Sport

Katër ndeshje pa fitore, Drita e vendosur t’i marrë tri pikët në Drenas

Skuadra e Dritës nuk ka fituar në katër ndeshje rresht. Ka dy barazime dhe po aq disfata. Hera e fundit kur ekipi nga Gjilani mori pikë të plota ishte në duelin ndaj Drenicës në Skenderaj, të cilin e fitoi 2:0. Ndodhi kjo më 19 shtator. Pra saktësisht një muaj gjilanasit janë pa fitore.

Këndelljen po e kërkojnë në ndeshjen e xhiros së dhjetë të Superligës, përballë Feronikelit. Kjo ndeshje zhvillohet të martën në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas dhe nis prej orës 13:00.

Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, ka thënë në konferencën për media të hënën se ka punuar me ekipin në aspektin psikologjik. Sipas tij, lojtarët do ta japin më të mirën për të arritur fitore ndaj Feronikelit.

“Këto tri ditë më tepër jam përkushtuar të punojmë në aspektin psikologjik sesa në atë taktik, sepse në aspektin taktik skuadra po paraqitet mirë, po shoh një dëshirë dhe angazhim. Nesër na pret një përballje mjaft e fortë, ngase kemi një kundërshtar i cili ka në përbërje futbollistë që e njohin mirë kampionatin dhe deri tani kanë ecur mirë. Futbollistët janë gati të japin edhe më tepër se maksimumin, për të marrë maksimumin. Jam i bindur se djemtë do të sakrifikojnë gjithçka për atë që duam të marrim. Mendoj që skuadra që në ndeshjen e nesërme do të reflektojë, kemi nevojë për një rezultat të mirë dhe tri pikë”, tha Nuhiu.

Trajneri nga Maqedonia e Veriut insiston se grupi është i bashkuar dhe se do t’ia dalë.

“Unë personalisht jam i kënaqur me djemtë. Mbase është çështje kohe apo që të kthejmë fatin sportiv, sepse vetëm ai po na mungon. Tanimë e kemi më të qartë kampionatin, jemi takuar me të gjitha skuadrat dhe po shohim një kampionat të fortë, të barabartë dhe po tregohet që çdo pikë ka vlerën e vet dhe kjo e bën kampionatin më të fortë. Kemi nevojë për fitore dhe mendoj se edhe futbollistët po e vuajnë, por nëse në këtë situatë kemi ardhur bashkë, mendoj se do t’ia dalim bashkë, sepse grupi është i bashkuar. Që nga nesër të rikthehemi. Thjesht duhet të vazhdojmë rrugën, të punojmë e të marrim ndeshjet një nga një”, u shpreh Nuhiu.

Ai konfirmoi mungesën e Arbnor Mujës për shkak të lëndimit.

Sulmuesi i krahut, Almir Ajzeraj, mendon se ka ardhur koha që Drita t’i kthehet fitores. Sipas tij, rikthimi do të nisë që nga e marta me Feronikelin.

“Çdo ndeshje është e rëndësishme dhe mendoj që periudhën e rezultateve të këqija tashmë e kemi kaluar dhe nga e marta shpresoj dhe besoj që do të rikthehemi te fitorja. Ekipi është i përgatitur, stërvitjet kanë shkuar mirë dhe besoj do të rikthehemi. Sa u përket rezultateve të deritanishme, ka qenë një ngërç psikologjik, kemi stërvitur shumë dhe tashmë janë rikthyer edhe futbollistët e lënduar dhe jemi më të kompletuar. Prandaj nga e marta besoj që do të krijojmë, rrezikojmë e shënojmë më shumë, sepse loja e mirë nuk na ka munguar dhe shpresoj që të rikthehemi aty ku e kemi vendin, te rezultatet e mira dhe fitoret", deklaroi Ajzeraj.

Nënkampionia e Kosovës e kishte mposhtur Feronikelin 2:1, në ndeshjen e xhiros së parë që ishte luajtur në stadiumin e qytetit në Gjilan. Të dy golat i kishte shënuar Ardit Tahiri. Ai kishte hyrë si zëvendësues për t’ia siguruar fitoren Dritës.

Deri me tani në nëntë ndeshje të luajtura, “Intelektualët” kanë 13 pikë dhe renditen në vendin e katërt. Kanë arritur tri fitore, katër barazime dhe kanë pësuar dy humbje. Feronikeli zë vendin e shtatë me dhjetë pikë.

Të martën luhet edhe ndeshja ndërmjet Prishtinës dhe Malishevës, që zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri”. Prishtina nuk ka fitore në tri ndeshjet e fundit, ku ka arritur dy barazime dhe një humbje nga Llapi në xhiron e nëntë. Ndërkaq Malisheva vjen pas humbjes nga Dukagjini në Klinë. Prishtina është e gjashta me 10 pikë, kurse Malisheva zë vendin e pestë me 12 pikë.

Ulpiana – Llapi është ndeshje tjetër e së martës. Ky takim zhvillohet në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan. Llapi ka nëntë pikë dhe zë vendin e nëntë, derisa Ulpiana është e fundit me shtatë pikë. Lipjanasit nuk e kanë asnjë fitore si vendas.