)
Drita (volejboll)
Klubi më i mirë i vitit (meshkujt)
Ballkani (futboll)
Drita (futboll)
Golden Eagle Ylli (basketboll)
Besa Famgas (hendboll)
Peja (volejboll)
Sportistja më e mirë e vitit
Donjeta Sadiku (boks)
Laura Fazliu (xhudo)
Distria Krasniqi (xhudo)
Leonora Demaj (hendboll)
Erëleta Memeti (futboll)
Adelajda Prenga (volejboll)
Astera Tuhina (basketboll)
Sportisti më i mirë i vitit
Akil Gjakova (xhudo)
Shpejtim Bajoku (boks)
Egzon Gjuka (hendboll)
Erjon Kastrati (basketboll)
Albin Tahiri (skijim)
Armend Thaqi (futboll)
Albion Rrahmani (futboll)