Sport

Klubi i themeluar një vit më parë siguron inkuadrimin në Superligë

Feronikeli 74, klub i themeluar vetëm vitin e kaluar, ka siguruar inkuadrimin në Superligën e Kosovës në futboll.

Feronikeli 74 është themeluar vjet, ndërsa zuri vend në Ligën e Parë falë një fuzionimi shumë të dyshimtë, që nuk u sqarua asnjëherë.

Feronikeli 74 thirret në të kaluarën e klubit Feronikeli nga Drenasi, që ka ndalur aktivitetin. Shfrytëzon të gjitha asetet e klubit Feronikeli.

Ka hequr dorë vetëm nga borxhet shumë të mëdha të klubit të dikurshëm kampion nga Drenasi. Feronikeli 74 të dielën barazoi pa gola në udhëtim tek A & N dhe kështu siguroi vendin e parë në Ligën e Parë, grupi A.

Ka mbledhur 57 pikë, tri më shumë se Liria e Prizrenit. Nga grupi B i Ligës së Parë në Superligë inkuadrohet Fushë Kosova.