Për shumë gjëra Feronikeli ishte i pari në vitet e fundit. U bë kampioni i parë i Kosovës pas pranimit në UEFA dhe FIFA në vitin 2016. Si kampion, fitoi të drejtën e pjesëmarrjes në kualifikimet e Ligës së Kampionëve. Paraqitja në Evropë, megjithatë, iu mohua për shkak të mosplotësimit të kritereve. Por Feronikeli nuk u ndal. Vazhdoi investimet dhe kjo iu shpërblye sërish. Klubi nga Drenasi doli kampion i Kosovës për herë të tretë në vitin 2019.
Feronikeli vlerësohet klubi që vendosi standard të ri të pagave për lojtarët në futbollin kosovar. Rriti pagat e lojtarëve dhe kjo më pas ishte e papërballueshme për klubin.
Rreth 700 mijë euro është shuma e obligimeve të pakryera nga Feronikeli. Pos ndaj lojtarëve dhe trajnerëve, klubi nga Drenasi borxh ka edhe ndaj shtetit, përkatësisht Administratës Tatimore të Kosovës. Të gjitha borxhet janë mbledhur prej 2019-s, ndërsa do t’i bartë edhe në Ligën e Parë. Feronikeli ka rënë nga elita.
Ndërkohë Prishtina vetëm në xhirot e fundit siguroi mbijetesën. Edhe te Prishtina vlerësohet situatë e rëndë financiare, borxhet janë të mëdha. Shkak për grumbullimin e borxheve janë pagat e larta të futbollistëve. Te Prishtina disa lojtarë janë larguar shkaku i borxheve, ndërsa atyre që kanë kontrata edhe për disa vjet klubi u ka thënë se janë të lirë të largohen.
Te Prishtina kanë paralajmëruar ulje të madhe të shpenzimeve për edicionin e ri, përkatësisht të pagave për lojtarët. Por jo vetëm Prishtina ka vendosur t’i ulë shpenzimet për paga. Janë edhe klubet e tjera të Superligës që kanë vendosur të mos i paguajnë lojtarët si në edicionet e kaluara. Është raportuar se ka lojtarë që janë paguar për një muaj mbi 7 mijë euro.
Por jo të gjithë kanë realizuar të hyrat që u garantohen me kontrata. Dhe shumë prej lojtarëve i kërkojnë paratë që u takojnë përmes rrugëve ligjore, përkatësisht përmes FFK-së dhe FIFA-s.
Prishtina, për shembull, ka borxh prej 1.3 milionë eurosh. Borxhe kanë edhe disa klube të tjera, para së gjithash Feronikeli e Drenica.
Disa prej klubeve kanë pasur shpenzime prej mbi një milion euro për një edicion. Shpenzimet më të mëdha janë për paga dhe tashmë klubet po kanë vështirësi për t’i mbuluar ato. Dhe rrjedhimisht po planifikojnë ulje të shpenzimeve për paga.
Këtë e konfirmojnë për KOHËN disa zyrtarë nga klubet që kanë shpenzuar më së shumti në vitet e fundit në Kosovë.
Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, thotë se ka një dakordim për ulje të shpenzimeve, konkretisht buxhetin për lojtarë.
“Të gjitha klubet jemi dakorduar se do të ketë ulje, jo shumë, por pak dhe të jemi stabil. Komplet vitin Llapi ka pasur 800 mijë euro shpenzime”, ka thënë Batatina të dielën për KOHËN. Ai thotë se nuk do të ketë rritje të buxhetit. Do të ketë ulje. Batatina ditë më parë ka pranuar se ka procese të hapura me disa ish-lojtarë që pretendojnë se u ka mbetur borxh Llapi.
Ulje të pagave do të ketë edhe te Gjilani. Zyrtarë të Gjilanit në kushte anonimiteti kanë thënë se po planifikojnë ulje të shpenzimeve. Gjilani ka pasur mbi 1 milion euro shpenzime.
“Do t’i ulim shumë çmimet. Kemi një takim dhe do të vendosim edhe për këtë çështje. Por në parim jemi pajtuar t’i ulim shpenzimet. Kemi pasur mbi 1 milion euro shpenzime. Nuk mund të specifikoj se sa kanë shkuar për paga, por aty përfshihen edhe pagat dhe shpenzimet e tjera”, kanë thënë nga klubi Gjilani.
Gjilani e Llapi janë klube stabile në vitet e fundit, por kjo assesi nuk mund të thuhet për Prishtinën, që ka borxhe të mëdha. Marrëdhëniet mes aksionarëve të klubit nuk janë të mira dhe ka shumë paqartësi për të ardhmen. Por ulja e shpenzimeve për paga vlerësohet e domosdoshme për Prishtinën.
Edhe te Drenica kanë pranuar problemet me financa, ndërsa te Drita thonë se nuk ka ende vendim përfundimtar rreth shpenzimeve.
“Nuk e kemi diskutuar asnjëherë këtë temë. Po mendoj që as s’i kemi rritur e as nuk i kemi ulur. Gjithmonë kemi vepruar me ato që kemi planifikuar. Si e kemi planifikuar buxhetin vjetor”, ka thënë drejtori i Dritës, Feti Murseli.
Drita vlerësohet një prej klubeve më stabile nga ana financiare. Nuk i kanë munguar as sukseset në vitet e fundit.