Sport

KOHA sot shpall më të mirët e vitit në sport

KOHA të premten (sot) shpall sportistët më të mirë të vitit 2023 në Kosovë.

Ky edicion i “Sportistit të Vitit” është i veçantë, jubilar. Për të 25-n herë shpallen sportistët më të mirë. Ceremonia jubilare mbahet prej orës 19:00 në hotelin “Emerald” në Prishtinë. Shpallja e më të mirëve të vitit është përmbledhje e sukseseve gjatë 12 muajve dhe KOHA mburret me traditën më të gjatë në vend për shpalljen e sportistëve të dalluar.

Edhe gjatë vitit 2023 sportit kosovar nuk i kanë munguar sukseset, si individuale ashtu edhe ekipore. Si gjithnjë, xhudistëve të udhëhequr nga kryemjeshtri Driton Kuka nuk u kanë munguar medaljet në garat e mëdha ndërkombëtare. Në garat ekipore veçohet suksesi i arritur nga karateistet e Kosovës në Kampionatin Botëror. Ato fituan medaljen e bronztë. Për vitin e dytë rresht, Ballkani i Suharekës ka arritur deri në fazën grupore të Ligës së Konferencës, ndërsa ka kërkuar deri në fund edhe kalimin e grupit. Medalje janë fituar edhe në disa sporte të tjera, por jo të nivelit më të lartë.

Redaksia e Sportit të KOHËS i ka bërë nominimet, ndërsa juria që ka votuar ishte e përbërë nga njerëz të sportit dhe me bagazh në këtë lëmi.

Juria e këtij viti përbëhet nga Linda Shala, e cila është kryetare tradicionale e jurisë dhe nënkryetare e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK). Pastaj është Afërdita Fazlija (zëvendësdrejtoreshë e Departamentit të Sportit në MKRS), Kushtrim Krasniqi (udhëheqës i Departamentit të Mediave në Komitetin Olimpik të Kosovës), Kemajl Goca (gazetar i sportit në “Bota Sot”) dhe gazetar i sportit në KOHË, Tahir Sopi.

Juria ka pasur punë për përzgjedhjen e më të mirëve në gjashtë kategori: Sportistja më e mirë e re e vitit, Sportisti më i mirë i ri i vitit, Klubi më i mirë i vitit (femrat), Klubi më i mirë i vitit (meshkujt), Sportistja më e mirë e vitit, Sportisti më i mirë i vitit.

Është vendosur të nominohen vetëm sportistët që aktivitetin, përkatësisht stërvitjet i zhvillojnë në Kosovë.

Vitin e kaluar më të mirët u shpallën futbollisti i Ballkanit, Armend Thaqi, dhe xhudistja Distria Krasniqi.

Edhe këtë vit konkurrenca nëpër secilën kategori është e fortë, ndërsa KOHA si zakonisht do të ndajë disa çmime të tjera për të cilat nuk vendos juria. Janë çmimet “Majlinda Kelmendi”, çmimi për punëtorin sportiv të vitit dhe disa të tjera.

Traditën e shpalljes së më të mirëve të vitit gazeta “Koha Ditore” e ka nisur në vitin 1997, ku atëbotë më i miri ishte shpallur atleti Zijadin Kryeziu.

Për shkak të luftës në Kosovë, ceremonia nuk është mbajtur deri në vitin 2000, për të vazhduar dhe për të mos e ndalur më.

Në vitin 2000 më i miri ishte Besnik Hasi, për të vazhduar me Kushtrim Munishin (2001), Luan Krasniqin (2002), Afrim Latifin e Kaltrinë Krasniqin (2003), Luan Krasniqin e Besire Domanikun (2004).

Luan Krasniqi e Majlinda Kelmendi u shpallën më të mirët në vitin 2005, Habib Ademi e Daulina Osmani në vitin 2006, Arben Muqolli e Majlinda Kelmendi (2007), Visar Berisha e Majlinda Kelmendi (2008).

Majlinda Kelmendi ishte fituese e vetme në vitet 2009, 2010 e 2011.

Dominimi i xhudos vazhdoi me Norën, Distrinë e Lorianën.

Se kush janë më të mirët e vitit 2023 do të mësohet të premten mbrëma.

Të nominuarit

Sportistja më e mirë e re e vitit

  • Lonisa Reka (mundje)
  • Malvina Haziri (basketboll)
  • Sidorela Dodaj (xhudo)

Sportisti më i mirë i ri i vitit

  • Ensar Badallaj
  • Elvir Gashijani (futboll)
  • Blin Kuka (xhudo)

Klubi më i mirë i vitit (femrat)

  • EP Hajvalia (futboll)
  • KBF Bashkimi (basketboll)
  • KHF Istogu (hendboll)
  • KVF Drita (volejboll)

Klubi më i mirë i vitit (meshkujt)

  • KF Ballkani (futboll)
  • KB Peja (basketboll)
  • KH Besa Famgas (hendboll)
  • KV Peja (volejboll)
  • Prishtina 01 (futsall)

Sportistja më e mirë e vitit

  • Nora Gjakova (xhudo)
  • Distria Krasniqi (xhudo)
  • Laura Fazliu (xhudo)
  • Lumbardha Misini (futboll)
  • Arbnore Përquku (basketboll)
  • Loresa Avdyli (volejboll)
  • Albina Rugova (hendboll)

Sportisti më i mirë i vitit

  • Nazmi Gripshi (futboll)
  • Lumbardh Dellova (futboll)
  • Akil Gjakova (xhudo)
  • Drilon Hajrizi (basketboll)
  • Egzon Gjuka (hendboll)
  • Muhamet Ramadani (atletikë)
  • Bashkim Bajoku (boks)
  • Dardan Cena (xhudo)