Klubet më traditë në futbollin e Kosovës, Vëllaznimi i Gjakovës dhe Trepça e Mitrovicës, po kalojnë vite të vështira. Të dyja garojnë në Ligën e Parë, Grupi A, dhe për më tepër renditen në fund të tabelës.
Vëllaznimi është i fundit. Ka vetëm një pikë nga nëntë ndeshje, duke pësuar tetë humbje. Trajneri Gani Sejdiu dha dorëheqje pas katër xhirove të para. Vendin e tij e zuri Ekrem Radoniqi.
Edhe Radoniqi ka ofruar dorëheqjen, por e cila është refuzuar nga kryesia e klubit.
Për KOHËN, Radoniqi thotë se është në dilemë. Nëse kthehet, do ta bëjë vetëm për emrin e klubit.
“Unë pas humbjes nga Trepça, të hënën, kam dhënë dorëheqje dhe jam përshëndetur me lojtarët. Por kryesia nuk e ka pranuar dorëheqjen dhe ende jam në mëdyshje se çka do të bëj. Nëse do të rikthehem në postin e trajnerit, do ta bëj vetëm për emrin e klubit, ku kam luajtur pothuajse tërë karrierën time. Kam qenë për 13 vjet edhe trajner i juniorëve. Unë nuk fitojë asgjë te Vëllaznimi, kam ardhur pa ndonjë kompensim. Unë vetëm mund të humbi, por nuk fitoj asgjë. Kur kam qenë lojtarë mezi kam pritur që të vij dhe të luaj, kurse sot mezi shkoj në ndeshje”, u shpreh Radoniqi.
Sipas tij, gjendja e Vëllaznimit është katastrofike. Thotë se fondi i lojtarëve është i vogël dhe mungon cilësia.
Radoniqi mendon se disa lojtarë nuk e meritojnë ta veshin fanellën e Vëllaznimit.
“Unë e kam marr ekipin që tri javë. Kemi arritur një barazim ndaj Rilindjes 1974. Mund të them që gjendja është katastrofike. Ekipit të Vëllaznimit i mungon cilësia. Ka fond të vogël të lojtarëve dhe mezi po ia dalim që të bëjmë një ekip për të luajtur. Futbollistët pa paga është vështirë të motivohen. Kur nuk ka paga dhe nuk ka fond të mjaftueshëm të lojtarëve, është shumë e vështirë. Janë 4-5 lojtarë të cilët e meritojnë të luajnë. Disa lojtarë nuk e meritojmë të veshin fanellën e Vëllaznimit. Me lëndime apo kartonë të kuq, është vështirë për ne, pasi nuk kemi lojtarë cilësorë dhe duhet të ndërrohet e gjithë strategjia e lojës”, deklaroi trajneri gjakovar.
Radoniqi theksoi se nëse nuk ndërmerret diçka brenda 2-3 muajve, Vëllaznimin e pret fati i Besës së Pejës. Besa, tjetër klub me nam, ka rënë në kategorinë e tretë dhe po turpërohet me rezultate.
“Me sa e di Komuna i ka dhënë klubit mjete financiare. Janë paguar disa borxhe të mëhershme. Por klubi ka shumë borxhe, për ushqim, për qira e për gjëra të tjera. Nuk e di saktë, por e di që Vëllaznimi ka shumë borxhe. Kjo gjendje e klubit është që nga paslufta. Por, nëse vazhdohet kështu edhe 2-3 muaj, mund të them që Vëllaznimin e pret fati i Besës së Pejës”, thotë Radoniqi.
Pak më mirë se Vëllaznimi punët i ka Trepça, të paktën në tabelë. Mitrovicasit renditen në vendin e parafundit (9) me tetë pikë.
Dikur këto skuadra garonin në elitën e futbollit kosovar. Madje, Trepça ka qenë kampione e Kosovës në vitin 2010. Për nga tradita, Trepça e Vëllaznimi formojnë katërshen e madhe, së bashku me Prishtinën dhe Lirinë e Prizrenit.
Pasi u bë kampione, gjërat nuk kanë shkuar mbarë për Trepçën dhe periudhën më të madhe e ka kaluar në kategorinë e dytë.
Trajneri i Trepçës, Emin Baliqi, thotë se gjendja momentale nuk është aspak e mirë. Sipas Baliqit, ekipi ka mundur të ketë më shumë pikë, por janë disa faktorë që kanë ndikuar.
“Po, jemi të parafundit në tabelë dhe me pak pikë. Por në bazë të ndeshjeve dhe disa rrethanave që na kanë përcjellë gjatë këtyre xhirove, do duhej të kishim më shumë pikë, por ja që jemi këtu ku jemi. Shpresoj që të paraqitemi më mirë në ndeshjet e radhës”, tha Baliqi.
Baliqi thekson se mungesa e stadiumit dhe e fushës ndihmëse po e penalizon më së shumti klubit.
Trepça ka disa vjet që nuk po mund ta shfrytëzojë stadiumin “Adem Jashari”. Në këtë stadium ka nisur një rinovim i plotë. Por punët janë ndalur dhe nuk dihet kur do të vazhdojnë. Rrjedhimisht as kur do të përfundojë rinovimi. Trepça po detyrohet të luajë në vende të tjera. Së fundi si nikoqire luajti në Skënderaj.
Baliqi mendon se me gjendjen aktuale vështirë se mund të ketë rikthim të shpejtë në Superligë.
“Distanca nuk është e madhe në pikë, por ne po penalizohemi edhe me fushë të cilën nuk e kemi. Po detyrohemi të luajmë jashtë qytetit, ose në fushë që nuk po na konvenon. Momentalisht me këtë gjendje pa stadium dhe pa fushë stërvitore nuk kemi mundësi më shumë. Duhet punë e madhe sepse nuk është qëllimi vetëm të hymë në Superligë. Shpresoj në ditë më të mira”, u shpreh Baliqi.
Shumë klube me traditë në futbollin e Kosovës në vitet e fundit po kalojnë nëpër krizë të thellë dhe nuk janë pjesë e Superligës. Në Ligën e Parë, përveç Vëllaznimit dhe Trepçës, është edhe Liria e Prizrenit. Prizrenasit renditen në vendin e tretë në Grupin A dhe po synojnë rikthimin në Superligë.