Sport

KOHA i vë vulë një viti plot suksese të Akilit

Për herë të shtatë rresht Nora Gjakova është vlerësuar “Sportistja më e mirë e Vitit” nga Grupi KOHA.

Prej vitit 2012 e deri më tash karriera e Norës ka shkuar duke u ngritur, kurse titulli evropian i fituar këtë vit e ka bërë xhudisten pejane të pakonkurrencë në mesin e sportisteve për 2018-n. Por çmimi i sportistes së vitit 2018 është i veçantë edhe për Norën.

Në ceremoninë e mbajtur të mërkurën, Norës në skenë iu bashkua vëllai Akil Gjakova. Për herë të parë Grupi KOHA shpalli më të mirët e vitit një vëlla e motër, pra xhudistët Nora e Akil Gjakova. Akil Gjakova, 22-vjeçar, është shpallur më i miri i vitit duke fituar garën e fortë me futbollistin Arbër Zeneli. Akili për herë të parë u shpall sportisti më i mirë i vitit, por e synon këtë çmim edhe shumë herë në të ardhmen.

Emra të mëdhenj të sportit e kanë fituar çmimin “Sportist i Vitit” gjatë dy dekadave sa ndahet ai. Më 1997 më i miri ishte shpallur atleti Zijadin Kryeziu, ndërsa fitues të mëvonshëm ishin Besnik Hasi, Kushtrim Munishi, Luan Krasniqi (tri herë), Afrim Latifi, Habib Ademi, Arben Muqolli, Visar Berisha, Shpëtim Idrizi, Herolind Nishevci e Dardan Berisha (katër herë).

Për 2018-n, çmimi i më të mirit i takon Akil Gjakovës. Lista e sukseseve të tij në këtë vit është e gjatë.(Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).