Sport

Klubi shumetnik i Vitomiricës me sukses të veçantë në Kupën e Kosovës

Tabela në hyrje të fushës me bari sintetik të Beharit, ishte tregues i qartë se bëhet fjalë për një klub të vogël. Në zyrat e klubit ishin disa kupa të fituara, por jo të ndonjë rëndësie të madhe. Kjo nuk do të thotë se Behari nuk ka synime të mëdha për të ardhmen. Dhe shenjat janë të duhurat.

Suksesi i arritur në edicionin aktual të Kupës së Kosovës është historik për klubin nga Vitomirica, lagjes periferike të Pejës. E veçanta e klubit Behar është se bëhet fjalë për mjedis multietnik.

Behari i Ligës së Dytë është në çerekfinale të Kupës së Kosovës. Ka kaluar dy kundërshtarë.

E eliminoi Ferizajn me rezultat zyrtar 3:0, pasi ferizajasit aktivizuan një lojtar pa të drejtë. Më pas, Behari fitoi 3:1 ndaj Prizrenit, që po ashtu bën gara në Ligën e Dytë.

Tani do të ballafaqohet me Vushtrrinë.

Trajneri i skuadrës, Miftar Rama, është emër i njohur në Kosovë. Besën e ka udhëhequr në dy periudha. Në vitin 2011, kur skuadra pejane zuri vendin e tretë në Superligë, dhe para tre vjetësh, kur Besën e ktheu në Superligë.

Tani Rama po e kalon edicionin e dytë te FK Behar. Ai thotë se me kryetarin Asmir Zekiq dhe zyrtarët e tjerë kanë bërë një program që lojtarët të rriten si profesionistë. Synon që të luajnë në Ligën e Parë e më pas pse jo edhe në Superligë.

“Gara e Kupës është shumë interesante. Çdo ekip ka të njëjtën përvojë në atë garë. Ne kemi hyrë të provojmë të shkojmë sa më lartë. Unë e di se Vushtrria ka kualitet dhe është në garë për të hyrë në Superligë. E dimë se ne jemi autsajderë në atë lojë, por ne nuk shkojmë në Vushtrri me flamur të bardhë. Ne do të provojmë të rrezikojmë Vushtrrinë dhe ta fitojmë atë lojë”, ka thënë Rama. KOHA gjatë javës ka vizituar skuadrën nga Vitomirica.

Te Behari, përveç boshnjakëve ka të përfshirë edhe futbollistë shqiptarë dhe të komuniteteve tjera.

Kapiteni, mesfushori 21-vjeçar, Art Bojku, tha se në skuadër mbretëron atmosferë shumë e mirë dhe se të gjithë janë të bashkuar.

“Kemi cilësi të mirë të lojtarëve. Po na shkon mirë. E respektuam Kupën e Kosovës. Çdo lojtar u angazhua dhe dha maksimumin e vet. Kemi besuar që mundemi të shkojmë lartë. Tash në Vushtrri do të shkojmë të luajmë futboll, nuk i dihet futbollit. Ka shumë angazhim te lojtarët dhe nuk i dihet kurrë”, ka thënë Bojku.

Erion Thaqi shënoi dy gola në 1/8 e finales, në fitoren ndaj Prizrenit. Ai uron që të vazhdojë me suksese.

“ Jam ndier mjaft krenar, sepse kam arritur ta ndihmoj ekipin tim me dy gola. Nuk është se kemi ndonjë objektiv të caktuar, por do të hyjmë në çdo lojë dhe do ta tregojmë veten siç e kemi treguar tani”, tha Thaqi, sulmuesi i krahut të majtë.

Sulmuesi Rejsan Nurkoviq, synon rezultate të mira, ndërsa beson në kualifikim tutje.

“Kemi trajnerin më të mirë në regjionin e Pejës dhe më gjerë. Synimet i kemi të vazhdojmë në Kupë dhe në ligë të marrim rezultate sa më të mira. Ekipi është i mirë, i ri. Atmosfera është super dhe besojmë se do të ecim përpara, me rezultate të mira. Vushtrria është një ekip super dhe është në formë, por ne presim të japim maksimumin dhe shpresojmë se mund të bëjmë një rezultat të mirë”, tha 25-vjeçar.

Driton Tovërlani kryen disa role në klub. Është sekretar e trajner i portierëve. Në mungesë të portierëve, ruan edhe portën. Thotë se është e vështirë t’i kryejë të gjitha punët, por e bën këtë nga vullneti dhe dëshira për ta ndihmuar ekipin.

“Është i vetmi klub multietnik në Kosovë ku bëjnë pjesë shqiptarët, boshnjakët, po ashtu edhe romët. Kemi një fushë me terren sintetik. E falënderojmë edhe kryetarin e FFK-së, Agim Ademi, që na ka mundësuar ta ndërtojmë këtë fushë. Shpresoj në të ardhmen që të jemi klub edhe më i organizuar. Jemi me paga modeste për futbollistët tonë, falë diasporës, FFK-së, sponsorëve”, deklaroi ai.

Behari është në pozitën e gjashtë pas 17 xhirove të luajtura në Ligën e Dytë të Kosovës. Ka 30 pikë.