Sport

Këshillat e babait ndihmuan Rrahmanin të shpërthejë

Golashënuesi më i mirë në Ligën e Konferencës pas tri raundeve kualifikuese, Albion Rrahmani, e pranon se nuk ka pritur që të jetë në këtë pozitë.

Rrahmani thekson se ka besuar që do të ketë paraqitjet të mira, nëse do t’i jepet rasti, por jo se do të shquhet me kaq shumë gola.

Meritat, sipas tij, i kanë të gjithë te Ballkani, por në veçanti babai i tij, Driton Rrahmani, ish-futbollist i njohur, nga i cili thotë se merr shumë këshilla.

“Është ndjenjë shumë e veçantë pasi që nuk është e lehtë që të jesh golashënuesi më i mirë në këtë rang garash. Për këtë sukses personal nëpër të cilin po kalojë, dua t’i falënderoj të gjithë bashkëlojtarët, shtabin teknik dhe në veçanti babanë tim pasi me këshillat e tij jam këtu ku jam. Kam besuar që do të paraqitem mirë, por jo kaq mirë”, tha Rrahmani për KOHËN.

Ai ka shënuar gjashtë gola në katër ndeshje në Ligën e Konferencës deri më tani. Ballkani ka kaluar në rundin e plejofit.

Qendërsulmuesi i ekipit kampion të Kosovës, pohon se ka besuar se Ballkani mund të arrijë deri këtu.

“Sigurisht që po ndihemi shumë mirë si ekip. Jemi shumë të kënaqur me paraqitjet që i kemi bërë deri me tani dhe me kualifikimin në plejof. Ne në garat evropiane po e përfaqësojmë gjithë futbollin e Kosovës. Kam besuar që mund të kemi suksese, duke e parë kualitetin që ka skuadra. Pritshmëritë kanë qenë të mëdha. Deri më tani, ka shkuar shumë mirë dhe do të japim më të mirën për të kaluar në fazën e grupeve”, u shpreh Rrahmani.

21-vjeçari nga Podujeva thotë se Ballkani do të luajë ndaj Shkupit për të fituar dhe për të siguruar fazën e grupeve.

“Ne do të punojmë për dy ndeshjet e radhës që na presin. Do ta japim maksimumin për ta siguruar fazën e grupeve. Nuk ka ndeshje të lehta në plejof, por besoj shumë në kualitetin e ekipit që kemi”, theksoi Rrahmani.

Ndeshjen e parë të plejofit, Ballkani e luan si mysafir i Shkupit, të enjten më 18 gusht. Ndërkaq ndeshja e kthimit ku edhe do të përcaktohet skuadra që e siguron kualifikimin në fazën e grupeve, zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë me 25 gusht.

Është e sigurt që një klub shqiptar do të jetë në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, dhe kjo do të jetë hera e parë.