Sport

Katër ish-futbollistët e Kosovës që nuk shkëlqyen në Superligë

Besart Berisha foli gjerë e gjatë për planet e tij me Prishtinën, në konferencën për media gjatë prezantimit më 22 shtator. Premtoi gola dhe trofe.

Por Berisha u largua nga Prishtina pa shënuar asnjë gol dhe me pak minuta të kaluar në fushë. Berisha nuk i përmbushi pritjet, ndërsa u largua në heshtje.

KOHA të dielën ka provuar të marr përgjigje prej Berishës. As Berisha e as në klub nuk kanë pasur gatishmëri të flasin.

Sulmuesi 36-vjeçar u largua të premten nga Prishtina, pa mbushur tre muaj në skuadër.

Ai, megjithatë, nuk është i vetmi që erdhi me bujë, ndërsa luajti pak në Superligë. Fatin e njëjtë e kishin edhe ish-reprezentues të tjerë.

Anel Rashkaj ishte pritur me bujë te Prishtina, por u largua shpejt dhe i dëshpëruar. Rashkaj madje u largua më shpejt se Berisha. Ish-kapiteni i Kosovës u zyrtarizua te Prishtina më 11 gusht të vitit 2017, ndërsa në shtator të atij viti u largua me arsyetimin se “nuk përballoi kushtet e punës dhe mentalitetin e futbollit kosovar”. Rashkaj aktualisht është pjesë e Orgrytes që garon në kategorinë e dytë të Suedisë.

Pa lënë gjurmë në futbollin e Kosovës u larguan edhe Alban Pnishi e Ilir Berisha. Pnishi e Berisha, dy mbrojtësit që në të kaluarën kanë luajtur për Kosovën, ishin te Feronikeli.

Pnishi me fanellën e Niklit luajti vetëm katër ndeshje, ndërsa nga marsi i këtij viti është pjesë e Wohlenit, që garon në kategorinë e tretë të futbollit zviceran. Berisha pas periudhës jo të mirë te skuadra nga Drenasi u transferua te Vitia. Nga vera e këtij viti luan te Ljungskile, në ligën e tretë të Suedisë. Por Berisha, për dallim nga tre të tjerët në fillim të karrierës ishte prej mbrojtësve të mirë të elitës së futbollit kosovar. Ishte te Prishtina prej nga kaloi te Orebro.

Te Nikli kanë pranuar në shumë raste dështimin, ndonëse kanë pritur shumë nga futbollistët që i patën transferuar. Pnishi pati shprehur zhgënjimin e tij po ashtu. Ai kishte thënë se transferimi në futbollin e Kosovës i pati prishur punë në karrierë.

“Nuk jam aspak pishman që kam ardhur të luaj për Feronikelin në Kosovë, sepse kam ardhur të luaj futboll, por pak jam i zhgënjyer se si ka ardhur puna në fund. Më ka prishur shumë punë në karrierë, por në anën financiare kam pasur kontratë të rregullt dhe tash FIFA merret me këtë çështje. Unë jam në Zvicër tash në kërkim të ndonjë klubi. Por, besoj se në verë do të dalë diçka sërish”, pati thënë Pnishi për KOHËN më 3 mars të këtij viti.

Me të shkëputur kontratën, Pnishi i është drejtuar FIFA-s, prej së cilës kërkon ndihmë për kompensim të pagave nga klubi i Drenasit. Nikli është duke u përballur me shumë lojtarë shkaku i borxheve financiare.

Drejtori i Niklit, Artan Berisha, pranon se pritjet kanë qenë të mëdha nga disa lojtarë të transferuar e që ishin me bagazh ndërkombëtar.

“Prej disa lojtarëve që i kemi transferuar kemi pasur pritje të mëdha, ndoshta për shkak të së kaluarës së tyre dhe nuk jemi bazuar në edicionet e fundit. Aq të mëdha kanë qenë pritjet sa jemi ndarë të zhgënjyer me paraqitjet e tyre, me gjithë respektin për të kaluarën e tyre dhe karrierën që kanë zhvilluar. Me disa prej tyre jemi ndarë në mënyrë miqësore me marrëveshje, ndërsa me disa të tjerë jemi në kontest për zgjidhje të kontratës”, ka thënë të dielën Berisha për KOHËN.

Trajneri i futbollit, Gani Sejdiu, thotë se rasti i Besart Berishës, Anel Rashkajt, Alban Pnishit dhe Ilir Berishës nuk duhet përsëritur nga klubet në të ardhmen. Ai i fton klubet të analizojnë mirë gjërat para se të marrin lojtarë “të harxhuar”.

“Duhet të analizohet mirë gjendja e lojtarit para se ta transferojnë. Përvoja e çdo futbollisti që ka bërë karrierë të madhe si në rastin e Besart Berishës është e mirëseardhur. Por duhet parë gjendja fizike dhe mentale e çdo futbollisti që vjen, se a mund ta japë maksimumin e tij e jo të gjejë komoditetin thuajse këtu nuk luhet futboll dhe pastaj befasohen me nivelin e lojës dhe nuk janë në gjendje të arsyetojnë pritshmëritë dhe pagat që i marrin. Duhet pasur kujdes në planifikim nga klubet, duhet parë se në çfarë gjendjeje janë dhe a u duhet klubeve apo jo ‘X’ lojtari. Klubet në këtë moment mund edhe të arsyetohen, por nëse i përsërisin gabimet, atëherë nuk ka arsyetim më. Duhet mësuar nga gabimet”, ka thënë Sejdiu të dielën për KOHËN.

Trajneri Bylbyl Sokoli thotë se ndër arsyet mund të jetë vështirësia në adaptim.

“Nuk i di arsyet e shkëputjes së kontratës të këtyre futbollistëve. Supozoj se kanë pasur vështirësi në përshtatje në futbollin tonë. Deklaratat e tyre kanë qenë korrekte për pritjet që ishin. Prandaj është vështirë të dihen arsyet e sakta të shkëputjes së kontratës”, ka thënë Sokoli për KOHËN.